Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 25

25 Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim.

O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua.

Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak.

O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.

Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.

Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme.

Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.

Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t’u mësojë rrugën mëkatarëve.

Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij.

10 Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.

11 Për hir të emrit tënd, o Zot, fale paudhësinë time, sepse ajo është e madhe.

12 Kush është njeriu që ka frikë nga Zoti? Ai do t’i tregojë rrugën që duhet të zgjedhë.

13 Ai do të jetojë në bollëk dhe pasardhësit e tij do të trashëgojnë tokën.

14 Sekreti i Zotit u tregohet atyre që kanë frikë prej tij, dhe ai u bën të njohur atyre besëlidhjen e tij.

15 Sytë e mi drejtohen vazhdimisht te Zoti, sepse ai do të m’i nxjerrë këmbët nga rrjeta.

16 Kthehu nga unë dhe ki mëshirë për mua, sepse jam vetëm dhe i dëshpëruar.

17 Ankthet e zemrës sime janë shtuar; më çliro nga fatkeqësitë e mia.

18 Shiko pikëllimin tim dhe ankthin tim, dhe fali të gjitha mëkatet e mia.

19 Këqyr armiqtë e mi, sepse janë të shumtë dhe më urrejnë me një urrejtje plot dhunë.

20 Ruaje jetën time dhe më çliro; bëj që të mos jem i pështjelluar, sepse unë po gjej strehë te ti.

21 Pastërtia dhe ndershmëria më mbrofshin, sepse unë shpresoj te ti.

22 O Perëndi, liroje Izraelin nga të gjitha mundimet e tij.

Psalmet 9

Unë do të të kremtoj, o Zot, me gjithë zemër, do të tregoj tërë mrekullitë e tua.

Unë do të gëzohem dhe do të kënaqem me ty; do t’i këndoj lëvdime në emrin tënd, o Shumë i Larti.

Sepse armiqtë e mi tërhiqen, bien dhe vdesin para teje.

Ti në fakt ke përkrahur ndershmërinë time dhe çështjen time; je ulur mbi fronin si një gjyqtar i drejtë.

Ke qortuar kombet, ke shkatërruar të pabesin, ke fshirë emrat e tyre për gjithnjë.

Armiku është zhdukur, i kapur nga një pikëllim i përjetshëm! Dhe qyteteve që ti ke shkatërruar i është zhdukur edhe kujtimi.

Por Zoti mbetet përjetë; ai ka vendosur fronin e tij për të gjykuar.

Ai do ta gjykojë botën me drejtësi, do t’i gjykojë popujt me paanësi.

Zoti do të jetë strehim i papushtueshëm për të shtypurin, një strehim i papushtueshëm në kohë ngushtice.

10 Dhe ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti, sepse ti, o Zot, nuk i braktis ata që të kërkojnë.

11 Këndojini lavde Zotit që banon në Sion; u njoftoni popujve veprat e tij.

12 Sepse ai që kërkon arësyen e gjakut i mban mënd ata; ai nuk e harron britmën e të pikëlluarve.

13 Ki mëshirë për mua, o Zot, ti që më ke rilartuar nga portat e vdekjes, shiko pikëllimin që më shkaktojnë ata që më urrejnë,

14 me qëllim që unë të kem mundësi të tregoj të gjitha lavdet e tua dhe në portat e bijës së Sionit të mund të kremtoj për çlirimin tënd.

15 Kombet janë zhytur në gropën që kishin hapur; këmba e tyre është kapur në rrjetën që kishin fshehur.

16 Zoti u bë i njohur me anë të gjykimit që ka dhënë; i pabesi u kap në lakun e veprës së duarve të tij. (Interlud. Sela)

17 Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë.

18 Sepse nevojtari nuk do të harrohet përjetë; shpresa e të shtypurve nuk do të zhduket përjetë.

19 Çohu, o Zot, mos lejo që vdekatari të ketë epërsi; kombet të gjykohen para teje.

20 O Zot, kallu frikën; bëj që kombet të pranojnë se janë vetëm vdekatarë. (Sela)

Psalmet 15

15 O Zot, kush do të banojë në çadrën tënde? Kush do të banojë në malin tënd të shenjtë?

Ai që ecën me ndershmëri dhe bën atë që është e drejtë dhe thotë të vërtetën që ka në zemër,

që nuk shan me gjuhën e tij, nuk i bën asnjë të keqe shokut të tij, dhe nuk shpif të afërmin e tij.

