Book of Common Prayer
101 Unë do të këndoj mirësinë tënde dhe drejtësinë tënde; do të këndoj lavdet e tua, o Zot.
2 Do të kujdesem të bëj një jetë të ndershme. Kur do të vish tek unë? Do të ec me zemër të pastër brenda shtëpisë sime.
3 Nuk do të vë para syve të mi asgjë të keqe; unë e urrej sjelljen e atyre që dënojnë; nuk do lejoj të bëhem si ata.
4 Zemra e çoroditur do të largohet nga unë; nuk dua t’ia di për të keqen.
5 Do të shfaros atë që shpif tinëz kundër të afërmit; nuk do të duroj njeriun hundëpërpjetë dhe zemërkrenar.
6 Sytë e mi do të jenë mbi besnikët e vendit dhe do t’i mbaj afër vetes; ai që do të ecë me ndershmëri do të jetë shërbëtori im.
7 Kush vepron me mashtrim, nuk ka për të banuar në shtëpinë time; kush thotë gënjeshtra nuk do të qëndrojë para syve të mi.
8 Çdo mëngjes do të asgjesoj gjithë të pabesët e vendit, për të çrrënjosur nga qyteti i Zotit të gjithë ata që kryejnë paudhësi.
109 O Perëndi i lëvdimit tim, mos hesht,
2 sepse njerëz të pabesë dhe të pandershëm kanë hapur gojën e tyre kundër meje dhe kanë folur kundër meje me një gjuhë gënjeshtare;
3 më kanë sulmuar me fjalë urrejtjeje dhe më kanë luftuar pa shkak.
4 Në këmbim të dashurisë sime më akuzojnë, por unë i drejtohem lutjes.
5 Ata më kanë larë të mirën me të keqen dhe dashurinë time me urrejtje.
6 Vendos një njeri të keq mbi të dhe një akuzues le të jetë në të djathtë të tij.
7 Kur të gjykohet, bëj që të gjendet fajtor dhe lutja e tij të bëhet mëkat.
8 Qofshin të pakta ditët e tij dhe një tjetër zëntë vendin e tij.
9 Bijtë e tij mbetshin jetimë dhe gruaja e tij e ve.
10 U bëfshin endacakë dhe lypsarë bijtë e tij dhe e kërkofshin ushqimin larg shtëpive të tyre të rrënuara.
11 Fajdexhiu i marrtë të gjitha pasuritë e tij dhe të huajtë i vjedhshin frytin e mundit të tij.
12 Askush mos pastë mëshirë për të dhe askujt mos i ardhtë keq për jetimët e tij.
13 U shkatërrofshin pasardhësit e tij; në brezin e dytë emri i tyre u shoftë.
14 U kujtoftë para Zotit paudhësia e etërve të tij dhe mëkati i nënës së tij mos u shoftë.
15 U dalshin gjithnjë mëkatet e tyre para Zotit, me qëllim që ai të zhdukë nga toka kujtimin e tyre.
16 Sepse atij nuk i shkoi ndër mend të kishte dhemshuri, por e ka përndjekur të varfërin, nevojtarin dhe atë që ishte zemërthyer deri sa t’u shkaktonte vdekjen.
17 Mbasi e ka dashur mallkimin, rëntë ai mbi të; dhe mbasi nuk është kënaqur me bekimin, ky u largoftë prej tij.
18 Mbasi u mbulua me mallkim si me një rrobe, i hyftë ai si ujë në trupin e tij dhe si vaj në kockat e tij;
19 Qoftë për të si një rrobe që e mbulon dhe si një brez që e lidh përjetë.
20 Qoftë ky nga ana e Zotit shpërblimi për kundërshtarët e mi dhe për ata që flasin keq kundër meje.
21 Por ti, o Zot, o Zot, vepro në favorin tim për hir të emrit tënd, çliromë me dhemshurinë dhe mirësinë tënde,
22 sepse unë jam i varfër dhe nevojtar, dhe zemra ime është plagosur brenda meje.
23 Unë iki si një hije që zgjatet, jam i tronditur si një karkalec.
24 Gjunjët e mi dridhen nga të pangrënët dhe trupi im është dobësuar për mungesë të dhjamit.
25 Jam bërë një faqezi për ta; kur më shohin, tundin kokën.
26 Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhemshurinë tënde,
27 dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë.
28 Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet.
29 U mbulofshin me turp kundërshtarët e mi dhe u mbështjellshin me turp si me mantel,
30 Unë do të kremtoj me të madhe Zotin me gojën time dhe do ta lëvdoj në mes të një turme të madhe,
121 Unë kam bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë; mos më braktis në duart e shtypësve të mi.
122 Jepi siguri dhe mbarësi shërbëtorit tënd, dhe mos lejo që mëndjemëdhenjtë të më shtypin.
123 Sytë e mi dobësohen duke kërkuar shpëtimin tënd dhe fjalën e drejtësisë sate.
124 Kujdesu për shërbëtorin tënd sipas mirësisë sate dhe mësomë statutet e tua.
125 Unë jam shërbëtori yt; më jep mendje, që të mund të njoh porositë e tua.
126 Éshtë koha, o Zot, që të veprosh; ata kanë anuluar ligjin tënd.
