Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Numrat 21

21 Kur mbreti Kananeas i Aradit, që banonte në Negev, dëgjoi që Izraeli po vinte nga rruga e Atharimit, luftoi kundër Izraelit dhe zuri disa robër.

Atëherë Izraeli i lidhi një kusht Zotit dhe tha: "Në rast se ti ma shtie në dorë këtë popull, unë do të shkatërroj tërësisht qytetet e tyre".

Zoti e dëgjoi zërin e Izraelit dhe ia shtiu në dorë Kananejtë; dhe ai i shkatërroi plotësisht ata bashkë me qytetet e tyre, dhe ky vend u quajt Hormah.

Pastaj bijtë e Izraelit u nisën nga mali i Horit, dhe u drejtuan nga Deti i Kuq, për t’i ardhur qark vendit të Edomit; dhe populli u dëshpërua për shkak të rrugës.

Populli, pra, foli kundër Perëndisë kundër Moisiut, duke thënë: "Pse na nxorët nga Egjipti që të vdesim në këtë shkretëtirë? Sepse këtu nuk ka as bukë as ujë, na vjen neveri për këtë ushqim të keq".

Atëherë Zoti dërgoi midis popullit gjarpërinj flakërues, të cilët kafshonin njerëzit, dhe shumë Izraelitë vdiqën.

Dhe kështu populli shkoi te Moisiu dhe i tha: "Kemi mëkatuar, sepse kemi folur kundër Zotit dhe kundër teje; lutju Zotit që të largojë nga ne këta gjarpërinj" Dhe Moisiu u lut për popullin.

Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Bëj një gjarpër flakërues dhe vëre mbi një shtizë; kështu çdo njeri që do të kafshohet prej tij dhe do ta shikojë, ka për të jetuar".

Moisiu bëri atëherë një gjarpër prej bronzi dhe e vuri mbi një shtizë, dhe ndodhte që, kur një gjarpër kafshonte dikë, në rast se ky shikonte gjarprin prej bronzi, ai vazhdonte të jetonte.

10 Pastaj bijtë e Izraelit u nisën dhe u vendosën në Oboth.

11 Pasi u nisën nga Obothi, u strehuan në Ije-Abarim, në shkretëtirën përballë Moabit, nga ana ku lind dielli.

12 U nisën që këtej dhe u vendosën në luginën e Zeredit.

13 Pastaj u nisën që këtej dhe u vendosën në krahun tjetër të Arnonit, që rrjedh në shkretëtirë dhe vjen nga kufijtë e Amorejve; sepse Arnoni është kufiri i Moabit, midis Moabit dhe Amorejve.

14 Për këtë në Librin e Luftrave të Zotit thuhet: "Vaheb në Sufah, luginat e Arnonit

15 dhe tatëpjeta e luginave që shkon deri në banesat e Arit dhe që mbështetet në kufirin e Moabit".

16 Dhe që këtej shkuan në Beer, që është pusi për të cilin Zoti i pat thënë Moisiut: "Mblidhe popullin dhe unë do t’i jap ujë".

17 Atëherë Izraeli këndoi këtë himn: "Buro o pus! I këndoni atij!

18 Pusit, ujin e të cilit princët e kanë kërkuar dhe fisnikët e popullit e kanë gërmuar, duke u mbështetur në fjalën e ligjvënësve, me bastunët e tyre". Pastaj nga shkretëtira shkuan në Matanah;

19 nga Matanahu në Nahaniel; dhe nga Nahanieli në Bamoth,

20 dhe nga Bamothi në luginën që ndodhet në fushën e Moabit, në drejtim të lartësisë së Pisgahut që sundon shkretëtirën.

21 Pastaj Izraeli dërgoi lajmëtarë të tij te Sihoni, mbret i Amorejve, për t’i thënë:

22 "Na lejoni të kalojmë nëpër vendin tënd; ne nuk do të hyjmë nëpër arat ose nëpër vreshtat, nuk do pimë ujin e puseve; do të ndjekim rrugën Mbretërore deri sa t’i kalojmë kufijtë e tu".

23 Por Sihoni nuk e lejoi Izraelin të kalonte nëpër territorin e tij; për më tepër Sihoni mblodhi njerëzit e tij dhe doli kundër Izraelit në shkretëtirë; arriti në Jahats dhe luftoi kundër Izraelit.

