Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 56-58

56 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sepse njerëzit do të donin të më përpijnë; më luftojnë vazhdimisht me sulmet e tyre.

Armiqtë e mi do të donin vazhdimisht të më përpijnë. Po, janë të shumtë ata që më luftojnë në kryelartësinë e tyre.

Kur të kem frikë, do të mbështetem te ti.

Me ndihmën e Perëndisë do të kremtoj fjalën e tij; kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?

Ata i shtrëmbërojnë vazhdimisht fjalët e mia; gjithë mendimet e tyre synojnë të më bëjnë të keq.

Mblidhen tok, rrinë në pritë; ruajnë hepat e mia, në pritje që të më marrin jatën.

Ata mendojnë të shpëtojnë me anë të ligësisë; në zemërimin tënd, o Perëndi, hidhi për tokë popujt.

Ti i ke numëruar hapat e bredhjes sime; vendosi lotët e mia në calikun tënd; a nuk i ke regjistruar në librin tënd?

Ditën që do të të thërrasë ty, armiqtë e mi do të kthejnë krahët. Këtë e di, sepse Perëndia është për mua.

10 Me ndihmën e Perëndisë do të kremtoj fjalën e tij; me ndihmën e Zotit do të kremtoj fjalën e tij.

11 Kam vënë besimin tim te Perëndia, nuk do të kem frikë. Çfarë mund të më bëjë njeriu?

12 Kushtet që kam lidhur me ty, o Perëndi, më detyrojnë. Do të të lëvdoj.

13 Sepse ti ke çliruar shpirtin tim nga vdekja dhe ke ruajtur këmbët e mia nga rënia, në mënyrë që unë të eci përpara Perëndisë në dritën e të gjallëve.

57 Ki mëshirë për mua, o Perëndi, ki mëshirë për mua, sepse shpirti im gjen strehë te ti; gjej strehë në hijen e krahëve të tu deri sa të kalojnë fatkeqësitë.

Unë do t’i thërras Perëndisë, Shumë të Lartit, Perëndisë që kryen çdo gjë për mua.

Ai do të dërgojë nga qielli për të më shpëtuar, ai qorton ashpër atë që dëshiron të më përpijë. (Sela) Perëndia do të dërgoj mirësinë e tij dhe të vërtetën e tij.

Shpirti im është si në mes të luanëve; banoj midis njerëzve që vjellin zjarr, midis njerëzve dhëmbët e të cilëve janë shtiza dhe shigjeta, dhe gjuha e tyre është një shpatë e mprehur mirë.

U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; shkëlqeftë lavdia jote mbi të gjithë tokën.

Ata kanë shtrirë një rrjetë mbi hapat e mia; unë jam i tëri i kërrusur; kanë hapur një gropë para meje, por ata vetë ranë brenda. (Sela)

Zemra ime është e prirur mirë, o Perëndi, zemra ime është e prirur mirë; unë do të këndoj dhe do të lëvdoj.

Rizgjohu, fryma ime; rizgjohuni, psaltir dhe qeste; unë do të rizgjoj agimin.

Do të të kremtoj midis popujve, o Zot, do të këndoj lavdet e tua midis kombeve,

10 sepse e madhe deri në qiell është mirësia jote, dhe e vërteta jote arrin deri në retë.

11 U lartofsh mbi qiejtë, o Perëndi; lavdia jote shkëlqeftë mbi të gjithë tokën.

58 A flisni pikërisht sipas drejtësisë ju, o të fuqishëm? A gjykoni ju drejt, o bij të njerëzve?

Në zemrën tuaj ju bluani përkundrazi të keqen; duart tuaja përhapin dhunën mbi tokë.

Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje.

Helmi i tyre i ngjan helmit të gjarprit; janë si gjarpri helmues i shurdhër që i zë veshët e vet,

për të mos dëgjuar zërin e magjistarëve apo të atij që është i aftë të bëjë magji.

