M’Cheyne Bible Reading Plan
32 Bijtë e Rubenit dhe bijtë e Gadit kishin një sasi jashtëzakonisht të madhe bagëtish; dhe kur panë që vendi i Jazerit dhe vendi i Galaadit ishin një tokë e përshtatshme për të rritur bagëti,
2 bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit erdhën për të folur me Moisiun, me priftin Eleazar dhe me prijësit e asamblesë, dhe thanë:
3 "Atarothi, Diboni, Jaazeri, Nimrahu, Heshboni, Elealehu, Sebami, Nebo dhe Beoni,
4 vendi që Zoti ka goditur para asamblesë së Izraelit, është një vend i përshtatshëm për të rritur bagëti, dhe shërbëtorët e tu kanë bagëti".
5 Ata thanë akoma: "Në rast se kemi gjetur hirin tënd, jepua këtë vend shërbëtorëve të tu në pronësi dhe mos na bëj të kalojmë Jordanin".
6 Por Moisiu iu përgjegj bijve të Gadit dhe bijve të Rubenit: "A duhet të shkojnë në luftë vëllezërit tuaj, ndërsa ju po rrini këtu?
7 Pse duhet të demoralizoni zemrat e bijve të Izraelit që të hyjnë në vendin që u ka dhënë Zoti?
8 Kështu vepruan etërit tuaj kur i nisa nga Kadesh-Barneu për ta vëzhguar vendin.
9 U ngjitën deri në luginën e Eshkolit; dhe, pasi e panë vendin, i demoralizuan zemrat e bijve të Izraelit, dhe kështu këta nuk hynë në vendin që Zoti u kishte dhënë.
10 Kështu zemërimi i Zotit u ndez atë ditë dhe ai u betua, duke thënë:
11 "Me siguri asnjë nga njerëzit, që kanë ardhur nga vendi i Egjiptit në moshën njëzet e një vjeç e lart nuk do ta shohë kurrë vendin që jam betuar t’u jap Abrahamit, Isaut dhe Jakobit, sepse ata nuk më kanë ndjekur plotësisht,
12 me përjashtim të Kalebit, birit të Jenufeut, i quajtur Kenizeu, dhe të Jozueut, birit të Nunit, sepse këta e kanë ndjekur plotësisht Zotin".
13 Kështu zemërimi i Zotit u ndez kundër Izraelit; dhe ai bëri të enden dyzet vjet në shkretëtirë, deri sa mbaroi gjithë brezi që kishte bërë të këqia para Zotit.
14 Dhe ja, ju po zini vendin e etërve tuaj, një farë mëkatarësh, për të rritur edhe më zemërimin e zjarrtë të Zotit kundër Izraelit.
15 Sepse, po të refuzoni të shkoni pas tij, ai do të vazhdojë ta lërë Izraelin në shkretëtirë, dhe ju do të shkaktoni humbjen e tërë këtij populli".
16 Atëherë ata iu afruan Moisiut dhe i thanë: "Ne do të ndërtojmë këtu vathë për bagëtinë tonë dhe qytete për të vegjlit tanë;
17 por ne jemi gati të marshojmë me armë në krye të bijve të Izraelit, deri sa t’i çojmë në vendin e tyre; ndërkaq të vegjlit tanë do të banojnë në qytetet e fortifikuara për shkak të banorëve të vendit.
18 Nuk do të kthehemi në shtëpitë tona derisa secili nga bijtë e Izraelit të ketë shtënë në dorë trashëgiminë e tij,
19 sepse nuk do të pranojë asnjë trashëgimi bashkë me ta matanë Jordanit dhe më tutje, sepse trashëgimia jonë na ra nga kjo anë e Jordanit, në drejtim të lindjes".
20 Atëherë Moisiu u tha atyre: "Në rast se bëni këtë, në rast se armatoseni për luftë para Zotit,
21 dhe tërë njerëzit e armatosur kalojnë Jordanin para Zotit, deri sa ai t’i ketë dëbuar armiqtë e tij nga prania e tij
22 dhe toka të jetë nënshtruar para Zotit dhe mbas kësaj ju ktheheni prapa, atëherë nuk do të jeni fajtorë para Zotit dhe para Izraelit, dhe ky vend do të jetë prona juaj para Zotit.
23 Dhe në qoftë se nuk veproni kështu, atëherë do të mëkatoni kundër Zotit; dhe të jeni të sigurtë që mëkati juaj do t’ju gjejë.
