Book of Common Prayer
78 Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.
2 Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.
3 Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar,
4 nuk do t’ua fshehim bijve të tyre, por do t’i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.
5 Ai ka vendosur një dëshmi te Jakobi dhe ka vënë një ligj në Izrael, dhe ka urdhëruar etërit tanë që t’ua bëjnë të njohura bijve të tyre,
6 me qëllim që brezi i ardhshëm t’i njohë së bashku me bijtë që do të lindin; dhe këta nga ana e tyre t’ua tregojnë bijve të tyre,
7 dhe të vendosin te Perëndia besimin e tyre dhe të mos harrojnë veprat e Perëndisë, por të respektojnë urdhërimet e tij;
8 dhe të mos jenë si etërit e tyre, një brez kokëfortë dhe rebel, një brez me zemër të paqëndrueshme dhe me një frymë jo besnike ndaj Perëndisë.
9 Bijtë e Efraimit, njerëz të luftës, harkëtarë të zotë, kthyen shpinën ditën e betejës,
10 nuk respektuan besëlidhjen e Perëndisë dhe nuk pranuan të ecnin sipas ligjit të tij,
11 harruan veprat e tij dhe mrekullitë që u kishte treguar.
12 Ai bëri mrekulli në prani të etërve të tyre, në vendin e Egjiptit dhe në fushën e Tsoanit.
13 Ai e ndau detin dhe i bëri të kalojnë në mes të tij, dhe i mblodhi ujërat si një grumbull.
14 Ditën drejtoi me anë të resë dhe tërë natën me një dritë zjarri.
15 I çau shkëmbinjtë në shkretëtirë dhe i bëri të pijnë boll, si të ishte uji i humnerës së madhe.
16 Nxori rrëket nga shkëmbi dhe bëri që të rridhnin ujëra si lumenj.
17 Por ata vazhduan të mëkatojnë kundër tij dhe të ngrejnë krye kundër Shumë të Lartit në shkretëtirë,
18 dhe e tunduan Perëndinë në zemër të tyre, duke kërkuar ushqim sipas dëshirave të tyre.
19 Dhe folën kundër Perëndisë, duke thënë: "A mund të shtrojë Perëndia një sofër në shkretëtirë?
20 Ja, ai e goditi shkëmbin dhe prej tij dolën ujëra dhe vërshuan përrenj. A mund t’i japë bukë dhe mish popullit të tij?
21 Dhe kështu Zoti i dëgjoi dhe u zemërua fort, dhe një zjarr u ndez kundër Jakobit dhe zemërimi kundër Izraelit u ndez,
22 sepse nuk i kishin besuar Perëndisë dhe nuk kishin pasur besim në shpëtimin prej tij.
23 Megjithatë ai i urdhëroi retë e sipërme dhe hapi dyert e qiellit,
24 dhe bëri që mbi ta të binte mana për të ngrënë dhe u dha atyre grurin e qiellit.
25 Njeriu hëngri bukën e engjëjve; ai u dërgoi atyre ushqime sa të ngopeshin.
26 Ai bëri të ngrihet në qiell era e lindjes dhe në sajë të fuqisë së tij bëri të ngrihet era e jugut,
27 bëri të binin mbi ta mish si pluhuri dhe zogj si rëra e detit.
28 Bëri që këto të binin në mes të kampit të tyre, rreth çadrave të tyre.
29 Kështu ata hëngrën sa u ngopën, sepse Perëndia u kishte siguruar atyre atë që ata kishin dëshiruar.
30 Ata nuk kishin akoma kënaqur pangopësinë e tyre dhe kishin akoma ushqim në gojë,
31 kur zemërimi i Perëndisë shpërtheu kundër tyre, vrau më të fuqishmit prej tyre dhe rrëzoi më të mirët e Izraelit.