24 Izraeli e mundi, duke e kaluar në majën e shpatës, dhe pushtoi vendin e tij nga Arnoni deri në Jakob, deri në kufijtë e bijve të Amonit, sepse kufiri i bijve të Amonit ishte i fortë.

25 Kështu Izraeli pushtoi tërë ato qytete dhe banoi në të gjitha qytetet e Amorejve, në Heshbon dhe në të gjitha qytetet e territorit të tyre,

26 sepse Heshboni ishte qyteti i Sihonit, mbretit të Amorejve, i cili i kishte bërë luftë mbretit të mëparshëm të Moabit dhe i kishte hequr nga dora tërë vendin e tij deri në Arnon.

27 Prandaj poetët thonë: "Ejani në Heshbon! Qyteti i Sihonit duhet të rindërtohet dhe të fortifikohet!

28 Sepse një zjarr ka dalë nga Heshboni, një flakë nga qyteti i Sihonit; kjo ka përpirë Arin e Moabit, zotërit e lartësive të Arnonit.

29 Mjerë ti, o Moab! Je i humbur, o popull i Kemoshit! Bijtë e tij kanë marrë arratinë dhe bijat e tij i janë dhënë si skllave Sihonit, mbretit të Amorejve.

30 Por ne i qëlluam me shigjeta; Heshboni është shkatërruar deri në Dibon. Kemi shkretuar gjithshka deri në Nofah, që ndodhet pranë Medebas".

31 Kështu Izraeli u vendos në vendin e Amorejve.

32 Pastaj Moisiu dërgoi njerëz për të vëzhguar Jaazerin, dhe kështu Izraelitët pushtuan qytetet e territorit të tij dhe përzunë Amorejtë që ndodheshin aty.

33 Pastaj ndryshuan drejtim dhe u ngjitën në rrugën e Bashanit; dhe Ogu, mbreti i Bashanit, doli kundër tyre me gjithë njerëzit e tij për t’u ndeshur në Edrej.

34 Por Zoti i tha Moisiut: "Mos ki frikë nga ai, sepse unë e lë në duart e tua me gjithë njerëzit e tij dhe vendin e tij; trajtoje ashtu siç ke trajtuar Sihonin, mbretin e Amorejve që banonte në Heshbon.

35 Kështu Izraelitët e mundën atë, bijtë e tij dhe tërë popullin e tij, deri sa nuk mbeti asnjë i gjallë, dhe pushtuan vendin e tij.

Psalmet 60-61

60 O Perëndi, ti na ke prapsur, na ke shpërndarë, je zemëruar; tani na rivendos.

Ti ke bërë që të dridhet toka, e ke çarë; shëro thyerjet e saj, sepse ajo lëkundet.

Ti e ke ngarkuar popullin tënd me gjëra të rënda; na ke dhënë të pimë verë që të trullos.

Por tani u ke dhënë atyre që të kanë frikë një flamur, që ta ngrenë në favor të së vërtetës. (Sela)

Shpëto me dorën tënde të djathtë dhe përgjigjmu, me qëllim që ata që ti i do të çlirohen.

Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do të ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.

Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjëvënësi im;

Moabi është legeni në të cilin lahem; mbi Edomin do të hedh sandalin tim; mbi Filistejtë do të ngre britma fitoreje".

Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?

10 A nuk do të jesh pikërisht ti, o Perëndi, që na ke prapsur? Nuk do të dalësh më, o Perëndi, me ushtritë tona?

11 Na ndihmo kundër armikut, sepse është e kotë ndihma e njeriut.

12 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe ai do të shkelë armiqtë tanë.

61 O Perëndi, dëgjo britmën time; dëgjo me vëmendje lutjen time.

Nga skaji i tokës unë të bërtas ty, ndërsa zemra ime po shkrihet; më ço në shkëmbin që është më i lartë se unë,

sepse ti ke qenë një strehë për mua dhe një kështjellë e fortifikuar para armikut.

Unë do të banoj në çadrën tënde për gjithnjë, do të kërkoj strehë në hijen e krahëve të tu. (Sela)

Sepse ti, o Perëndi, ke plotësuar kërkesat e mia, më ke dhënë trashëgiminë e atyre që kanë frikë nga emri yt.

