Book of Common Prayer
69 Shpëtomë, o Perëndi, se ujërat më kanë arritur deri në grykë.
2 Jam zhytur në një batak të thellë dhe nuk gjej asnjë pikë mbështetjeje; kam arritur në ujëra të thella dhe rryma më rrëmben me vete.
3 Jam lodhur duke bërtitur, gryka më është tharë; sytë e mi konsumohen në pritje të Perëndisë tim.
4 Ata që më urrejnë pa shkak janë më të shumtë se flokët e mi; janë të fuqishëm ata që duan të më shkatërrojnë dhe që janë pa të drejtë armiq të mi; jam i detyruar të kthej atë që nuk kam vjedhur.
5 O Perëndi, ti e di marrëzinë time dhe fajet e mia nuk të janë fshehur.
6 Mos u ngatërrofshin për shkakun tim ata që kanë shpresë te ti, o Zot, Zoti i ushtrive; mos u turpërofshin për shkakun tim ata që të kërkojnë, o Perëndi i Izraelit.
7 Për hir të dashurisë sate unë po heq një poshtërim dhe turpi më mbulon fytyrën.
8 Unë jam i bërë një i huaj për vëllezërit e mi dhe për bijtë e nënes sime.
9 Sepse zelli i shtëpisë sate më ka përpirë dhe fyerjet e rënda të atij që të fyen kanë rënë mbi mua.
10 Kam qarë duke pikëlluar shpirtin tim me agjërim, por kjo më ka sjellë çnderim.
11 Kam veshur madje si rroba një thes, por u bëra për ta objekt talljeje.
12 Ata që ulen te porta flasin për mua, dhe u bëra kënga e pijanecëve.
13 Por sa për mua, o Zot, lutja ime të drejtohet ty, o Zot, në kohë të pranueshme; në dhembshurinë tënde të madhe përgjigjmu, o Perëndi, në shpëtimin tënd të siguruar.
14 Më nxirr nga bataku që të mos fundosem në të, dhe bëj që të çlirohem nga ata që më urrejnë dhe nga ujërat e thella.
15 Mos më mbuloftë rryma e ujërave, mos më përpiftë humnera dhe mos u mbylltë gryka e pusit mbi mua.
16 Përgjigjmu, o Zot, sepse mirësia jote është e çmuar; në dhembshuritë e tua të mëdha sillu nga unë.
17 Mos e fshih fytyrën tënde nga shërbëtori yt, sepse jam në ankth; nxito të më përgjigjesh.
18 Afrohu te unë dhe më shpjego; çliromë nga armiqtë e mi.
19 Ti e njeh poshtërsinë time, turpin tim dhe çnderimin tim; armiqtë e mi janë të gjithë para teje.
20 Fyerja e rëndë më ka copëtuar zemrën dhe jam plot hidhërime; prita dikë që të më përdëllentë por më kot; prita dikë që të më ngushëllonte, por nuk u paraqit asnjë.
21 Më dhanë përkundrazi vrer në vend të ushqimit dhe për të ma shuar etjen më dhanë për të pirë uthull.
22 U bëftë tryeza e tyre një lak para tyre, dhe begatia e tyre një kurth.
23 Ju errshin sytë atyre kështu që të mos shohin më, dhe bëj që ijët e tyre të lëkunden vazhdimisht.
24 Zbraz mbi ta zemërimin tënd dhe i zëntë zjarri i indinjatës sate.
25 Banesa e tyre u shkretoftë dhe askush mos banoftë në çadrat e tyre,
26 sepse përndjekin atë që ti ke goditur dhe flasin me kënaqësi për dhembjen e atyre që ti ke plagosur.