32 Megjithatë ata vazhduan të mëkatojnë dhe nuk u besuan mrekullive të tij.
33 Atëherë ai harxhoi ditët e tyre në kotësi dhe vitet e tyre në tmerre të papritura.
34 Kur i vriste, ata e kërkonin dhe ktheheshin të kërkonin Perëndinë me zell.
35 Kujtoheshin që Perëndia ishte Kështjella e tyre dhe që Perëndia shumë i larti ishte Shpëtimtari i tyre.
36 Por ata e mashtronin me gojën e tyre dhe e gënjenin me gjuhën e tyre.
37 Në fakt zemra e tyre nuk ishte e qëndrueshme ndaj tij dhe ata nuk ishin besnikë ndaj besëlidhjes së tij.
38 Por ai, që është i mëshirshëm, ua fali paudhësinë e tyre dhe nuk i shkatërroi, dhe shumë herë përmbajti zemërimin e tij dhe nuk e la indinjatën e tij të shpërthejë,
39 duke mbajtur mend që ata ishin mish, një frymë që kalon dhe nuk kthehet më.
40 Sa herë provokuan indinjatën e tij në shkretëtirë dhe e hidhëruar në vetmi!
41 Po, ata iu drejtuan Perëndisë shumë herë dhe përsëri e provokuan të Shenjtin e Izraelit.
42 Nuk e kujtuan më fuqinë e tij as ditën që i kishte çliruar nga armiku,
43 kur ai kishte bërë mrekullitë e tij në Egjipt dhe në fushën e Tsoanit;
44 i kishte shndërruar lumenjtë dhe rrjedhat e ujit të Egjiptasve në gjak, me qëllim që të mos pinin dot.
45 Kishte dërguar kundër tyre mizëri mizash që t’i hanin dhe bretkosa që t’i shkatërronin.
46 Ua kishte dhënë të korrat e tyre krimbave dhe frytin e mundit të tyre karkalecave.
47 I kishte shkatërruar vreshtat e tyre me breshër dhe fiqtë e tyre të Egjiptit me ngrica.
48 Kishte braktisur bagëtinë e tyre në mëshirë të breshërit dhe kopetë e tyre në mëshirë të rrufeve.
49 Kishte lëshuar mbi ta zjarrin e zemërimit të tij, indinjatën, inatin dhe fatkeqësinë, një turmë lajmëtarësh të fatkeqësisë.
50 I kishte hapur udhën zemërimit të tij dhe nuk i kishte kursyer nga vdekja, por ia kishte braktisur jetën e tyre murtajës.
51 I kishte goditur në Egjipt gjithë të parëlindurit dhe prodhimet e para në çadrat e Kamit.
52 Por e kishte bërë popullin e tij të ikte si bagëtia dhe e kishte çuar nëpër shkretëtirë sikur të ishte një kope.
53 I kishte udhëhequr me siguri dhe ata nuk patën frikë, por deti i kishte përpirë armiqtë e tyre.
54 Dhe ai i solli kështu në tokën e tij të shenjtë, në malin që dora e djathtë e tij kishte pushtuar.
55 I dëboi kombet para tyre dhe u caktoi atyre me short trashëgiminë, dhe bëri që fiset e Izraelit të banonin në çadrat e tyre.
56 Por ata u orvatën dhe provokuan indinjatën e Perëndisë shumë të lartë dhe nuk respektuan statutet e tij.
57 U tërhoqën madje prapa dhe u suallën në mënyrë të pabesë ashtu si etërit e tyre, dhe devijuan si një hark që gabon;
58 provokuan zemërimin e tij me vendet e tyre të larta dhe e bënë ziliqar me skulpturat e tyre.
59 Perëndia dëgjoi dhe u zemërua, dhe ndjeu një neveri të madhe për Izraelin.
60 Kështu ai braktisi tabernakullin e Shilohut, çadrën që kishte ngritur midis njerëzve;
61 dhe e la forcën e tij të bjerë rob dhe lavdinë e tij në dorë të armikut.
62 Ia braktisi popullin e tij shpatës dhe u zemërua shumë kundër trashëgimisë së tij.
63 Zjarri i konsumoi të rinjtë e tyre dhe virgjëreshat e tyre nuk patën asnjë këngë dasme.
64 Priftërinjtë e tyre u vranë nga shpata dhe gratë e reja nuk mbajtën zi.
65 Pastaj Zoti u zgjua si nga gjumi, ashtu si një trim që bërtet nën ndikimin e verës.
66 I goditi armiqtë e tij në kurriz dhe i mbuloi me një turp të përjetshëm.
67 Hodhi poshtë çadrën e Jozefit dhe nuk zgjodhi fisin e Efraimit,
68 por zgjodhi fisin e Judës, malin e Sionit, që ai e do.