O Perëndi, thyej dhëmbët e tyre në gojë; o Zot, thyej dhëmbët e luanëve.

U shkrifshin si uji që rrjedh. Kur gjuan shigjetat e tij, ato u bëfshin si shigjeta pa majë.

U bëfshin si kërmilli që shkrihet ndërsa po shkon; si dështimi i gruas mos pafshin diellin.

Para se tenxheret tuaja të ndjejnë zjarrin e ferrishteve, qofshin këto të blerta apo të ndezura, ai do t’i heqë tutje si një vorbull.

10 I drejti do të gëzohet duke parë hakmarrjen; do të lajë këmbët në gjakun e të pabesit.

11 Dhe njerëzia do të thotë: "Me siguri ka një shpërblim për të drejtin; me siguri ka një Perëndi që gjykon mbi tokë".

Psalmet 64-65

64 Dëgjo zërin tim, o Perëndi, në vajtimin që të drejtoj ty; ruaje jetën time nga tmerri i armikut.

Më fshih nga dredhitë e njerëzve të këqij dhe nga turma zhurmëmadhe e atyre që kryejnë paudhësi.

Këta e mprehin gjuhën e tyre si një shpatë, dhe në vend të shigjetave lëshojnë fjalë të hidhura

për të goditur fshehurazi të pafajmin; e godasin papritur pa asnjë frikë.

I japin zemër njeri tjetrit në veprime të liga; flasin si të na vënë kurthe dhe thonë: "Kush ka për t’i parë?".

Kurdisin gjëra të këqija dhe thonë: "Kemi përgatitur një plan të përsosur". Mendimet e fshehura dhe zemra e njeriut janë të panjohëshme.

Por Perëndia do të hedhë kundër tyre shigjetat e tij dhe ata do të rrëzohen papritur.

Ata do të bien dhe e keqja që kanë bërë gjuhët e tyre do të bjerë mbi ta; kushdo që ka për t’i parë do të tundë kokën.

Atëherë tërë njerëzit do të kenë frikë dhe do të tregojnë veprën e Perëndisë, dhe do të njohin atë që ai ka bërë.

10 I drejti do të gëzohet tek Zoti dhe do të kërkojë strehë tek ai, dhe të gjihë të drejtët nga zemra do të përlëvdohen.

65 Ty, o Perëndi, të përket lëvdimi në Sion; dhe do të kryhen zotimet para teje.

Te ti, që plotëson lutjen, do të vijë çdo krijesë.

Mëkatet më kishin mundur, por ti siguron faljen për shkeljet tona.

Lum ai njeri që ti e zgjedh dhe e afron pranë vetes, që të banojë në oborret e tua; ne do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate, me gjërat e shenjta të tempullit tënd.

Në drejtësinë tënde, ti na përgjigjesh me vepra të tmerrshme, o Perëndia i shpëtimit tonë, ti që je shpresa e skajeve të tokës dhe e deteve të largëta.

Me fuqinë tënde i ke bërë malet të patundshëm dhe i ke ngjeshur me forcë.

Ti qetëson zhurmën e deteve, zhurmën e valëve të tyre dhe trazirën e popujve.

Dhe ata që banojnë në skajet e tokës kanë frikë nga mrekullitë e tua; ti bën që të shpërthejnë britma gëzimi nga lindja dhe nga perëndimi.

Ti e viziton tokën dhe bën që ajo të prodhojë më tepër, e pasuron në një masë të madhe; lumi i Perëndisë është plot ujë; ti u siguron njerëzve grurin e tyre, mbasi e ke përgatitur tokën.

