Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:145-176

145 Unë bërtas me gjithë zemër; përgjigjmu, o Zot, dhe unë do të respektoj statutet e tua.

146 Unë të kërkoj; shpëtomë, dhe do të respektoj porositë e tua.

147 Unë zgjohem para agimit dhe bërtas; unë kam shpresë te fjala jote.

148 Sytë e mi paraprijnë natën për të menduar thellë fjalën tënde.

149 Dëgjo zërin tim sipas mirësisë sate; o Zot, gjallëromë sipas dekretit tënd të drejtë.

150 Kam afër vetes ata që ndjekin të keqen, por ata janë larg ligjit tënd.

151 Ti je afër, o Zot, dhe të gjitha urdhërimet e tua janë të vërteta.

152 Prej shumë kohe kam mësuar urdhërimet e tua, të cilat i ke vendosur përjetë.

153 Merr parasysh pikëllimin tim dhe më çliro, sepse nuk e kam harruar ligjin tënd.

154 Mbro çështjen time dhe më shpengo; më gjallëro sipas fjalës sate.

155 Shpëtimi është larg nga të pabesët, sepse ata nuk kërkojnë statutet e tua.

156 Dhemshuritë e tua janë të mëdha, o Zot; më gjallëro sipas dekreteve të tua të drejta.

157 Persekutuesit e mi dhe armiqtë e mi janë të shumtë; por unë nuk largohem nga porositë e tua.

158 I pashë të pabesët dhe i urrej, sepse nuk respektojnë fjalën tënde.

159 Ki parasysh sa i dua urdhërimet e tua! O Zot, gjallëromë sipas mirësisë sate.

160 Shuma e fjalës sate është e vërteta; dhe të gjitha dekretet e tua të drejta qëndrojnë përjetë.

161 Princat më përndjekin pa arësye, por zemra ime ka shumë frikë nga fjala jote.

162 Unë ndjej një gëzim të madh në fjalën tënde, ashtu si ai që gjen një plaçkë të madhe.

163 Urrej dhe s’e shoh dot me sy gënjeshtrën, por e dua ligjin tënd.

164 Të lëvdoj shtatë herë në ditë për dekretet e tua të drejta.

165 Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd, dhe nuk ka asgjë që mund t’i rrëzojë.

166 O Zot, unë shpresoj në shpëtimin tënd dhe i zbatoj në praktikë urdhërimet e tua.

167 Unë kam respektuar porositë e tua dhe i dua me të madhe.

168 Kam respektuar urdhërimet e tua dhe porositë e tua, sepse të gjitha rrugët janë para teje.

169 Le të arrijë deri te ti britma ime, o Zot; me jep mendja sipas fjalës sate.

170 Le të arrijë deri te ti lutja ime, çliromë sipas fjalës sate.

171 Buzët e mia do të përhapin lavde, me qëllim që ti të më mësosh statutet e tua.

172 Gjuha ime do të shpallë fjalën tënde, sepse tërë urdhërimet e tua janë të drejta.

173 Dora jote më ndihmoftë, sepse unë kam zgjedhur urdhërimet e tua.

174 Unë dëshiroj me zjarr shpëtimin tënd, o Zot, dhe ligji yt është gëzimi im.

175 Le të kem mundësi të jetoj që të të lëvdoj, dhe le të më ndihmojnë dekretet e tua.

176 Unë po endem si një dele e humbur. Kërko shërbëtorin tënd, sepse unë nuk i harroi urdhërimet e tua.

Psalmet 128-130

128 Lum kushdo që ka frikë nga Zoti dhe që ecën në rrugët tij.

Atëherë ti do të hash me mundin e duarve të tua, do të jesh i lumtur dhe do të gëzosh begatinë.

Gruaja jote do të jetë si një hardhi prodhimtare në intimitetin e shtëpisë sate, bijtë e tu si drurë ulliri rreth tryezës sate!

Ja, kështu do të bekohet njeriu që ka frikë nga Zoti.

Zoti të bekoftë nga Sioni dhe ti pafsh begatinë e Jeruzalemit tërë ditët e jetës sate.

Po, pafsh bijtë e bijve të tu. Paqja qoftë mbi Izraelin.

129 Shumë më kanë shtypur që në rininë time, le ta thotë Izraeli:

"Shumë më kanë shtypur qysh prej rinisë sime, por nuk kanë mundur të më mposhtin.

Lëruesit kanë lëruar mbi kurrizin tim dhe kanë bërë aty brazda të gjata".

Zoti është i drejtë; ai i preu litarët e të pabesëve.

U turpërofshin të gjithë dhe kthefshin krahët ata që urrejnë Sionin!

U bëfshin si bari i çative, që thahet para se të rritet;

nuk ia mbush dorën korrësit, as krahët atyre që lidhin duajt;

dhe kalimtarët mos thënçin: "Bekimi i Zotit qoftë mbi ju; ne ju bekojmë në emër të Zotit".