Në sytë e tij përçmohet njeriu pa vlerë, por ai ndërton ata që kanë frikë nga Zoti; edhe sikur të jetë betuar në dëm të tij, ai nuk tërhiqet;

nuk i jep paratë e tij me kamatë dhe nuk pranon dhurata kundër të pafajshmit. Ai që bën këto gjëra nuk do të hiqet kurrë.

Isaia 5:8-12

Mjerë ata që i shtojnë shtëpisë një shtëpi tjetër, që bashkojnë një arë me një arë tjetër, deri sa të mos ketë më vend, dhe kështu të mbeten të vetmuar për të banuar në mes të vendit.

Në veshët e mi Zoti i ushtrive është betuar: "Në të vërtetë shumë shtëpi do të shkretohen, shtëpi të bukura dhe të mëdha do të mbeten pa banorë".

10 Sepse dhjetë jugerë vresht do të prodhojnë vetëm një bato dhe një homer fare do të prodhojë vetëm një efa.

11 Mjerë ata që ngrihen herët në mëngjes për t’u turrur pas pijeve dehëse dhe vonohen deri në mbrëmje sa të flakërohen nga vera!

12 Në banketet e tyre ka qeste, harpa, dajre, fyell dhe verë, por ata nuk i kushtojnë kujdes veprës së Zotit dhe nuk marrin parasysh atë që ai ka bërë me duart e tij.

Isaia 5:18-23

18 Mjerë ata që tërheqin padrejtësinë me litarët e falsitetit dhe mëkatin si me litarët e qerres,

19 dhe thonë: "Le ta bëjë shpejt, le ta kryejë veprën e tij, që të mund ta shohim. Le të afrohet dhe të kryhet plani i të Shenjtit të Izraelit që të mund ta shohim".

20 Mjerë ata që e quajnë të mirë të keqen dhe të keqe të mirën, që ndërrojnë terrin në dritë dhe dritën në terr, që ndërrojnë hidhësirën në ëmbëlsi dhe ëmbëlsinë në hidhësi!

21 Mjerë ata që janë të urtë në sytë e tyre dhe të zgjuar para vetvetes!

22 Mjerë kampionëve në pirjen e verës dhe të shkathtëve në përzierjen e pijeve dehëse,

23 që e nxjerrin të pafajshëm njeriun e keq për një dhuratë dhe ia mohojnë të drejtit të drejtën e tij!

1 Thesalonikasve 5:1-11

Sa për kohët dhe për stinët, vëllezër, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj,

sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë, si një vjedhës natën.

Sepse, kur thonë: "Paqe dhe siguri," atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.

Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t’ju zërë në befasi si një vjedhës.

Të gjithë ju jeni bij të dritës dhe bij të ditës; ne nuk jemi të natës, as të territ.

Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll.

Sepse ata që flejnë, flejnë natën, dhe ata që dehen, dehen natën.

Kurse ne, mbasi jemi të ditës, jemi të esëll, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë, dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit.

Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht,

10 i cili vdiq për ne kështu që, qofshim zgjuar qofshim fjetur, jetojmë bashkë me të.

11 Prandaj ngushëlloni njeri tjetrin dhe ndërtoni njeri tjetrin ashtu sikur edhe bëni.

Luka 21:20-28

20 “Dhe kur do të shikoni Jeruzalemin të rrethuar nga ushtritë, ta dini se shkretimi i saj është afër.

21 Atëherë ata që janë në Jude, të ikin në male; dhe ata që janë në qytet të largohen; dhe ata që janë në fushë të mos hyjnë në të.

22 Sepse ato janë ditë të hakmarrjes, që të përmbushen të gjitha ato gjëra që janë shkruar.

23 Mjerë gratë shtatzëna dhe ato që mëndin në ato ditë, sepse do të ketë mjerim të madh në vend dhe mëri mbi këtë popull.

24 Dhe ata do të bien nga tehu i shpatës, do t’i çojnë robër ndër të gjitha kombet, dhe Jeruzalemin do ta shkelin paganët, derisa të plotësohen kohët e paganëve.”

25 “Dhe do të ketë shenja në diell, në hënë dhe në yje, dhe mbi tokë ankth popujsh, në përhumbjen prej gjëmës së detit dhe të valëve të tij;

26 njerëzit do të mpaken nga frika dhe nga pritja se çfare do ta pllakosë botën, sepse fuqitë qiellore do të lëkunden.

27 Atëherë do të shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi një re, me fuqi dhe lavdi të madhe.

28 Dhe kur këto të fillojnë të ndodhin, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse çlirimi juaj është afër.”