27 Shto këtë faj fajit të tyre dhe mos arrifshin kurrë të kenë pjesë në drejtësinë tënde.
28 U shofshin nga libri i jetës dhe mos u shkrofshin midis të drejtëve.
29 Tani jam i hidhëruar dhe i dëshpëruar; shpëtimi yt, o Perëndi, më lartoftë.
30 Unë do ta kremtoj emrin e Perëndisë me një këngë, dhe do ta madhështoj me lavde.
31 Dhe kjo do t’i pëlqejë Zotit më tepër se një ka o një dem me brirë dhe thonj.
32 Njerëzit e përulur do të shohin dhe do të gëzohen; dhe për ju që kërkoni Perëndinë, u përtëriftë zemra juaj.
33 Sepse Zoti kënaq nevojtarët dhe nuk përçmon robërit e tij.
34 E mburrshin qiejtë dhe toka, detet dhe gjithçka lëviz në to.
35 Sepse Perëndia do të shpëtojë Sionin dhe do të rindërtojë qytetet e Judës; atëherë ata do të banojnë në to dhe do t’i zotërojnë.
36 Dhe pasardhësit e shërbëtorëve të tij do të kenë trashëgiminë dhe ata që e duan emrin e tij do të banojnë aty.
73 Me siguri Perëndia është i mirë me Izraelin, me ata që janë të pastër nga zemra.
2 Por, sa për mua, gati gati po më pengoheshin këmbët dhe për pak hapat e mia do të shkisnin.
3 Sepse i kisha zili mburravecët, duke parë mirëqënien e njerëzve të këqij.
4 Sepse nuk ka dhembje në vdekjen e tyre, dhe trupi i tyre është i majmë.
5 Ata nuk po heqin si vdekatarët e tjerë, as pësojnë goditje si njerëzit e tjerë.
6 Prandaj kryelartësia i rrethon si një gjerdan dhe dhuna i mbështjell si një rrobe.
7 Sytë u dalin jashtë nga dhjami dhe përfytyrimet e çoroditura të zemrës së tyre vërshojnë.
8 Ata tallen dhe kurdisin me pabesi shtypjen, flasin me arrogancë.
9 E drejtojnë gojën e tyre kundër qiellit dhe gjuha e tyre përshkon tokën.
10 Prandaj njerëzit e tyre kthehen nga ajo anë dhe pijnë me të madhe ujërat e tyre,
11 dhe thonë: "Si është e mundur që Perëndia të dijë çdo gjë dhe të ketë njohuri te Shumë i Larti?".
12 Ja, këta janë të pabesë; megjithatë janë gjithnjë të qetë dhe i shtojnë pasuritë e tyre.
13 Më kot, pra, pastrova zemrën time dhe i lava duart në pafajësinë time.
14 Sepse jam goditur tërë ditën dhe jam ndëshkuar çdo mëngjes.
15 Sikur të kisha thënë: "Do të flas edhe unë kështu," ja, do të kisha mohuar brezin e bijve të tu.
16 Atëherë kërkova ta kuptoj këtë gjë, por ajo m’u duk shumë e vështirë.
17 Deri sa hyra në shenjtoren e Perëndisë dhe mora parasysh fundin e tyre.
18 Me siguri, ti i vë në vënde të rrëshqitshme dhe kështu i bën që të bien në shkatërrim.
19 Si u shkatërruan në një çast! Ata vdiqën të konsumuar nga tmerri!
20 Ashtu si në një ëndërr, kur zgjohesh, kështu edhe ti, o Zot, kur të zgjohesh, do të përbuzësh pamjen e tyre të kotë.
21 Kur zemra ime acarohej dhe e ndjeja veten sikur më shponin nga brenda,
22 unë isha pa mend dhe pa kuptim; para teje isha si një kafshë.
23 Por megjithatë unë jam gjithnjë me ty; ti më ke kapur nga dora e djathtë.
24 Ti do të më udhëheqësh me këshillën tënde dhe do të më çosh pastaj në lavdi.
25 Cilin kam në qiell veç teje? Dhe mbi tokë nuk dëshiroj tjetër njeri veç teje.
26 Mishi im dhe zemra ime nuk mund të ligështohen, por Perëndia është kështjella e zemrës sime dhe pjesa ime në përjetësi.
