Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 61-62

61 O Perëndi, dëgjo britmën time; dëgjo me vëmendje lutjen time.

Nga skaji i tokës unë të bërtas ty, ndërsa zemra ime po shkrihet; më ço në shkëmbin që është më i lartë se unë,

sepse ti ke qenë një strehë për mua dhe një kështjellë e fortifikuar para armikut.

Unë do të banoj në çadrën tënde për gjithnjë, do të kërkoj strehë në hijen e krahëve të tu. (Sela)

Sepse ti, o Perëndi, ke plotësuar kërkesat e mia, më ke dhënë trashëgiminë e atyre që kanë frikë nga emri yt.

Ti do t’i shtosh ditë të tjera jetës së mbretit; vitet e tij vazhdofshin për shumë breza.

Ai do të qëndrojë për gjithnjë në prani të Perëndisë; jepi urdhër mirësisë dhe së vërtetës ta ruajnë.

Kështu do t’i këndoj përjetë lavde emrit tënd dhe do t’i plotësoj zotimet e mia ditë për ditë.

62 Shpirti im gjen prehje vetëm te Perëndia; nga ai vjen shpëtimi im.

Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im, ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.

Deri kur do të vërtiteni kundër një njeriu, për të kërkuar të gjithë së bashku ta vrisni, ashtu si bëhet me një mur që bën bark dhe një gardh që lëkundet?

Ata mendojnë vetëm ta rrëzojnë nga lartësia e tij, gjejnë kënaqësi në gënjeshtër, bekojnë me gojën e tyre, por në zemrat e tyre mallkojnë. (Sela)

Shpirti im, gjej prehje vetëm te Perëndia, sepse shpresa ime vjen nga ai.

Vetëm ai është kështjella ime dhe shpëtimi im; ai është streha ime e lartë; unë nuk do të luaj kurrë.

Te Perëndia është shpëtimi im dhe lavdia ime; kështjella ime e fortë dhe streha ime janë te Perëndia.

Ki besim tek ai vazhdimisht, o popull, hap zemrën tënde para tij; Perëndia është streha jonë. (Sela)

Me siguri, njerëzit e shtresës së ulët nuk janë veçse avull dhe njerëzit e shtresës së lartë nuk janë veçse gënjeshtarë; po t’i vësh mbi peshore të gjithë së bashku janë më të lehtë se vetë avulli.

10 Mos kini besim te zhvatja dhe mos ushqeni shpresa të kota te grabitja; mos shkoni mbas kotësisë; në rast se pasuritë janë të bollshme, mos u kushtoni zemrën.

11 Perëndia ka folur një herë; dy herë kam dëgjuar këtë, që fuqia i përket Perëndisë;

12 edhe ty, o Zot, të përket mirësia, sepse do të shpërblesh cilindo sipas veprave të tij.

Psalmet 68

68 Perëndia u çoftë dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, dhe ata që e urrejnë ikshin para tij.

Ti do t’i shpërndash ashtu si zhdavaritet tymi, ashtu si shkrihet dylli para zjarrit; kështu do të vdesin të pabesët përpara Perëndisë.

Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi.

Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij; pregatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i tij është Zoti; ngazëlloni para tij.

Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave.

Perëndia bën që i vetmuari të banojë në një familje, çliron të burgosurit dhe siguron begatinë; por rebelët mbeten në tokë të djegur.

O Perëndi, kur dole përpara popullit tënd, kur marshove nëpër shkretëtirë. (Sela)

toka u drodh; edhe qiejtë lëshuan ujë në prani të Perëndisë, vetë Sinai u drodh në prani të Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.

Ti ke derdhur një shi të bollshëm, o Perëndi, dhe i ke dhënë përsëri fuqi trashëgimisë sate.

10 Kopeja jote gjeti një banesë dhe në mirësinë tënde, o Perëndi, je kujdesur për të varfërit.

11 Zoti shpalli fjalën dhe i madh ishte numri i atyre që e kanë shpallur:

12 "Mbretërit e ushtrive ikin me ngut, ndërsa kush ka mbetur në shtëpi ndan plaçkën.