69 Ndërtoi shenjtëroren e tij, ashtu si vëndet shumë të larta, ashtu si tokat që ka krijuar përjetë.
70 Dhe zgjodhi Davidin, shërbëtorin e tij, dhe e mori nga vatha e dhenve,
71 dhe e mori nga delet që mëndnin për të kullotur Jakobin, popullin e tij dhe Izraelin, trashëgiminë e tij.
72 Dhe ai bëri që të kullosnin me ndershmërinë e zemrës së tyre dhe i udhëhoqi me shkathtësinë e duarve të tij.
26 Megjithatë ata u treguan të pabindur, u rebeluan kundër teje, e hodhën ligjin tënd prapa krahëve, vranë profetët e tu që u bënin thirrje të riktheheshin te ti dhe kryen gjëra blasfeme.
27 Prandaj ti i dhe në duart e armiqve të tyre, që i shtypën; por në kohën e fatkeqësisë së tyre ata klithën te ti, dhe ti i dëgjove nga qielli, dhe ti, me dhembshurinë tënde të madhe, u dhe atyre disa çlirimtarë që i shpëtuan nga duart e armiqve të tyre.
28 Por kur ata kishin paqe, fillonin përsëri të bënin të keqen përpara teje; prandaj ti i braktise në duart e armiqve të tyre, që i sundonin; megjithatë, kur përsëri këlthitnin, ti i dëgjoje nga qielli, kështu që në shpirtmadhësinë tënde i ke çliruar shumë herë.
29 Ti i nxisje të ktheheshin në ligjin tënd, por ata bëheshin krenarë dhe nuk u bindeshin urdhërimeve të tua, dhe mëkatonin kundër dekreteve të tua me anën e të cilëve, në qoftë se dikush i zbaton në praktikë, shpëton jetën; hiqnin shpatullat e tyre nga zgjedha, e fortësonin zverkun e tyre dhe kundërshtonin të bindeshin.
30 Pate durim me ta shumë vjet me radhë, duke i nxitur me Frymën tënde dhe me gojën e profetëve të tu, por ata nuk deshën të të dëgjojnë; atëherë ti i dhe në duart e popujve të vendeve të ndryshme.
31 Por në mëshirën tënde të madhe nuk i shkatërrove plotësisht dhe nuk i braktise, sepse je një Perëndi zemërbutë dhe i mëshirshëm.
32 Tani pra, o Perëndia ynë, Perëndia i madh, i fuqishëm dhe i tmerrshëm, që respekton besëlidhjen dhe mëshirën të mos të duket para teje si gjë e vogël fatkeqësia që ka rënë mbi ne, mbi mbretërit tanë, mbi krerët tanë, mbi priftërinjtë tanë, mbi profetët tanë, mbi prindërit tanë dhe mbi tërë popullin tënd, nga koha e mbretërve të Asirisë e deri në ditën e sotme.
33 Megjithatë ti ke qenë i drejtë në të gjitha gjërat që na kanë ndodhur, sepse ti ke vepruar me besnikëri, ndërsa ne kemi vepruar me pabesi.
34 Mbretërit tanë, krerët tanë, priftërinjtë tanë dhe etërit tanë nuk kanë zbatuar në praktikë ligjin tënd dhe as që u janë bindur urdhërimeve dhe porosive me të cilat i nxitje.
35 Edhe kur të gjendeshin në mbretërinë e tyre, në mirëqënien e madhe që ti u kishe siguruar atyre dhe në vendin e gjerë dhe pjellor që ti u kishe vënë në dispozicion, nuk të shërbyen dhe nuk i braktisën veprimet e tyre të këqija.
36 Dhe ja, sot jemi skllevër! jemi skllevër në vendin që u kishe dhënë etërve tanë, që të hanin frytet e tij dhe të gëzonin të mirat.
37 Kështu prodhimet e bollshme të tij u shkojnë mbretit që ti ke vendosur mbi ne për shkak të mëkateve tona; ata sundojnë trupat tona dhe mbi bagëtinë tonë ashtu si duan; dhe ne ndodhemi në ankth të madh.