10 Ti i mbush me ujë brazdat e saj, sheshon plisat, e zbut me shirat dhe bekon filizat.

11 Ti e kurorëzon motin me bujarinë tënde të madhe dhe gjurmët e tua dallohen me bollëkun e të mirave.

12 Kullotat e shkretëtirës janë plot me ujë, dhe kodrinat janë mbuluar me gëzim.

13 Kullotat mbulohen me kope dhe luginat mbulohen me grurë; ato lëshojnë britma gëzimi dhe këndojnë.

Nehemia 6

Kur Sanballati, Tobiahu dhe Geshem Arabi dhe armiqtë tanë të tjerë mësuan që unë kisha rindërtuar muret dhe që nuk kishte mbetur asnjë e çarë në to (megjithëse atëherë nuk i kisha vënë akoma kanatet e portave),

Sanballati dhe Geshemi më çuan për të thënë: "Eja dhe takohemi bashkë me një nga fshatrat e luginës së Onos". Por ata mendonin të ma punonin.

Kështu unë u dërgova atyre lajmëtarë për t’u thënë: "Jam duke bërë një punë të madhe dhe nuk mund të zbres. Pse duhet ta ndërpresim punën, kur unë po e lë për të zbritur tek ju?".

Plot katër herë ata më çuan njerëz për të thënë të njëjtën gjë, dhe unë u përgjigja në të njëjtën mënyrë.

Atëherë Sanballati më dërgoi shërbëtorin e tij që të më thotë po atë gjë për të pestën herë me një letër të hapur në dorë,

në të cilën ishte shkruar: "Éshtë përhapur fjala midis kombeve, dhe Gashmu e pohon këtë, që ti dhe Judejtë po kurdisni një rebelim; prandaj, sipas këtyre zërave, ti po rindërton muret, për t’u bërë mbreti i tyre,

dhe ke caktuar madje profetë për të bërë shpalljen tënde në Jeruzalem, duke thënë: "Ka një mbret në Judë!". Tani, këto gjëra do t’i njoftohen mbretit. Prandaj eja dhe të këshillohemi bashkë".

Por unë i çova për të thënë: "Punët nuk janë ashtu si thua ti, por ti i shpik në mendjen tënde".

Tërë këta njerëz në fakt donin të na trembnin dhe thonin: "Duart e tyre do ta lënë punën që do të mbetet e papërfunduar". Prandaj tani, o Perëndi, forco duart e mia!

10 Atëherë unë shkova në shtëpinë e Shemajahut, birit të Delajahut, që ishte bir i Mehetabeelit, që ishte mbyllur aty brenda; ai më tha: "Takohemi bashkë në shtëpinë e Perëndisë, brenda tempullit, dhe mbyllim portat e tempullit, sepse do të vinë të të vrasin; ata do të vijnë natën të të vrasin".

11 Por unë u përgjigja: "A mundet një njeri si unë të marrë arratinë? A mundet një njeri si unë të hyjë në tempull për të shpëtuar jetën? Jo, unë nuk do të hyj".

12 Kuptova pastaj që Perëndia nuk e kishte dërguar, por kishte shqiptuar atë profeci kundër meje, sepse Tobiahu dhe Sanbalati e kishin paguar.

13 Ishte paguar pikërisht për këtë: për të më trembur dhe për të më shtyrë të veproj në atë mënyrë dhe të mëkatoj, dhe kështu të më dilte një nam i keq dhe të mbulohesha me turp.

14 O Perëndia im, kujtoje Tobiahun dhe Sanbalatin, për këto vepra të tyre, si edhe profeteshën Noadiah dhe profetët e tjerë që kanë kërkuar të më trembin!

15 Muret u përfunduan ditën e njëzetepestë të muajit Elul, brenda pesëdhjetë e dy ditëve.

16 Kur tërë armiqtë tanë e mësuan këtë gjë dhe tërë kombet që na rrethonin e panë, e ndjenë veten shumë të dëshpëruar, sepse e kuptuan që kjo vepër ishte kryer me ndihmën e Perëndisë tonë.