130 Nga vënde të thella unë të këllthas ty, o Zot.

O Zot, dëgjo klithmën time; veshët e tu dëgjofshin me vëmendje zërin e lutjeve të mia.

Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?

Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.

Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.

Shpirti im pret Zotin, më tepër se rojet mëngjesin; po, më tepër se rojet mëngjesin.

O Izrael, mbaj shpresa tek Zoti, sepse pranë tij ka dhemshuri dhe shpëtim të plotë.

Ai do ta çlirojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij.

Abdia 15-21

15 Sepse dita e Zotit është e afërt për tërë kombet; atë që u bëre të tjerëve do të ta bëjnë ty, shpërblimi i veprimeve të tua do të bjerë mbi kokën tënde.

16 Sepse ashtu si keni pirë mbi malin tim të shenjtë, kështu do të pinë tërë kombet vazhdimisht; po, do të pinë, do të rrëkëllejnë dhe do të jenë si të mos kenë qenë kurrë".

17 "Por mbi malin e Sionit do të jenë ata që mbijetuan dhe do të jetë një vend i shenjtë; dhe shtëpia e Jakobit do të shtjerë në dorë pronat e veta.

18 Shtëpia e Jakobit do të jetë një zjarr, shtëpia e Jozefit një flakë, por shtëpia e Esaut do të jetë si kallamishte: ata do ta djegin dhe do ta gllabërojnë, dhe shtëpisë së Esaut nuk do t’i mbetet asnjë trashëgimtar," sepse ka folur Zoti.

19 Ata të Negevit do të zotërojnë malin e Esaut dhe fushën e vendit të Filistejve; do të zotërojnë edhe fushat e Efraimit dhe fushat e Samarisë dhe Beniamini do të zotërojë Galaadin.

20 Mërgimtarët e kësaj ushtrie të bijve të Izraelit që ndodhen midis Kananeasve, do të zotërojnë vendin deri në Sarepta, mërgimtarët e Jeruzalemit që ndodhen në Sefarad do të zotërojnë qytetet e Negevit.

21 Atëherë disa çlirimtarë do të ngjiten në malin e Sionit për të gjykuar malin e Esaut, dhe mbretëria do të jetë e Zotit.

1 Pjetrit 2:1-10

Hiqni tej, pra, çdo ligësi dhe çdo mashtrim, hipokrizitë, smirat dhe çdo shpifje,

posi foshnja të sapolindura, të dëshironi fort qumështin e pastër të fjalës, që të rriteni me anë të tij,

nëse e keni shijuar se Zoti është i mirë.

Duke iu afruar atij, si te guri i gjallë, i flakur tej nga njerëzit, por i zgjedhur dhe i çmuar përpara Perëndisë,

edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit.

Sepse në Shkrimet lexohet: “Ja, unë po vë në Sion një gur çipi, të zgjedhur, dhe ai që beson në të nuk do të turpërohet aspak.”

Sepse për ju që besoni ai është i çmuar, po për ata të pabindurit: “Guri, që u hoq mënjanë nga ndërtuesit, u bë guri i qoshes, gur pengese dhe shkëmb skandali që i bën të rrëzohen.”

Duke qenë të pabindur, ata pengohen në fjalë, dhe për këtë ata ishin të caktuar.

Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme;

10 ju, që dikur nuk ishit një popull, kurse tani jeni populli i Perëndisë; ju, dikur të pamëshiruar, por tani të mëshiruar.

Mateu 19:23-30

23 Atëherë Jezusi u tha dishepujve të vet: “Në të vërtetë ju them se një i pasur me vështirësi do të hyjë në mbretërinë e qiejve.

24 Dhe po jua përsëris: Éshtë më lehtë të kalojë deveja nga vrima e gjilpërës, se sa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”

25 Kur i dëgjuan këto fjalë, dishepujt e vet u habitën shumë dhe thanë: “Atëherë, kush do të shpëtojë vallë?.”

26 Dhe Jezusi duke përqëndruar shikimin mbi ata tha: “Për njerëzit kjo është e pamundur, por për Perëndinë çdo gjë është e mundur.”

27 Atëherë Pjetri iu përgjigj duke thënë: “Ja, ne i lamë të gjitha dhe të ndoqëm; çfarë do të fitojmë, pra?.”

28 Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë po ju them, në krijimin e ri, kur Biri i njeriut të ulet në fronin e lavdisë së vet, edhe ju që më keni ndjekur do të uleni mbi dymbëdhjetë frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.

29 Dhe kushdo që ka lënë, për hir të emrit tim, shtëpi, vëllezër, motra, atë, nënë, grua, bij ose ara, do të marrë njëqindfish dhe do të trashëgojë jetë të përjetshme.

30 Por shumë të parë do të jenë të fundit, dhe shumë të fundit do të jenë të parët.”