13 Edhe në se keni mbetur për të pushuar ndër vatha, ju jeni si krahët e pëllumbeshës të mbuluara me argjend dhe si pendët e saj të arta që shkëlqejnë".

14 Kur i Plotfuqishmi i shpërndau mbretërit në vend, Tsalmoni u mbulua me borë.

15 Një mal i Perëndisë është mali i Bashanit, një mal me shumë maja është mali i Bashanit.

16 O male me shumë maja pse shikoni me zili malin që Perëndia ka zgjedhur për banesë të tij? Po, Zoti do të banojë atje përjetë.

17 Qerret e Perëndisë janë një mori, mijëra e mijëra, Zoti është midis tyre ashtu si në Sinai, në shenjtërinë e tij.

18 Ti je ngjitur lart, ke burgosur robërinë, ke marrë dhurata nga njerëzit edhe nga rebelët, me qëllim që ti, o Zot Perëndi të mund të qëndrosh atje.

19 I bekuar qoftë Zoti, që për ditë mbart barrat tona; ai është Perëndia i shpëtimit tonë. (Sela)

20 Perëndia është për ne Perëndia që çliron, dhe Zotit, Zotit, i përket çlirimi nga vdekja.

21 Po, Perëndia do të shtypë kokën e armiqve të tij, kokën me flokë të gjata të atyre që ecin në mëkat të tij.

22 Zoti ka thënë: "Do t’i kthej nga Bashani, do t’i kthej nga humnerat e detit,

23 me qëllim që ti të dërrmosh armiqtë e tu, duke futur thellë këmbën tënde në gjakun e tyre, dhe gjuha e qenve të tu të ketë pjesën që i takon".

24 Ata kanë parë varganin tënd, o Perëndi, varganin e Perëndisë tim, e Mbretit tim në shenjtërore.

25 Këngëtarët ecnin përpara, ata që u binin veglave vinin në fund, dhe në mes qëndronin vajzat që u binin dajreve.

26 Bekoni Perëndinë në kuvendet; bekoni Zotin ju që jeni nga gurra e Izraelit.

27 Ja, Beniamini, më i vogli, por udhëheqësi i tyre, princat e Judës me trupat e tyre, princat e Zabulonit, princat e Neftalit.

28 Perëndia yt ka vendosur forcën tënde; forco, o Perëndi, sa ke bërë për ne.

29 Për shkak të tempullit tënd në Jeruzalem, mbretërit do të të sjellin dhurata.

30 Shaj kafshën e kallamishteve, tufën e demave me viçat e popujve, deri sa të poshtërohen duke sjellë shufra argjendi; shpërndaji popujt që kënaqen duke bërë luftë.

31 Nga Egjipti do të sjellin metal që shkëlqen, Etiopia do të nxitojë t’i shtrijë Perëndisë duart e saj.

32 O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë; këndojini lavde Zotit, (Sela)

33 atij që shkon me kalë mbi qiejtë e qiejve të përjetshme, ai nxjerr zërin e tij, një zë të fuqishëm.

34 Pranoni fuqinë e Perëndisë, madhështia e tij qëndron mbi Izraelin dhe fuqia e tij është në qiejtë.

35 O Perëndi, ti je i tmerrshëm nga shenjtorja jote; Perëndia i Izraelit është ai që i jep forcë dhe fuqi popullit. I bekuar qoftë Perëndia!

Nehemia 12:27-31

27 Për kushtimin e mureve të Jeruzalemit dërguan të kërkojnë Levitë nga tërë vendet e tyre, për t’i sjellë në Jeruzalem që të kremtonin kushtimin me gëzim, me lavderime dhe me këngë, me cembale, me harpa dhe me qeste.

