Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 18

18 "Të dua, o Zot, forca ime.

Zoti është kështjella ime, fortesa ime dhe çliruesi im, Perëndia im, shkëmbi im ku gjej strehë, mburoja ime, fuqia e shpëtimit tim, streha ime e i lartë.

Unë i kërkoj ndihmë Zotit, që është i denjë për t’u lëvduar, dhe kështu shpëtoj nga armiqtë e mi.

Dhembje vdekjeje më kishin pushtuar dhe përrenj njerëzish të kobshëm më kishin tmerruar.

Ankthet e Sheolit më kishin rrethuar dhe leqet e vdekjes më rrinin përpara.

Në ankthin tim kërkova Zotin dhe i klitha Perëndisë tim; ai e dëgjoi zërin tim nga tempulli i tij dhe zëri im arriti para tij, në veshët e tij.

Atëherë dheu u trondit dhe u drodh; edhe themelet e maleve luajtën dhe ranë, sepse ai ishte zemëruar shumë.

Një tym i dilte nga flegrat e tij dhe një zjarr shkatërrimtar dilte nga goja e tij; nga ai shpërthenin thëngjij.

Ai i uli qiejtë dhe zbriti me një mjegull të dendur poshtë këmbëve të tij;

10 i kishte hipur një kerubini dhe fluturonte; fluturonte shpejt mbi krahët e erës.

11 Me terrin ai kishte bërë velin e tij dhe si shatorre rreth vetes kishte vënë errësirën e ujërave dhe retë e dendura të qiellit.

12 Nga shkëlqimi që e paraprinte dilnin re të dendura, brësher dhe thëngjij.

13 Zoti gjëmoi në qiejtë dhe Shumë i Larti bëri që të dëgjohet zëri i tij me breshër dhe me thëngjij.

14 Hodhi shigjetat e tij dhe i shpërndau armiqtë; lëshoi një numër të madh rrufesh dhe i bëri të ikin me vrap.

15 Në qortimin tënd, o Zot, në shfryrjen e erës nga flegrat e tua, shtretërit e lumenjve u dukën dhe themelet e botës u zbuluan.

16 Ai nga lart shtriu dorën, më mori dhe më nxori jashtë ujërave të shumta.

17 Më çliroi nga armiku im i fuqishëm dhe nga ata që më urrenin, sepse ishin më të fortë se unë.

18 Ata u vërsulën kundër meje ditën e fatkeqësisë sime, por Zoti mbajti anën time,

19 dhe më nxori jashtë, larg; më çliroi sepse më do.

20 Zoti më ka shpërblyer sipas drejtësisë sime dhe më ka dhënë sipas pastërtisë së duarve të mia,

21 sepse kam ndjekur rrugët e Zotit dhe nuk jam larguar pabesisht nga Perëndia im,

22 sepse kam mbajtur para meje tërë ligjet e tij dhe nuk u jam shmangur statuteve të tij.

23 Kam qenë i ndershëm me të dhe i jam ruajtur paudhësisë.

24 Sepse Zoti më ka dhënë sipas drejtësisë sime, sipas pastërtisë së duarve të mia përpara syve të tij.

25 Ti tregohesh i dhimbshëm ndaj njeriut besimtar dhe i drejtë me njeriun e drejtë.

26 Ti tregohesh i pastër me atë që është i pastër dhe i dinak me të ligun,

27 sepse ti je ai që shpëton njerëzit e pikëlluar dhe ul sytë që janë krenarë;

28 ti je në fakt je ai që bën të shkëlqejë llambën time; o Zot, Perëndia im, ti ndriçon errësirën time,

29 sepse me ty mund të sulmoj një aradhe dhe me Perëndinë tim mund të kërcej mbi një mur.

30 Rruga e Perëndisë është e përsosur; fjala e Zotit është pastruar me anë të zjarrit; ai është mburoja e të gjithë atyre që gjejnë strehë tek ai.

31 Në fakt kush është Perëndi përveç Zotit? Kush është kështjellë përveç Perëndisë tim?

32 Perëndia është ai që më rrethon me forcë dhe që e bën jetën time të përsosur.

33 Ai i bën këmbët e mia të ngjashme me ato të sutave dhe më bën të fortë në vendet e mia të larta;

34 ai i mëson duart e mia për betejë, dhe me krahët e mi mund të nderë një hark prej bakri.

35 Ti më ke dhënë gjithashtu mburojën e shpëtimit tënd; dora jote e djathtë më ka mbajtur dhe mirësia jote më ka bërë të madh.

36 Ti ke zgjeruar hapat e mi nën veten time dhe këmbët e mia nuk janë penguar.

37 I kam ndjekur armiqtë e mi dhe i kam arritur, nuk jam kthyer prapa para se t’i shkatërroj.

38 I kam goditur vazhdimisht dhe ata nuk kanë mundur të ngrihen përsëri; ata kanë rënë nën këmbët e mia.

39 Ti më ke dhënë forcë për betejën dhe ke bërë të përulen ata që ngriheshin kundër meje;

40 ti ke bërë të kthejnë kurrizin armiqtë e mi, dhe unë kam shkatërruar ata që më urrenin.

