Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:97-120

97 Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.

98 Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua.

99 Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.

100 Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.

101 Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.

102 Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar.

103 Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.

104 Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.

105 Fjala jote është një llambë në këmbën time dhe një dritë në shtegun tim.

106 Unë jam betuar dhe do ta mbaj betimin që të respektoj dekretet e tua të drejta.

107 Unë jam shumë i pikëlluar, gjallëromë, o Zot, sipas fjalës sate.

108 O Zot, prano ofertat spontane të gojës sime dhe mësomë dekretet e tua.

109 Ndonëse e kam gjithnjë shpirtin në pëllëmbë të dorës, nuk e harroj ligjin tënd.

110 Të pabesët më kanë ngritur kurthe, por unë nuk jam larguar nga udhërimet e tua.

111 Porositë e tua janë trashëgimia ime përjetë; ato janë gëzimi i zemrës sime.

112 Jam zotuar me gjithë zemër për t’i zbatuar në praktikë statutet e tua përjetë, deri në fund.

113 Unë i urrej njerëzit që gënjejnë, por e dua ligjin tënd.

114 Ti je streha ime dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde.

115 Largohuni, o njerëz të këqij, sepse unë dua të respektoj urdhërimet e Perëndisë tim.

116 Më ndihmo sipas fjalës sate, që unë të jetoj, dhe të mos lejoj të ketë hutim në shpresën time.

117 Përforcomë dhe unë do të shpëtoj, dhe do t’i kem gjithnjë statutet e tua përpara syve të mi.

118 Ti i hedh poshtë të gjithë ata që largohen nga statutet e tua, sepse mashtrimi i tyre është gënjeshtër.

119 Ti zhduk si fundërrina tërë të pabesët e tokës; prandaj unë i dua porositë e tua.

120 Mishi im dridhet i tëri nga frika jote, dhe unë kam frikë nga dekretet e tua.

Psalmet 81-82

81 I këndoni me gëzim Perëndisë, forcës sonë; lëshoni britma gëzimi për Perëndinë e Jakobit.

Lartoni një këngë dhe i bini dajres, harpës melodioze bashkë me lirën.

I bini borisë ditën e hënës së re, ditën e hënës së plotë, ditën e festës sonë.

Sepse ky është një statut për Izraelin, një ligj i Perëndisë të Jakobit.

Ai e caktoi si një dëshmi te Jozefi, kur doli kundër vendit të Egjiptit. Atëherë unë dëgjova një gjuhë që nuk e kuptoja;

"O Izrael, unë e hoqa barrën nga shpatullat e tua; duart e tua e kanë lënë shportën.

Kur ishe keq ti më klithe mua dhe unë të çlirova; t’u përgjigja i fshehur në bubullimë, të vura në provë në ujërat e Meribas. (Sela)

Dëgjo, o populli im, dhe unë do të qortoj. O Izrael, sikur ti të më dëgjoje!

Mos pastë në mesin tënd asnjë perëndi të huaj dhe mos adhuro asnjë perëndi të huaj.

10 Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit; hap gojën tënde dhe unë do të ta mbush.

11 Por populli im nuk e ka dëgjuar zërin tim dhe Izraeli nuk më është bindur.

12 Prandaj i braktisa në ashpërsinë e zemrës së tyre, me qëllim që të ecnin sipas bindjeve të tyre.

13 Ah, sikur populli im të më dëgjonte, sikur Izraeli të ecte në rrugët e mia!

14 Do të poshtëroja menjëherë armiqtë e tij dhe do ta ktheja dorën time kundër kundërshtarëve të tij.

15 Ata që urrejnë Zotin do t’i nënshtroheshin dhe fati i tyre do të caktohej përjetë.

16 Dhe unë do ta ushqeja (Izraelin) me grurin më të mirë dhe do ta ngopja me mjaltin që pikon nga shkëmbi".

82 Perëndia rri në kuvendin e Perëndisë, ai gjykon në mes të perëndive.

Deri kur do të gjykoni padrejtësisht dhe do të mbani anët e të pabesëve? (Sela)

Mbroni të dobëtin dhe jetimin, sigurojini drejtësi të vuajturit dhe të varfërit.