127 Për këtë arësye unë i dua urdhërimet e tua më tepër se ari; po, më tepër se ari i kulluar.
128 Për këtë arësye i konsideroj të drejta urdhërimet e tua dhe urrej çdo shteg të gënjeshtrës.
129 Porositë e tua janë të mrekullueshme, prandaj shpirti im i respekton.
130 Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë.
131 Unë hap gojën time dhe psherëtij, nga dëshira e madhe e porosive të tua.
132 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, ashtu si bën me ata që e duan emrin tënd.
133 Stabilizoi hapat e mia sipas fjalëve të tua dhe mos lejo që asnjë paudhësi të më sundojë.
134 Më çliro nga shtypja e njerëzve dhe unë do të respektoj urdhërimet e tua.
135 Bëj që të shkëlqejë fytyra jote mbi shërbëtorin tënd dhe më mëso statutet e tua.
136 Rrëke lotësh zbresin nga sytë e mi, sepse nuk respektohet ligji yt.
137 Ti je i drejtë, o Zot, dhe dekretet e tua janë të drejta.
138 Ti i ke përcaktuar porositë e tua me drejtësi dhe me besnikëri të madhe.
139 Zelli im të tret, sepse armiqtë e mi kanë harruar fjalët e tua.
140 Fjala jote është e pastër nga çdo zgjyrë; prandaj shërbëtori yt e do.
141 Jam i vogël dhe i përbuzur, por nuk i harroi udhërimet e tua.
142 Drejtësia jote është një drejtësi e përjetshme dhe ligji yt është i vërtetë.
143 Ankthi dhe shqetësimi më kanë pushtuar, por urdhërimet e tua janë gëzimi im.
144 Porositë e tua janë të drejta përjetë; më jep mendje dhe unë do të jetoj.
9 Pastaj erdhi drejt meje një nga të shtatë engjëjt që kishin të shtatë kupat plot me shtatë plagët e fundit, dhe foli me mua, duke thënë: “Eja, do të të tregoj nusen, gruan e Qengjit.”
10 Dhe më çoi në Frymë mbi një mal të madh dhe të lartë, dhe më tregoi qytetin e madh, Jeruzalemin e shenjtë, që zbriste nga qielli, nga Perëndia,
11 duke pasur lavdinë e Perëndisë. Dhe shkëlqimi i saj i ngjante me një gur shumë të çmuar, si gur diaspri kristalor.
12 Ai kishte një mur të madh dhe të lartë me dymbëdhjetë porta, dhe te portat dymbëdhjetë engjëj, dhe emra të shkruar mbi to, të cilat janë emrat e të dymbëdhjetë fiseve të bijve të Izraelit.
13 Nga lindja ishin tri porta, nga veriu tri porta, nga jugu tri porta dhe nga perëndimi tri porta.
14 Dhe muri i qytetit kishte dymbëdhjetë themele dhe mbi to ishin emrat e dymbëdhjetë apostujve të Qengjit.
15 Dhe ai që fliste me mua kishte një kallam ari, për të matur qytetin, dyert e tij dhe murin e tij.
16 Dhe qyteti kishte formë katërkëndësh, dhe gjatësia e tij është sa gjerësia; ai e mati qytetin me kallamin deri në dymbëdhjetë mijë stade; gjatësia, gjërësia dhe lartësia e tij janë të barabartë.
17 Mati edhe murin, që ishte njëqind e dyzet e katër kubitë, me matje njeriu, domethënë engjëllit.
18 Muri ishte bërë ishte prej diaspri; dhe qyteti ishte prej ari të kulluar, i ngjashëm me kristal transparent.
19 Themelet e murit të qytetit ishin stolisur me gjithfarë gurësh të çmuar; themeli i parë ishte prej diaspri, i dyti prej safiri, i treti prej kalcedoni, i katërti prej smeraldi,
20 i pesti prej sardoniku, i gjashti prej sardi, i shtati prej krizoliti, i teti prej berili, i nënti prej topazi, i dhjeti prej krizopazi, i njëmbëdhjeti prej hiacinti, i dymbëdhjeti prej ametisti.
21 Dhe të dymbëdhjetë portat ishin dymbëdhjetë margaritarë, secila portë ishte bërë prej një margaritari të vetëm, edhe sheshi i qytetit ishte prej ari të kulluar, si kristal i transparent.
22 Por, ndërsa ata qëndronin në Galile, Jezusi u tha atyre: “Biri i njeriut do t’u dorëzohet në duart e njerëzve,
23 dhe ata do ta vrasin; por ditën e tretë ai do të ringjallet.” Dhe ata u pikëlluan shumë.
24 Kur arritën në Kapernaum, vjelësit e të drahmeve iu afruan Pjetrit dhe thanë: “Mësuesi juaj a e paguan taksën e tempullit?.”
25 Ai tha: “Po.” Kur hyri në shtëpi, Jezusi e priti përpara duke thënë: “Ç’mendon ti, Simon? Prej kujt i marrin haraçet ose taksat mbretërit e dheut? Prej bijve të vet apo prej të huajve?.”
26 Pjetri i tha: “Prej të huajve.” Jezusi tha: “Bijtë, pra, përjashtohen.
27 Megjithatë, për të mos i skandalizuar ata, shko në det, hidhe grepin dhe merr peshkun e parë që do vijë lart, hapja gojën dhe do të gjesh një staterë; merre dhe jepjau atyre për ty dhe për mua.”