28 Dhe bijtë e këngëtarëve u mblodhën nga krahina përreth Jeruzalemit, nga fshatrat e Netofathitëve,

29 nga Beth-Gilgali, nga fusha e Gebas dhe të Azmavethit, sepse këngëtarët kishin ndërtuar fshatra përreth Jeruzalemit.

30 Priftërinjtë dhe Levitët u pastruan vetë dhe pastruan popullin, portat dhe muret.

31 Pastaj unë bëra të hipnin mbi muret krerët e Judës dhe formova kështu dy kore të mëdha lëvdimi. I pari u nis në të djathtë, mbi muret, në drejtim të portës së Plehut;

Nehemia 12:42-47

42 dhe Maasejahu, Shemajahu, Eleazari, Uzi, Jehohanani, Milkijahu, Elami dhe Ezetri. Këngëtarët kënduan me zë të lartë nën drejtimin e Jezrahiahut.

43 Atë ditë ofruan flijime të mëdha dhe u gëzuan sepse Perëndia i kishte mbushur me një gëzim të madh. Edhe gratë dhe fëmijët u gëzuan; dhe gëzimi i Jeruzalemit dëgjohej nga larg.

44 Në atë kohë disa njerëz u caktuan për dhomat që shërbenin si magazina për ofertat, për prodhimet e para dhe për të dhjetat, për të mbledhur aty nga arat e qyteteve pjesët e caktuara nga ligji për priftërinjtë dhe për Levitët, sepse Judejtë gëzoheshin kur shihnin priftërinjtë dhe Levitët që kryenin shërbimin.

45 Ata e kryenin shërbimin e Perëndisë të tyre dhe shërbimin e pastrimit, bashkë me këngëtarët dhe me derëtarët, sipas urdhrit të Davidit dhe të Salomonit, që ishte biri i tij.

46 Në lashtësi, në kohën e Davidit dhe të Asafit, kishte në të vërtetë drejtues këngëtarësh dhe këngë lëvdimi dhe falenderimi drejtuar Perëndisë.

47 Në kohën e Zerubabelit dhe të Nehemias, gjithë Izraeli u jepte çdo ditë racionet e caktuara këngëtarëve dhe derëtarëve; vinte gjithashtu mënjanë racionin për Levitët, dhe Levitët vinin mënjanë racionin e shenjtëruar për bijtë e Aaronit.

Zbulesa 11

11 Dhe m’u dha një kallam që i ngjante një shufre. Dhe engjëlli duke qëndruar në këmbë tha: “Çohu dhe mat tempullin e Perëndisë, altarin dhe ata që adhurojnë atje,

dhe oborrin që është jashtë tempullit lëre dhe mos e mat, sepse u është dhënë johebrenjve; dhe ata do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj.

Dhe unë do t’u jap të dy dëshmitarëve të mi për të profetizuar, dhe ata do të profetizojnë një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë, të veshur me thasë.

Këta janë të dy drurët e ullirit dhe të dy shandanët që rrijnë përpara Perëndisë së dheut.

Dhe, nëse ndokush dëshiron t’u bëjë keq atyre, nga goja e tyre del zjarr dhe i gllabëron armiqtë e tyre; dhe kushdo që dëshëron t’u bëjë keq atyre, në këtë mënyrë duhet vrarë.

Ata kanë pushtet të mbyllin qiellin, që të mos bjerë shi në ditët e profecisë së tyre; ata kanë edhe pushtet mbi ujërat t’i kthejnë në gjak dhe për të goditur dheun me çdo plagë, sa herë të duan.

Dhe kur ta kryejnë dëshminë e tyre, bisha që ngjitet nga humnera do të bëjë luftë kundër tyre, edhe do t’i mundë ata, dhe do t’i vrasë.

Dhe kufomat e tyre do të dergjen në sheshin e qytetit të madh, i cili frymërisht quhet Sodomë dhe Egjipt, ku është kryqëzuar edhe Zoti ynë.