Çlironi të mjerin dhe nevojtarin; shpëtojeni nga dora e të pabesit.

Ata nuk dinë asgjë dhe nuk kuptojnë asgjë, dhe ecin në terr; të gjitha themelet e tokës po luajnë.

Unë kam thënë: "Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit.

Megjithatë ju do të vdisni si njerëzit e tjerë dhe do të bini si çdo i fuqishëm tjetër".

Çohu, o Perëndi, gjyko tokën, sepse ti do të trashëgosh tërë kombet.

Nehemia 7:73-8:3

73 Kështu priftërinjtë, Levitët, derëtarët, këngëtarët, disa nga populli, Nethinejtë dhe tërë Izraelitët u vendosën në qytetet e tyre. Kur arriti muaji i shtatë, bijtë e Izraelit ishin në qytetet e tyre.

Atëherë tërë populli u mblodh si një njeri i vetëm në sheshin që ishte përpara portës së Ujërave; i thanë pastaj shkruesit Ezdra të sillte librin e ligjit të Moisiut, që Zoti i kishte dhënë Izraelit.

Ditën e parë të muajit të shtatë, prifti Ezdra solli ligjin para asamblesë së burrave, të grave dhe të gjithë atyre që ishin të aftë të kuptonin.

Pastaj e lexoi në sheshin që ndodhet përpara portës së Ujërave, nga agimi deri në mesditë përpara burrave, grave dhe atyre që ishin të aftë të kuptonin; dhe veshët e të gjithë popullit ndiqnin me vëmendje librin e ligjit.

Nehemia 8:5-18

Ezdra e hapi librin në prani të të gjithë popullit, sepse rrinte më lart se tërë populli; sa e hapi, tërë populli u ngrit në këmbë.

Ezdra bekoi Zotin, Perëndinë i madh, dhe tërë populli u përgjigj: "Amen, amen," duke ngritur duart; pastaj u përkulën dhe ranë përmbys me fytyrë për tokë përpara Zotit.

Jeshua, Bani, Sherebiahu, Jamini, Akubi, Shabethai, Hodijahu, Maasejahu, Kelita, Azaria, Jozabadi, Hanani, Pelajahu dhe Levitët e ndihmonin popullin të kuptonte ligjin, ndërsa populli rrinte në këmbë në vendin e tij.

Ata lexonin në librin e ligjit të Perëndisë në mënyrë të qartë, duke shpjeguar domethënien e tij, me qëllim që të kuptonin atë që lexohej.

Nehemia, që ishte qeveritari, Ezdra, prift dhe shkrues, dhe Levitët që e mësonin popullin i thanë tërë popullit: "Kjo ditë i shenjtërohet Zotit, Perëndisë tuaj; mos mbani zi dhe mos qani!". Tërë populli në fakt, duke dëgjuar fjalët e ligjit, qante.

10 Pastaj Nehemia u tha atyre: "Shkoni, hani, ushqime shumë të shijshme dhe pini verëra të ëmbla, dhe u çoni racione atyre që nuk kanë përgatitur asgjë, sepse kjo ditë i është shenjtëruar Zotit tonë. Mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është fuqia juaj".

11 Levitët e mbanin në heshtje tërë popullin, duke thënë: "Heshtni, sepse kjo ditë është e shenjtë. Mos u trishtoni!".

12 Atëherë tërë populli shkoi të hajë, të pijë, t’u dërgojë racione të varfërve dhe të kremtojë me hare të madhe, sepse ata i kishin kuptuar fjalët që u ishin shpjeguar.

13 Ditën e dytë, krerët e shtëpive atërore të të gjithë popullit, priftërinjtë dhe Levitët u mblodhën pranë Ezdras, shkruesit, për të dëgjuar fjalët e ligjit.