27 Sepse ja, ata që largohen prej teje do të vdesin; ti shkatërron tërë ata që, duke kurvëruar, largohen prej teje.
28 Por sa për mua, e mira është t’i afrohem Perëndisë; e kam bërë Zotin tim, Zotin, strehën time, për të treguar gjithë veprat e tua.
27 I bekuar qoftë Zoti, Perëndia i etërve tanë, që i ka shtënë një gjë të tillë zemrës së mbretit, që të zbukurojë shtëpinë e Zotit që është në Jeruzalem,
28 dhe më bëri të gëzoj favoret te mbreti, këshilltarët e tij dhe të tërë princat e fuqishëm mbretërorë. Kështu e ndjeva veten të trimëruar, sepse dora e Zotit, Perëndisë tim, ishte mbi mua, dhe mblodha krerët e Izraelit që të niseshin me mua.
21 Aty, pranë lumit Ahava, unë shpalla një agjerim për t’u përulur përpara Perëndisë tonë, për t’i kërkuar një udhëtim të sigurt për ne, për fëmijët tanë dhe për të gjitha pasuritë tona.
22 Në fakt unë kisha turp t’i kërkoja mbretit një roje ushtarësh dhe kalorësish që të na mbronte nga armiku gjatë udhëtimit, sepse i kishim thënë mbretit: "Dora e Perëndisë tonë është mbi të gjithë ata që kërkojnë për të mirën e tyre, por fuqia e tij dhe zemërimi i tij janë kundër të gjithë atyre që e braktisin".
23 Kështu ne agjeruam dhe iu lutëm Perëndisë tonë për këtë arësye, dhe ai e dëgjoi lutjen tonë.
24 Atëherë unë zgjodha dymbëdhjetë nga krerët e priftërinjve: Sherebiahun, Hashabiahun dhe bashkë me ta dhjetë nga vëllezërit e tyre,
25 dhe u peshova atyre argjendin, arin, veglat, që ishin oferta e bërë për shtëpinë e Perëndisë tonë nga mbreti, nga këshilltarët dhe nga paria e tij, dhe nga të gjithë Izraelitët që ndodheshin atje.
26 Në duart e tyre peshova gjithashtu gjashtëqind e pesëdhjetë talenta argjendi, vegla prej argjendi me një vlerë prej njëqind talentash, njëqind talenta ari,
27 njëzet kupa ari me një vlerë prej një mijë darikë, dy enë prej bronzi të hollë dhe të shndritshëm, i çmueshëm si ari.
28 Pastaj u thashë atyre: "Ju i jeni shenjtëruar Zotit; edhe përdorëset janë të shenjta, dhe argjendi dhe ari janë një ofertë vullnetare për Zotin, Perëndinë e etërve tuaj.
29 Kini kujdes dhe ruajini deri sa t’i peshoni përpara krerëve të priftërinjve, Levitëve dhe të parëve të shtëpive atërore të Izraelit në Jeruzalem, në dhomat e shtëpisë të Zotit".
30 Kështu priftërinjtë dhe Levitët morën argjendin, arin dhe veglat që u peshuan atëherë, për t’i çuar në Jeruzalem në shtëpinë e Perëndisë tonë.
31 Ditën e dymbëdhjetë të muajit të parë u nisëm nga lumi Ahava për të shkuar në Jeruzalem; dora e Perëndisë tonë ishte mbi ne dhe gjatë udhëtimit na liroi nga armiku dhe nga pritat e tij.
32 Arritëm kështu në Jeruzalem dhe qëndruam tri ditë atje.
33 Ditën e katërt në shtëpinë e Perëndisë tonë, u peshuan argjendi, ari dhe veglat në duart e Meremothit, birit të priftit Uriah, me të cilin ishte Eleazari, bir i Finehasit, dhe me ta Levitët Jozabad, bir i Jeshuas, dhe Noadiahu, bir i Binuit.