24 Ndërtoni qytete për të vegjlit tuaj dhe vathë për kopetë tuaja, dhe bëni atë që goja juaj ka thënë".
25 Dhe bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit i folën Moisiut duke i thënë: Shërbëtorët e tu do të bëjnë ashtu si urdhëron zotëria im..
26 Të vegjlit tanë, bashkëshortet tona, kopetë tona dhe tërë bagëtia jonë do të mbeten këtu në qytetet e Galaadit;
27 por shërbëtorët e tu, tërë njerëzit e armatosur për luftë, do ta kalojnë Jordanin për të luftuar para Zotit ashtu siç thotë zotëria ime".
28 Atëherë Moisiu u dha porosi për ta priftit Eleazar, Jozueut, birit të Nunit, dhe kryefamiljarëve të fiseve të bijve të Izraelit.
29 Moisiu u tha atyre: "Në rast se bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit e kalojnë Jordanin bashkë me ju, tërë njerëzit e armatosur për të luftuar para Zotit, dhe vendi do të nënshtrohet para jush, do t’u jepni atyre si pronë vendin e Galaadit.
30 Por në rast se nuk e kalojnë Jordanin të armatosur bashkë me ju, do të kenë prona në mes jush në vendin e Kanaanit".
31 Atëherë bijtë e Gadit dhe bijtë e Rubenit u përgjigjën duke thënë: "Do të veprojmë ashtu si u ka thënë Zoti shërbëtorëve të tu.
32 Do ta kalojmë Jordanin të armatosur para Zotit në vendin e Kanaanit, me qëllim që zotërimi i trashëgimisë sonë të mbetet nga kjo anë e Jordanit".
33 Moisiu u dha kështu bijve të Gadit, bijve të Rubenit dhe gjysmës së fisit të Manasit, birit të Jozefit, mbretërinë e Sihonit, mbretit të Amorejve, dhe mbretërinë e Ogut, mbretit të Bashabit, vendin me qytetet përreth.
34 Kështu bijtë e Gadit ndërtuan Dibonin, Atarothin, Aroerin,
35 Atroth-Shofanin, Jaazerin, Jogbehahun,
36 Beth-Nimrahun dhe Beth-Aranin, qytete të fortifikuara, dhe vathë për kopetë e bagëtive.
37 Bijtë e Rubenit ndërtuan Heshbonin, Elealehun, Kirjathaimin,
38 Neboh dhe Baal-Meonin (emrat e tyre janë ndryshuar) dhe Sibmahun; dhe u vunë emra të tjerë qyteteve që ndërtuan.
39 Dhe bijtë e Makirit, birit të Manasit, shkuan në vendin e Galaadit, e pushtuan dhe shpronësuan Amorejtë që banonin aty.
40 Kështu Moisiu i dha Galaadin Makirit, birit të Manasit, i cili u vendos aty.
41 Jairi, bir i Manasit, shkoi dhepushtoi fshatrat e tyre dhe i quajti Havoth-Jair.
42 Nobahu përkundrazi shkoi dhe pushtoi Kenathin me lagjet e tij të jashtme; dhe e quajti Nobah simbas emrit të tij.
77 Zëri im lartohet te Perëndia dhe unë bërtas; zëri im lartohet te Perëndia dhe ai ka për të më dëgjuar.
2 Ditën e fatkeqësisë sime kërkova Zotin; gjatë natës dora ime mbeti e nderur pa u lodhur dhe shpirti im nuk pranoi të ngushëllohet.
3 Më kujtohet Perëndia dhe rrënkoj; vajtoj dhe fryma ime dobësohet. (Sela)
4 Ti m’i mban të hapura qepallat; jam aq i turbulluar sa nuk mund të flas.
5 Sjell ndërmënd përsëri ditët e lashta, vitet e kohëve të shkuara.
6 Gjatë natës më kthehet në mendje kënga ime, mendoj thellë në zemrën time dhe fryma ime bën kërkime.
7 A do të më hedhë poshtë për gjithnjë Zoti? E nuk do të më pëlqejë më kurrë?
8 Dhe mirësia e tij ka marrë fund për gjithnjë dhe falja e tij ka munguar për brezat e ardhshme?
9 Vallë Perëndia e ka harruar mëshirën dhe në zemërimin e tij u ka dhënë fund dhembshurive të tij? (Sela)
10 Unë kam thënë: "Shkaku i hidhërimit tim është se dora e djathtë e Shumë të Lartit ka ndryshuar".
11 Do t’i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara,
12 do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua.