14 Gjetën të shkruar në ligj që Zoti kishte urdhëruar me anë të Moisiut që bijtë e Izraelit duhet të banonin në kasolle gjatë festës së muajit të shtatë,

15 dhe në të gjitha qytetet e tyre dhe në Jeruzalem duhet të përhapnin dhe të shpallnin një njoftim në të cilin të thuhej: "Shkoni në mal dhe sillni andej degë ulliri, degë ullastre, degë mërsine, degë palme dhe degë me gjethe të dendura, për të bërë kasolle, siç është shkruar".

16 Atëherë populli shkoi jashtë dhe solli degët, dhe i ndërtoi kasollet, kush mbi çatinë e shtëpisë së tij, kush në oborrin e tij, të tjerë në oborret e shtëpisë së Perëndisë, në sheshin e portës të Ujërave dhe në sheshin e portës së Efraimit.

17 Kështu tërë asambleja e atyre që ishin kthyer nga robëria ndërtoi kasolle dhe banoi në to. Nga koha e Jozueut, birit të Nunit, e deri në atë ditë, bijtë e Izraelit nuk kishin bërë asgjë të tillë. Dhe qe një gëzim shumë i madh.

18 Ezdra lexoi librin e ligjit të Perëndisë çdo ditë, nga dita e parë deri në ditën e fundit. E kremtuan festën shtatë ditë; ditën e tetë pati një asamble solemne, siç e kërkon ligji.

Zbulesa 18:21-24

21 Dhe një engjëll i fuqishëm ngriti një gur të madh me përmasat sa një mokër dhe e hodhi në det, duke thënë: “Me të njëjtin vrull do të hidhet Babilona, qyteti i madh, dhe nuk do të gjendet më;

22 dhe zëri i harpistëve, i muzikantëve, i fyelltarëve dhe borizanëve nuk do të dëgjohet më te ti; dhe çdo mjeshtër i çfarëdo eksperti i arteve nuk do të gjendet më te ti, dhe nuk do të dëgjohet më te ti zëri i gurit të mullirit.

23 Dhe dritë llambe nuk do të ndriçojë më në ty; edhe zë dhëndri dhe nuseje nuk do të dëgjohet më te ti; sepse tregtarët e tu ishin të mëdhenjtë e dheut, sepse gjithë kombet u mashtruan me magjinë tënde.

24 Sepse në të u gjet gjak profetësh dhe shenjtorësh, dhe i gjithë atyre që janë vrarë mbi dhe.”

Mateu 15:29-39

29 Pastaj, mbasi u nis që andej, Jezusi erdhi pranë detit të Galilesë, u ngjit në mal dhe u ul atje.

30 Dhe iu afruan turma të mëdha që sillnin me vete të çalë, të verbër, memecë, sakatë dhe shumë të tjerë; i ulën përpara këmbëve të Jezusit dhe ai i shëroi.

31 Turmat mrrekulloheshin kur shikonin se memecët flisnin, sakatët shëroheshin, të çalët ecnin dhe të verbërit shihnin; dhe lëvdonin Perëndinë e Izraelit.

32 Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha: “Unë kam mëshirë për turmën, sepse u bënë tri ditë që rri me mua dhe nuk ka asgjë për të ngrënë; nuk dua t’i nis të pangrënë, se mos ligështohen gjatë rrugës.”

33 Dhe dishepujt e tij i thanë: “Po ku mund të gjejmë në këtë vend të shkretë aq bukë sa të ngopim një turmë kaq të madhe?.”

34 Dhe Jezusi u tha atyre: “Sa bukë keni?.” Ata thanë: “Shtatë dhe pak peshq të vegjël.”

35 Atëherë ai u dha urdhër turmave që të uleshin për tokë.

36 Pastaj i mori shtatë bukët dhe peshqit, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të tij, dhe dishepujt turmës.

37 Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; dhe ngritën tepricën e copave, shtatë kosha plot.

38 Dhe ata që hëngrën ishin katër mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.

39 Pastaj, mbasi e lejoi turmën, hipi në barkë dhe u drejtua për në krahinën e Magdalas.