41 Ata klithën, por nuk pati njeri që t’i shpëtonte; ata i klithën Zotit, por ai nuk u dha përgjigje.

42 I kam shkelur deri sa i bëra si pluhuri para erës; i kam fshirë si balta e rrugëve.

43 Ti më ke çliruar nga grindjet e popullit; ti më ke bërë udhëheqës të kombeve; një popull që nuk e njihja më ka shërbyer.

44 Me të dëgjuar emrin tim, ata më dëgjuan dhe m’u bindën; të huajt m’u nënshtruan.

45 Të huajt u ligështuan dhe dolën duke u dridhur nga fortesat e tyre.

46 Rroftë Zoti, qoftë e bekuar Kështjella ime dhe lëvduar qoftë Perëndia i shpëtimit tim!

47 Ai është Perëndia që hakmerret për mua dhe që më nënshtron popujt;

48 ai më çliron nga armiqtë e mi. Ti më larton mbi ata që ngrihen kundër meje dhe më çliron nga njeriu që përdor dhunën.

49 Prandaj, o Zot, unë do ta kremtoj midis kombeve emrin tënd me këngë.

50 Çlirime të mëdha ai i jep mbretit të tij dhe tregohet dashamirës me Davidin, të vajosurin e tij, dhe me fisin e tij përjetë".

Isaia 12

12 Atë ditë do të thuash: "Unë të kremtoj, o Zot. Edhe pse ishe i zemëruar me mua, zemërimi yt me mua u qetësua dhe më ka ngushëlluar.

Ja, Perëndia është shpëtimi im; unë do të kem besim dhe nuk do të kem frikë, sepse Zoti, po, Zoti është forca ime dhe kantiku im, dhe ka qenë shpëtimi im".

Ju do të merrni me gëzim ujin nga burimet e shpëtimit.

Atë ditë do të thoni: "Kremtoni Zotin, thërrisni emrin e tij, i bëni të njohura veprat e tij midis popujve, shpallni që emri i tij është i lartësuar.

Këndojini lavde Zotit, sepse ka bërë gjëra të madhërishme; kjo të dihet mbi gjithë tokën.

Bërtit dhe ngazëllohu nga gëzimi, o banore e Sionit, sepse i madh është i Shenjti i Izraelit në mes tuaj".

Zbulesa 1:1-8

Zbulesa e Jezu Krishtit, që Perëndia ia dha për t’u treguar shërbëtorëve të tij gjërat që duhet të ndodhin për së shpejti dhe e bëri të ditur, duke ia dërguar nëpërmjet engjëllit të tij, shërbëtorit të vet Gjon,

i cili dëshmoi fjalën e Perëndisë dhe dëshminë e Jezu Krishtit, dhe të gjitha gjërat që pa.

Lum ai që lexon dhe lum ata që dëgjojnë fjalët e kësaj profecie dhe që ruajnë ato që janë shkruar në të, sepse koha është afër.

Gjoni, shtatë kishave që janë në Azi: hir për ju dhe paqe nga ana e atij që është dhe që ishte dhe që do të vijë; edhe nga të shtatë frymërat që janë përpara fronit të tij,

dhe nga Jezu Krishti, dëshmitari besnik, i parëlinduri prej së vdekurish dhe Princ i mbretërve të dheut.

Atij që na deshi dhe na lau nga mëkatet tona në gjakun e tij, dhe na bëri mbretër dhe priftër për Perëndinë dhe Atin e tij, atij i qoftë lavdi dhe pushtet në shekuj të shekujve. Amen.

Ja, ai vjen me retë dhe çdo sy do ta shohë, edhe ata që e tejshpuan; dhe të gjitha fiset e dheut do të vajtojnë për të. Po, amen.

“Unë jam Alfa dhe Omega, fillimi dhe mbarimi,” thotë Zoti “që është dhe që ishte dhe që vjen, i Plotfuqishmi.”

Gjoni 7:37-52

37 Ditën e fundit, në ditën e madhe të festës, Jezusi u çua në këmbë dhe thirri duke thënë: “Nëse dikush ka etje, le të vijë tek unë e të pijë.

38 Ai që beson në mua, siç ka thënë Shkrimi, nga brendësia e tij do të burojnë lumenj uji të gjallë.”

39 Por këtë ai e tha për Frymën, që do të merrnin ata që do të besonin në të; sepse Fryma e Shenjtë në fakt nuk ishte dhënë ende, sepse Jezusi ende nuk ishte përlëvduar.

40 Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshnin: “Ky është me të vërtetë Profeti!.”

41 Të tjerë thoshnin: “Ky është Krishti.” Kurse të tjerë thoshnin: “Vallë nga Galilea vjen Krishti?

42 A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga pasardhja e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?.”

43 Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij.

44 Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.

45 Atëherë rojet u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: “Pse nuk e sollët?.”

46 Rojet u përgjigjen: “Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri.”

47 Prandaj farisenjtë iu përgjigjën atyre: “Mos u gënjyet edhe ju?

48 Mos vallë ndonjë nga krerët ose nga farisenjtë besoi në të?

49 Por kjo turmë, që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar.”

50 Nikodemi, një prej tyre, i cili natën kishte shkuar te Jezusi, u tha atyre:

51 “Ligji ynë dënon vallë një njeri para se ta ketë dëgjuar dhe ta dijë ç’ka bërë ai?.”

52 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Mos je edhe ti nga Galilea? Hulumto Shkrimet dhe do të shohësh se nga Galilea s’ka dalë kurrë profet.”