13 O Perëndi, jeta jote është e shenjtë; cili Perëndi është i madh si Perëndia?
14 Ti je Perëndia që kryen mrekulli; ti ke bërë të njihet forca jote midis popujve.
15 Me krahun tënd ke shpenguar popullin tënd, bijtë e Jakobit dhe të Jozefit. (Sela)
16 Ujërat të panë, o Perëndi, ujërat të panë dhe u trëmbën; edhe humnerat u drithtuan.
17 Retë derdhën përmbytje uji, qiejtë gjëmuan dhe shigjetat e tua vepruan.
18 Gjëmimi i bubullimës sate ishte në vorbullën, vetëtimat ndriçuan botën dhe toka u tund dhe u drodh.
19 Ti e hape rrugën tënde në mes të detit, shtegun tënd në mes të ujërave të mëdha, dhe gjurmët e tua nuk u njohën.
20 Ti e udhëheq popullin tënd si një kope me dorën e Moisiut dhe të Aaronit.
24 Ja, Zoti zbras tokën dhe e bën të shkretë, prish faqen e saj dhe shpërndan banorët e saj.
2 Do t’i ndodhë e njëjta gjë popullit ashtu si priftit, shërbëtorit ashtu si padronit të tij, shërbëtores ashtu si padrones së saj, blerësit ashtu si shitësit, ai që jep borxh ashtu si ai që merr borxh, huadhënësit ashtu si huamarrësit.
3 Toka do të zbrazet plotësisht dhe do të plaçkitet plotësisht, sepse Zoti ka thënë këtë fjalë.
4 Toka është në zi dhe vuan, bota po ligështohet dhe po meket, njerëzit me poste nga populli i dheut ligështohen.
5 Toka është përdhosur nga banorët e saj, sepse këta kanë shkelur ligjet, kanë ndryshuar statutin, kanë marrë nëpër këmbë besëlidhjen e përjetshme.
6 Prandaj një mallkim e ka përpirë tokën dhe banorët e saj janë të dëshpëruar; prandaj banorët e tokës po digjen dhe të pakët janë burrat që kanë mbetur.
7 Mushti është në zi, vreshti po prishet dhe gjithë zemërgëzuarit psherëtijnë.
8 Gëzimi i dajreve ka marrë fund, zhurma e dëfrimtarëve ka mbaruar, gëzimi i harpës pushoi.
9 Nuk pihet më verë me këngë, pija dehëse është e hidhur për ata që e pijnë.
10 Qyteti i rrëmujës është shkatërruar; çdo shtëpi është e mbyllur që të mos hyjë njeri në të.
11 Nëpër rrugë ka ankime, sepse nuk ka verë; çdo gëzim është zhdukur, hareja është zhdukur nga toka.
12 Në qytet nuk mbetet gjë tjetër veç dëshpërimit, dhe porta është bërë copë-copë dhe është shkatërruar.
13 Sepse në mes të dheut, midis popujve, do të ndodhë ashtu si kur shkunden ullinjtë, ashtu si kur mblidhen vilet e pavjela pas vjeljes.
14 Ata do të ngrenë zërin, do të lëshojnë klithma gëzimi, për madhështinë e Zotit do të brohorasin nga deti:
15 "Lëvdoni, pra, Zotin në krahinat e agimit, emrin e Zotit, Perëndinë e Izraelit në ishujt e detit!".
16 Nga skaji i tokës dëgjojmë këngë: "Lavdi të drejtit!". Por unë them: Mjerë unë! Mjerë unë! Vaj medet! Të pabesët veprojnë me pabesi, po, tëë pabesët veprojnë me pabesi të madhe.
17 Tmerri, gropa dhe laku të kërcënojnë, o banor i dheut.
18 Dhe ka për të ndodhur që ai që do të ikë përballë britmës së tmerrit do të bjerë në gropë, dhe kush do të dalë nga gropa do të kapet nga laku. Sepse nga lart do të hapen ujëvara dhe themelet e dheut do të tronditen.
19 Toka do të çahet e tëra; toka do të kriset tërësisht, toka do të dridhet me forcë.
20 Toka do të lëkundet si një i dehur, do të tronditet si një kasolle. Mëkati i saj rëndon mbi të, do të rrëzohet dhe nuk do të ngrihet më.