Ti do t’i shtosh ditë të tjera jetës së mbretit; vitet e tij vazhdofshin për shumë breza.

Ai do të qëndrojë për gjithnjë në prani të Perëndisë; jepi urdhër mirësisë dhe së vërtetës ta ruajnë.

Kështu do t’i këndoj përjetë lavde emrit tënd dhe do t’i plotësoj zotimet e mia ditë për ditë.

Isaia 10:5-34

Mjerë Asiria, shufra e zemërimit tim, në duart e së cilës ndodhet shkopi i indinjatës sime!

Unë do ta dërgoj kundër një kombi të pabesë dhe kundër popullit të zemërimit tim. Do ta urdhëroj që ta plaçkitë, ta zhveshë dhe ta shkelë si baltën e rrugëve.

Por ajo mendon ndryshe dhe në zemër të vet ka plane të tjera, por dëshiron të shkatërrojë dhe të shfarosë një numër të madh kombesh.

Në fakt thotë: "Princat e mi nuk janë të gjithë mbretër?

A nuk është Kalno si Karkemishi? A nuk është Hamathi si Arpadi? A nuk është Samaria si Damasku?

10 Ashtu siç ka arritur dora ime mbretëritë e idhujve, shëmbëlltyrat e gdhendura të të cilëve ishin më të shumta se ato të Jeruzalemit dhe të Samarias,

11 ashtu si bëra me Samarian dhe me idhujt e saj, a nuk do të veproj edhe në Jeruzalem dhe me idhujt e tij?".

12 Por do të ndodhë që, kur Zoti të ketë mbaruar tërë veprën e tij në malin Sion dhe në Jeruzalem, ai do të thotë: "Unë do të dënoj frytin e mëndjemadhësisë së zemrës së mbretit të Asirisë dhe lavdinë e syve të tij krenarë".

13 Në fakt ai thotë: "E bëra me forcën e dorës sime dhe me diturinë time, sepse jam i zgjuar; lëviza kufijtë e popujve, plaçkita thesaret e tyre dhe si një njeri i fuqishëm shfuqizova ata që rrinin mbi fron.

14 Dora ime ka gjetur si një fole pasuritë e popujve; ashtu si dikush mbledh vezët e braktisura, kështu unë grumbullova tërë dheun dhe nuk pati asnjeri që të lëvizë krahët, apo të hapë sqepin dhe të pingërojë".

15 Mos vallë sëpata lëvdohet me atë që pret me të ose mburret sharra me atë që e përdor? Ashtu si shufra të duhej të drejtonte atë që e ngre, apo shkopi të mund të ngrihej a thua se nuk është prej druri!

16 Prandaj Perëndia, Zoti i ushtrive, do të dërgojë ligështimin midis radhëve të tyre më të fuqishme, dhe në vend të lavdisë së tij ai do të ndezë një zjarr, si flakët e një zjarri.

17 Kështu drita e Izraelit do të bëhet një zjarr dhe i Shenjti i tij një flakë, që do të flakërojë dhe do të përpijë ferrat dhe gjembat brenda një dite të vetme.

18 Ai do të konsumojë lavdinë e pyllit të tij dhe të fushës pjellore të tij nga shpirti deri te trupi; do të jetë si një i sëmurë që ligështohet.

19 Pjesa tjetër e drurëve të pyllit të tij do të katandiset në një numër aq të vogël që edhe një fëmijë mund t’i numërojë.

20 Atë ditë do të ndodhë që pjesa që mbetet e Izraelit dhe ata që kanë shpëtuar nga shtëpia e Jakobit nuk do të mbështeten më mbi atë që i godiste, por do të mbështeten në të vërtetë mbi Zotin, të Shenjtin e Izraelit.

21 Një mbetje, mbetja e Jakobit, do t’i kthehet Zotit të fuqishëm.

22 Sepse, edhe sikur populli yt, o Izrael, të ishte si rëra e detit, vetëm një mbetje e tij do të kthehet; shfarosja e dekretuar do ta bëjë drejtësinë të vërshojë.

23 Në fakt Zoti, Zoti i ushtrive, do të kryejë shfarosjen e dekretuar në mes të të gjithë dheut.

24 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: "O populli im, që banon në Sion, mos ki frikë nga Asiri, që të rreh me shufër dhe ngre kundër teje shkopin e tij, ashtu si bëri Egjipti.