Dhe njerëz nga popuj, dhe fise, dhe gjuhë, dhe kombe do të shohin kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë, dhe nuk do të lënë që kufomat e tyre të shtihen në varr.

10 Dhe banorët e dheut do të ngazëllojnë për ata dhe do të bëjnë festë; dhe do t’i dërgojnë njeri tjetrit dhurata, sepse këta dy profetë i munduan ata që banojnë mbi dhe.”

11 Por mbas tri ditë e gjysmë, fryma e jetës që buron nga Perëndia hyri në ta; edhe qëndruan në këmbët e tyre, dhe një tmerr e madh ra mbi ata që i shikonin.

12 Edhe dëgjuan një zë të madh nga qielli duke u thënë atyre: “Ngjituni këtu lart.” Dhe u ngjitën në qiell në një re; dhe armiqtë e tyre i panë.

13 Dhe në atë orë ra një tërmet i madh, dhe e dhjeta pjesë e qytetit u rrëzua, dhe në tërmet u vranë shtatë mijë njerëz; dhe të tjerët u tmerruan dhe i dhanë lavdi Perëndisë së qiellit.

14 Mjerimi i dytë kaloi, por ja, mjerimi i tretë do vijë së shpejti.

15 Dhe engjëlli i shtatë i ra borisë dhe u bënë zëra të mëdhenj në qiell që thoshnin: “Mbretëritë e botës u bënë mbretëri të Zotit tonë dhe të Krishtit të tij, dhe ai do të mbretërojë në shekuj të shekujve.”

16 Atëherë të njëzet e katër pleqtë që rrinin përpara Perëndisë mbi fronet e tyre, ranë përmbys mbi fytyrat e veta dhe adhuruan Perëndinë,

17 duke thënë: “Ne të falënderojmë, o Zot, Perëndi i Plotfuqishmi, që je, që ishe dhe që do të vish, sepse more në dorë pushtetin tënd të madh, dhe mbretëron.

18 Kombet ishin zemëruar, por erdhi mëria jote, dhe erdhi koha që të gjykohen të vdekurit dhe t’u jepet paga shërbëtorëve të tu, profetëve, dhe shenjtorëve, dhe atyre që druajnë emrin tënd, të vegjëlve dhe të mëdhenjve, dhe të shkatërrosh ata që shkatërrojnë dheun.”

19 Atëherë u hap tempulli i Perëndisë në qiell dhe u duk arka e besëlidhjes së tij, dhe ndodhnin vetëtima, dhe zëra, dhe bubullima, dhe tërmet, dhe një rebesh i fortë breshëri.

Mateu 13:44-52

44 “Përsëri, mbretëria e qiejve i ngjan një thesari të fshehur në një arë, që një njeri që e ka gjetur e fsheh; dhe, nga gëzimi që ka, shkon, shet gjithçka që ka dhe e blen atë arë.

45 Akoma mbretëria e qiejve i ngjan një tregtari që shkon të kërkojë margaritarë të bukur.

46 Dhe, kur gjen një margaritar me vlerë të madhe, shkon dhe shet gjithçka që ka dhe e blen.

47 Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një rrjete të hedhur në det, që mbledh gjithfarë lloje gjërash.

48 Kur ajo është mbushur, peshkatarët e nxjerrin atë në breg, ulen dhe mbledhin në kosha ç’është e mirë, por i hedhin ata që nuk janë të mirë.

49 Kështu do të ndodhë në mbarimin e botës; do të vijnë engjëjt dhe do t’i ndajnë të mbrapshtit nga të drejtët;

50 dhe do t’i hedhin në furrën e zjarrit. Atje do të ketë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh.”

51 Jezusi u tha atyre: “A i kuptuat të gjitha këto?.” Ata i thanë: “Po, Zot.”

52 Dhe ai u tha atyre: “Prandaj çdo skrib, që është mësuar për mbretërinë e qiejve i ngjan një padroni shtëpie që nxjerr jashtë nga thesari i vet gjërat e reja dhe të vjetra.”