21 Atë ditë do të ndodhë që Zoti do të dënojë ushtrinë që është atje lart, dhe poshtë mbi tokë mbretërit e dheut;
22 do të mblidhen bashkë si të burgosur në një burg të nëndheshëm; do të mbyllen në një burg dhe pas shumë ditësh do të ndëshkohen.
23 Hënën do ta mbulojë rrëmuja dhe diellin turpi, sepse Zoti i ushtrive do të mbretërojë mbi malin e Sionit dhe në Jeruzalem, dhe lavdia e tij përpara pleqve.
2 Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.
2 Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ata të të gjithë botës.
3 Dhe nga kjo e dimë se e kemi njohur atë, në qoftë se i zbatojmë urdhërimet e tij.
4 Ai që thotë: “Unë e kam njohur atë,” dhe nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të.
5 Por kush e zbaton fjalën e tij, në të me të vërtetë dashuria e Perëndisë është përsosur. Nga kjo e njohim se jemi në të.
6 Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai.
7 Vëllezër, nuk ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, që e kishit nga fillimi: urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat nga fillimi.
8 E megjithatë po ju shkruaj një urdhërim të ri, që është i vërtetë në të dhe në ju, sepse errësira po shkon dhe tashmë po ndrit drita e vërtetë.
9 Ai që thotë se është në dritë dhe urren vëllanë e vet, është ende në errësirë.
10 Ai që e do vëllanë e vet qëndron në dritë dhe nuk ka asgjë në të që e bënë të bjerë.
11 Por ai që urren vëllanë e vet është në errësirë, ecën në errësirë dhe nuk di ku shkon, sepse errësira ia ka verbuar sytë.
12 Djema, ju shkruaj sepse mëkatet ju janë falur nëpërmjet emrit të tij.
13 Etër, ju shkruaj sepse ju e keni njohur atë që është që nga fillimi. Të rinj, ju shkruaj sepse e mundët të ligun. Djema, po ju shkruaj sepse e keni njohur Atin.
14 Etër, ju kam shkruar sepse e keni njohur atë që është nga fillimi. Të rinj, ju kam shkruar sepse jeni të fortë dhe fjala e Perëndisë qëndron në ju dhe sepse e mundët të ligun.
15 Mos e doni botën, as gjërat që janë në botë. Ne qoftë se ndokush do botën, dashuria e Atit nuk është në të,
16 sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota.
17 Dhe bota kalon me lakminë e saj; por ai që bën vullnetin e Perëndisë mbetet përjetë.
18 Fëmijë, është ora e fundit. Dhe, sikurse e dëgjuat, antikrishti duhet të vijë, dhe tani janë shfaqur shumë antikrishtë; prej nga e dimë se është ora e fundit.
19 Mes nesh dolën, por nuk ishin nga tanët, sepse, po të ishin nga tanët, do të kishin qëndruar me ne; por kjo ndodhi që të dalë se nuk janë të gjithë nga tanët.
20 Por ju keni vajosjen nga i Shenjti dhe i dini çdo gjë.
21 Nuk ju shkrova juve sepse nuk e njihni të vërtetën, por sepse ju e njihni dhe sepse asnjë gënjeshtër nuk del nga e vërteta.
22 Kush është gënjeshtari, veçse ai që mohon se Jezus është Krishti? Antikrishti është ai, që mohon Atin dhe Birin.
23 Kushdo që mohon Birin, s’ka as Atin; kushdo që njeh Birin, ka edhe Atin.
24 Ajo që ju, pra, dëgjuat nga fillimi le të qëndrojë në ju; në qoftë se ajo që dëgjuat nga fillimi qëndron në ju, edhe ju do të qëndroni në Birin dhe në Atin.
25 Dhe ky është premtimi që ai na bëri: jeta e përjetshme.
26 Ju shkrova këto gjëra për ata që kërkojnë t’ju gënjejnë.
27 Dhe, sa për ju, vajosja që keni marrë prej tij qëndron në ju dhe nuk keni nevojë që ndokush t’ju mësojë; por, duke qenë se vajosja e tij ju mëson çdo gjë dhe është e vërtetë e nuk është gënjeshtër, qëndroni në të ashtu sikurse ju mësoi.
28 Edhe tani, djema, qëndroni në të që, kur të shfaqet ai, ne të mund të kemi besim, dhe në ardhjen e tij të mos turpërohemi para Tij.
29 Në qoftë se e dini se ai është i drejtë, ta dini se kushdo që praktikon drejtësinë ka lindur prej tij.