Book of Common Prayer
88 O Zot, Perëndi i shpëtimit tim, unë bërtas ditë e natë para teje.
2 Arriftë deri te ti lutja ime, vëri veshin britmës time,
3 sepse shpirti im është ngopur me të keqen, dhe jeta ime ka arritur deri në Sheol.
4 Tanimë përfshihem ndër ata që do të zbresin në gropë, jam si një njeri që nuk ka më forcë.
5 Jam braktisur midis të vdekurve ashtu si të vrarët që janë në varr, të cilët ti nuk i mban mend dhe që janë prerë e janë larguar nga dora jote.
6 Ti më ke shtënë në gropën më të thellë, në vënde të errëta, në humnerat.
7 Mbi mua ka shpërthyer zemërimi yt, dhe ti më ke marrë me vete megjithë valët tua. (Sela)
8 Ti më ke lënë pa miqtë e mi; më ke bërë për ta një objekt të neveritshëm; jam mbyllur dhe nuk mund të dal.
9 Syri im venitet nga dhembja; të kërkoj çdo ditë, o Zot, dhe i zgjat drejt teje duart e mia.
10 A do të bësh vallë mrekulli për të vdekurit? A do të ringjallen të vdekurit për të të lëvduar? (Sela)
11 A do të kremtohet mirësia jote në varr dhe besnikëria jote në vendin e shkatërrimit?
12 A do të njihen mrekullitë e tua në terr dhe drejtësia jote mbi tokën e harresës?
13 Por unë të këlthas ty, o Zot, dhe lutja ime të drejtohet në mëngjes.
14 Pse më refuzon, o Zot, pse më fsheh fytyrën tënde?
15 Kam qenë i pikëlluar dhe duke vdekur qysh në rini; kam vuajtur nga tmerret e tua dhe e kam humbur.
16 Mbi mua ka kaluar zemërimi yt i zjarrtë; tmerret e tua më kanë asgjesuar,
17 më kanë rrethuar si ujërat gjatë gjithë ditës dhe të gjitha së bashku më kanë mbytur.
18 Ke larguar nga unë miqtë dhe të njohurit e mi; miku im më i ngushtë është errësira.
91 Kush banon në strehën e Shumë të Lartit, pushon në hijen e të Plotfuqishmit.
2 Unë i them Zotit: "Ti je streha ime dhe kështjella ime, Perëndia im, të cilit i besoj".
3 Me siguri ai do të të çlirojë nga laku i gjuetarit të shpendëve dhe nga murtaja vdekjeprurëse.
4 Ai do të të mbulojë me pendët e tij dhe do të gjesh strehë nën krahët e tij; besnikëria e tij do të të shërbejë si mburojë dhe parzmore.
5 Ti nuk do të kesh frikë nga tmerri i natës, sa nga shigjeta që fluturon ditën,
6 as nga murtaja që endet në terr, as nga shfarosja që bën kërdinë në mesditë.
7 Një mijë do të bien në krahun tënd dhe dhjetë mijë në të djathtën tënde, por aty nuk do të të afrohet.
8 Mjafton që ti të këqyrësh me sytë e ty dhe do të shikosh shpërblimin e të pabesëve.
9 Duke qenë se ke thënë: "O Zot, ti je streha ime, dhe e ke bërë Shumë të Lartin strehën tënde,
10 nuk do të të gjejë asnjë e keqe, asnjë plagë nuk do t’i afrohet çadrës sate.
11 Sepse ai do të urdhëroi Engjëjt e tij të të ruajnë në të gjitha rrugët e tua.
12 Ata do të të mbajnë në duart e tyre, me qëllim që këmba jote të mos pengohet nga ndonjë gur.
13 Ti do të ecësh mbi luanin dhe gjarpërin helmues, do të shkelësh luanin e vogël dhe kuçedrën.
14 Duke qenë se ai ka vënë mbi mua dashurinë e tij, unë do ta çliroj dhe do ta çoj lart në vend të sigurt, sepse ai njeh emrin tim.
15 Ai do të më kërkojë dhe unë do t’i përgjigjem; do të jem me të në fatkeqësi; do ta çliroj dhe do ta përlëvdoj.
16 Do ta ngop me jetë të gjatë dhe do t’i tregoj shpëtimin tim.
92 Éshtë bukur të kremtosh Zotin, dhe të këndosh lavdet në emrin tënd, o Shumë i Larti;
2 të shpallësh në mëngjes mirësinë tënde dhe çdo natë besnikërinë tënde,
3 me një harp me dhjetë tela, me lirën dhe me melodinë e qestes.
4 Duke qenë se ti më ke gëzuar me atë që ke bërë, unë ngazëllohem për veprat e duarve të tua.
5 Sa të mëdha janë veprat e tua, o Zot, sa të thella janë mendimet e tua!
6 Njeriu pa mend nuk i njeh dhe budallai nuk kupton këtë:
7 që të pabesët mbijnë si bari, dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi lulëzojnë për t’u shkatërruar përjetë.
8 Por ti, o Zot, mbetesh i Shkëlqyeri përjetë.
9 Sepse ja, armiqtë e tu, o Zot, sepse ja armiqtë e tu do të vdesin dhe gjithë ata që kryejnë paudhësi do të shpërndahen.
10 Por ti më ke dhënë forcë të barabartë me atë të buallit, ti me ke vajosur me vaj të freskët.
11 Dhe sytë e mi kanë për të parë disfatën e armiqve të mi dhe veshët e mi kanë për të dëgjuar disfatën e njerëzve të këqij që ngrihen kundër meje.
12 I drejti do të lulëzojë si palma, do të rritet si kedri i Libanit.
13 Ata që janë mbjellë në shtëpinë e Zotit do të lulëzojnë në kopshtet e Perëndisë tonë.
14 Do të japin fryte edhe në pleqëri, do të jenë të lulëzuar dhe të blertë,
15 për të shpallur që Zoti është i drejtë; ai është Kështjella ime dhe nuk ka asnjë padrejtësi tek ai.
11 Dhe pashë qiellin e hapur, dhe ja, një kalë i bardhë, dhe ai që e kalëronte quhet Besniku dhe i Vërteti; dhe ai gjykon dhe lufton me drejtësi.
12 Dhe sytë e tij ishin si flakë zjarri dhe mbi kryet e tij ishin shumë kurora; edhe kishte një emër të shkruar, që askush nuk e di përveç atij;
13 Dhe ishte i veshur me një rrobe të ngjyer në gjak; dhe emri i tij quhet: "Fjala e Perëndisë".
14 Dhe ushtritë që janë në qiell e ndiqnin mbi kuaj të bardhë, të veshur me rroba liri të hollë, të bardhë dhe të pastër.
15 Dhe nga goja e tij dilte një shpatë e mprehtë për të goditur me të kombet; dhe ai do të qeverisë me skeptër prej hekuri dhe ai vet do të shkelë vozën e verës së mërisë dhe të zemërimit të Perëndisë së plotfuqishëm.
16 Dhe mbi rroben e vet dhe mbi kofshën ishte shkruar një emër: MBRETI I MBRETÉRVE dhe ZOTI I ZOTÉRVE.
13 Pastaj Jezusi, mbasi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti dishepujt e vet: “Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i njeriut?.”
14 Dhe ata thanë: “Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët.”
15 Ai u tha atyre: “Po ju, kush thoni se jam unë?.”
16 Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.”
17 Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: “I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.
18 Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë.
19 Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej.”
20 Atëherë i urdhëroi dishepujt e vet që të mos i thonin askujt se ai ishte Jezusi, Krishti.