34 U njëhsua dhe u peshua çdo gjë; dhe pesha e të gjitha gjërave u vu me shkrim.
35 Të mërguarit që u kthyen nga robëria, i ofruan si olokauste Perëndisë të Izraelit dymbëdhjetë dema për tërë Izraelin, nëntëdhjetë e gjashtë desh, shtatëdhjetë e shtatë qengja dhe dymbëdhjetë cjep si flijim për mëkatin, e tërë kjo si olokaust për Zotin.
36 Pastaj ua dorëzuan dekretet e mbretit satrapëve të mbretit dhe qeveritarëve të krahinës matanë Lumit, dhe këta ndihmuan popullin dhe shtëpinë e Perëndisë.
15 Pastaj pashë në qiell një shenjë tjetër të madhe dhe të mrekullishme: shtatë engjëj që kishin shtatë plagët e fundit, sepse me to u krye zemërimi i Perëndisë.
2 Dhe pashë një si det të qelqtë, të përzier me zjarr dhe në këmbë mbi detin e qelqtë, ata që kishin mundur bishën, figurën e saj, dhe damkën e saj edhe numrin e emrit të saj. Ata kishin qestet e Perëndisë,
3 dhe këndonin këngën e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, dhe këngënn e Qengjit, duke thënë: “Të mëdha dhe të mrekullueshme janë veprat e tua, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm; të drejta dhe të vërteta janë udhët e tua, o Mbret i kombeve.
4 Kush nuk do të të druajë, o Zot, dhe nuk do të lëvdojë emrin tënd? Sepse vetëm ti je i Shenjtë; sepse të gjitha kombet do të vijnë dhe do të adhurojnë përpara teje, sepse gjykimet e tua u shfaqën.”
5 Dhe pas këtyre gjërave unë pashë dhe ja, u hap në qiell tempulli i tabernakullit të dëshmisë.
6 Dhe të shtatë engjëjt, që kishin të shtatë plagët, dolën nga tempulli, të veshur me lin të pastër dhe të shndritshëm, dhe të ngjeshur përreth gjoksit me breza ari.
7 Një nga të katër qeniet e gjalla u dha të shtatë engjëjve shtatë kupa ari, plot me zemërimi i Perëndisë, që rron në shekuj të shekujve.
8 Dhe tempulli u mbush me tym nga lavdia e Perëndisë dhe nga fuqia e tij; dhe askush nuk mund të hynte në tempull, derisa të mbaroheshin të shtatë plagët e të shtatë engjëjve.
13 Kur Jezusi i dëgjoi këto, u nis që andej me një barkë dhe u tërhoq në vetmi, në një vend të shkretë. Dhe turmat, kur e morën vesh, e ndiqnin në këmbë nga qytetet.
14 Dhe Jezusi, kur doli nga barka, pa një turmë të madhe, pati dhembshuri për të dhe shëroi ata që ishin të sëmurë.
15 Pastaj në mbrëmje dishepujt e tij iu afruan dhe i thanë: “Ky vend është i shkretë dhe u bë vonë; lejo turmat të shkojnë nëpër fshatra për të blerë ushqime.”
16 Por Jezusi u tha atyre: “Nuk është nevoja të shkojnë; u jepni juve të hanë.”
17 Dhe ata i thanë: “Ne këtu nuk kemi tjetër përveç pesë bukë dhe dy peshq.”
18 Dhe ai u tha: “M’i sillni këtu.”
19 Atëherë i urdhëroi që turmat të ulen mbi bar; pastaj i mori pesë bukët dhe dy peshqit dhe, pasi i çoi sytë drejt qiellit, i bekoi; i ndau bukët dhe ua dha dishepujve, dhe dishepujt turmave.
20 Dhe të gjithë hëngrën dhe u ngopën; pastaj dishepujt mblodhën tepricat në dymbëdhjetë kosha plot.
21 Dhe ata që hëngrën ishin rreth pesë mijë burra, pa i numëruar gratë dhe fëmijët.