38 Për shkak të gjithë kësaj, ne marrim një zotim të vendosur dhe e vëmë me të shkruar; dhe krerët tanë, Levitët tanë dhe priftërinjtë tanë do të vënë vulën e tyre mbi të.
9 Dhe do ta qajnë atë dhe do të vajtojnë për të mbretërit e dheut, ata që u kurvëruan me të dhe u dhanë pas epsheve me të, kur të shohin tymin e zjarrit të saj;
10 ata do të qëndrojnë larg nga frika e mundimit të saj, duke thënë: “Mjerë, mjerë Babilona, qyteti i madh, qyteti i fuqishëm, sepse në një moment erdhi gjyqi yt!.”
11 Edhe tregtarët e dheut do të qajnë dhe do të vajtojnë për të, sepse askush nuk do të blejë më mallrat e tyre:
12 mallra prej ari dhe argjendi, gurë të çmuar dhe margaritarë, pëlhura liri dhe purpri, mendafshi e të kuqeje, dhe gjithfarë drurësh erëmirë, e gjithfarë sendesh fildishi dhe druri shumë të çmuar, bronzi, hekuri dhe mermeri,
13 dhe kanellë, dhe parfume, vajra erëmirë, temian, verë, vaj, majë mielli, grurë, gjë e gjallë, dhen, kuaj, qerre, trupa e shpirtra njerëzish.
14 Dhe fryti i dëshirës së shpirtit tënd ikën prej teje, dhe të gjitha gjërat e pasura dhe të shkëlqyerat ikën prej teje dhe ti nuk do t’i gjesh më kurrë.
15 Tregtarët e këtyre gjërave, që u pasuruan prej saj, do të rrijnë larg për shkak të frikës së mundimit të saj, dhe do të qajnë dhe do të vajtojnë,
16 duke thënë: “Ah! Ah! Qyteti i madh, që ishte veshur me li të hollë, me të purpurta e të kuqe të ndezur, dhe e stolisur me ar, dhe me gurë të çmuar dhe me margaritarë! Sepse në një moment u shkatërrua një pasuri kaq e madhe!.”
17 Të gjithë kapitenët, të gjithë pasagjerët dhe detarët, dhe të gjithë ata që tregtojnë nëpërmjet detit do të qëndrojnë nga larg
18 dhe, duke parë tymin e zjarrit të saj, do të klithin: “Cili qytet i përngjante këtij qyteti të madh?.”
19 Dhe do të hedhin pluhur mbi kryet, do të bërtasin, duke qarë e duke vajtuar, duke thënë: “Ah! Ah! Qyteti i madh, në të cilën u pasuruan të gjithë ata që kishin anije në det nga mrekullia e saj, sepse për një moment u shkretua!
20 Gëzohu përmbi të, o qiell, dhe ju apostuj të shenjtë dhe profetë, sepse Perëndia duke e gjykuar vuri në vend drejtësinë.”
21 Pastaj Jezusi, pasi u largua që andej, u nis drejt rrethinave të Tiros dhe të Sidonit.
22 Dhe ja, një grua kananease, që kishte ardhur nga ato anë, filloi të bërtasë duke thënë: “Ki mëshirë për mua, o Zot, o Bir i Davidit! Vajza ime është tmerrësisht e pushtuar nga një demon!.”
23 Por ai nuk iu përgjigj fare. Dhe dishepujt e tij iu afruan dhe iu lutën duke thënë: “Lëshoje atë, sepse po bërtet pas nesh.”
24 Por ai u përgjigj dhe tha: “Unë nuk jam dërguar gjetiu, përveç te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.”
25 Por ajo erdhi dhe e adhuroi, duke thënë: “O Zot, ndihmomë!.”
26 Ai u përgjigj, duke thënë: “Nuk është gjë e mirë të marrësh bukën e fëmijëve dhe t’ua hedhësh këlyshëve të qenve.”
27 Por ajo tha: “Éshtë e vërtetë, Zot, sepse edhe këlyshët e qenve hanë thërrimet që bien nga tryeza e zotërinjve të tyre.”
28 Atëherë Jezusi iu përgjigj duke thënë: “O grua, i madh është besimi yt! T’u bëftë ashtu si dëshiron.” Dhe që në atë çast e bija u shërua.