17 Në ato ditë edhe paria e Judës i dërgonte shpesh letra Tobiahut dhe merrte letra prej Tobiahut.

18 Shumë në Judë ishin në fakt të lidhur me të me anë të betimit, sepse ai ishte dhëndër i Shekanijahut, birit të Arahut, dhe biri i tij Jehohanan ishte martuar me bijën e Meshulamit, birit të Berekiahut.

19 Edhe në praninë time ata flisnin mirë për të dhe ia njoftonin fjalët e mia. Dhe Tobiahu dërgonte letra për të më trembur.

Zbulesa 10

10 Pastaj pashë një engjëll tjetër të fuqishëm që zbriste nga qielli, i mbështjellë në një re dhe me ylber mbi krye; dhe fytyra e tij ishte si diell dhe këmbët e tij si shtylla zjarri.

Ai kishte në dorë një libërth të hapur dhe vuri këmbën e tij të djathtë mbi det dhe të majtin mbi dhe,

dhe thirri me zë të madh si një luan që vrumbullon; dhe, si bërtiti, të shtatë bubullima bënë të dëgjohej ushtima e tyre.

Dhe kur të shtatë bubullimat bënë të dëgjohej ushtima e tyre, u gatita të shkruaj, por dëgjova një zë nga qielli që më thoshte: “Vulosi gjërat që thonin të shtatë bubullimat dhe mos i shkruaj.”

Atëherë engjëlli që unë pashë që rrinte në këmbë mbi det e mbi dhe, ngriti dorën e djathtë drejt qiellit,

dhe bëri be për atë që rron në shekuj të shekujve, që krijoi qiellin dhe gjërat që janë në të, tokën dhe gjërat që janë në të, detin dhe gjërat që janë në të, se nuk do të vonohet më.

por në ditët kur engjëlli i shtatë të bëjë të dëgjohet zëri i tij, kur ai t’i bjerë borisë do të zbatohet misteri i Perëndisë, ashtu si ai e ua shpalli shërbëtorëve të tij, profetëve.

Dhe zëri që kisha dëgjuar nga qielli më foli përsëri dhe tha: "Shko, merr libërthin e hapur që ndodhet në dorën e engjëllit që rri mbi det e mbi dhe".

Dhe shkova tek engjëlli dhe i thashë: “Më jep libërthin.” Dhe ai më tha: “Merre dhe gllabëroje atë dhe ai do ta hidhërojë të brëndëshmet e tua, por në gojën tënde do të jetë i ëmbël si mjaltë.”

10 Dhe e mora libërthin nga dora e engjëllit, dhe si e gllabërova; dhe ishte në gojën time i ëmbël si mjaltë; dhe, mbasi e gllabërova, barku im u hidhërua.

11 Dhe ai më tha: “Të duhet përsëri të profetizosh mbi shumë popuj, kombe, gjuhë dhe mbretër.”

Mateu 13:36-43

36 Atëherë Jezusi, mbasi i lejoi turmat, u kthye në shtëpi dhe dishepujt e tij iu afruan e i thanë: “Na e shpjego shëmbëlltyrën e egjrës në arë.”

37 Dhe ai duke u përgjigjur u tha atyre: “Ai që mbjell farën e mirë është Biri i njeriut.

38 Ara është bota, fara e mirë janë bijtë e mbretërisë dhe egjra janë bijtë e të ligut,

39 dhe armiku që e ka mbjellë është djalli, ndërsa korrja është fundi i botës dhe korrësit janë engjëjt.

40 Ashtu si mblidhet egjra dhe digjet në zjarr, kështu, do të ndodhë në mbarimin e botës.

41 Biri i njeriut do të dërgojë engjëjt e vet dhe ata do të mbledhin nga mbretëria e tij gjithë skandalet dhe ata që bëjnë paudhësi,

42 dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh.

43 Atëherë të drejtit do të shkëlqejnë si dielli në mbretërinë e Atit të tyre. Kush ka veshë për të dëgjuar, të dëgjojë!.”