25 Sepse edhe pak kohë dhe indinjata do të marrë fund, ndërsa zemërimi im do të drejtohet për shkatërrimin e tyre.

26 Zoti i ushtrive do të ngrejë kundër tij kamxhikun, ashtu siç e goditi Madianin te shkëmbi i Horebit; dhe ashtu si shtriu shkopin e tij mbi det, kështu do ta ngrerë akoma ashtu si bëri në Egjipt.

27 Atë ditë do të ndodhë që barra e tij do të hiqet nga kurrizi dhe zgjedha e tij nga qafa jote; zgjedha do të shkatërrohet nga vajosj e vajit".

28 Ai arrin në Ajath, e kapërcen Migronin dhe i lë ngarkesën e tij në Mikmash.

29 Kapërcejnë vendkalimin, fushojnë në Geba; Ramahu dridhet, Gibeahu i Saulit ka ikur.

30 Ço zërin tënd, o bija e Galimit! Kij kujdes, o Laish! E mjera Anathoth!

31 Madmenahu ka ikur, banorët e Gebimit kërkojnë një strehë.

32 Megjithatë do të qëndrojë sot në Nob, duke tundur grushtin kundër malit të bijës së Sionit, kodrës së Jeruzalemit.

33 Ja, Zoti, Zoti i ushtrive, do t’i këpusë degët me dhunë të tmerrshme; më të lartat do të priten; më krenarët do të ulen.

34 Ai do të rrëzojë me sëpatë pjesën më të dendur të pyllit dhe Libani do të bjerë nën goditjet e të Fuqishmit.

Jakobit 4

Nga vijnë luftërat dhe grindjet te ju?. A nuk vijnë, nga pasionet që luftojnë ndër gjymtyrët tuaja?

Ju lakmoni dhe nuk keni, ju vrisni dhe keni smirë dhe nuk fitoni gjë; ju ziheni dhe luftoni, por nuk keni, sepse nuk kërkoni.

Ju kërkoni dhe nuk merrni, sepse kërkoni keqas që të shpenzoni për kënaqësitë tuaja.

O shkelës dhe shkelëse të kurorës, a nuk e dini se miqësia me botën është armiqësi me Perëndinë? Ai, pra, që don të jetë mik i botës bëhet armik i Perëndisë.

Apo pandehni se Shkrimi thotë kot: “Fryma që rri në ne a lakmon deri në smirë”?

Por ai jep hir edhe më të madh; prandaj thotë: “Perëndia u kundërvihet mendjemëdhenjve dhe u jep hir të përulurve.”

Nënshtrojuni, pra, Perëndisë, kundërshtoni djallin dhe ai do të largohet nga ju!

Afrohuni te Perëndia dhe ai do t’ju afrohet juve; pastroni duart tuaja, o mëkatarë; dhe pastroni zemrat o njerëz me dy mendje!

Pikëllohuni, mbani zi dhe qani; të qeshurit tuaj le të kthehet në zi, dhe gëzimi në trishtim.

10 Përuluni përpara Zotit, dhe ai do t’ju lartësojë!

11 Mos flisni keq për njeri tjetrin, vë-llezër; ai që flet kundër vëllait dhe e gjykon vëllanë e vet, flet kundër ligjit dhe gjykon ligjin; dhe, po të gjykosh ligjin, ti nuk je zbatues i ligjit, por gjykatës.

12 Ka vetëm një Ligjdhënës, që mund të të shpëtojë ose të të çojë në humbje; por ti kush je që gjykon një tjetër?

13 Dhe tani, ju që thoni: “Sot ose nesër do të shkojmë në atë qytet, dhe do të rrijmë atje një vit, do të tregtojmë dhe do të fitojmë,”

14 ndërsa nuk dini për të nesërmen. Sepse ç’është jeta? Éshtë avull që duket për pak, dhe pastaj humbet.

15 Në vend që të thoni: “Në dashtë Zoti dhe në paçim jetë, ne do të bëjmë këtë ose atë gjë.”

16 Ju, përkundrazi, mburreni në arrogancën tuaj; çdo mburrje e tillë është e keqe.

17 Ai, pra, që di të bëjë të mirë edhe nuk e bën, bën mëkat.