Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 38

38 O Zot, mos më shaj në indinjatën tënde dhe mos më dëno në zemërimin tënd.

Sepse shigjtat e tua më kanë shpuar dhe dora jote më shtyp.

Nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim për shkak të zemërimit tënd; nuk ka qetësi në kockat e mia për shkak të mëkatit tim.

Paudhësitë e mia e kalojnë në fakt kohën time, janë si një barrë e madhe, shumë e rëndë për mua.

Plagët e mia janë të fëlliqura dhe të qelbëzuara nga marrëzia ime.

Jam krejt i kërrusur dhe i dëshpëruar; sillem tërë ditën rreth e qark duke mbajtur zi,

sepse ijet e mia janë të pezmatuara dhe nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim.

Jam i sfilitur dhe i vrarë; vrumbulloj nga drithma e zemrës sime.

O Zot, çdo dëshirë që kam është para teje dhe psherëtimat e mia nuk të janë fshehur.

10 Zemra ime rreh, fuqia po më lë; vetë drita e syve të mi ka ikur.

11 Miqtë e mi dhe shokët e mi rrinë larg plagës sime, dhe fqinjët e mi ndalojnë larg meje.

12 Ata që kërkojnë jetën time më ngrejnë kurthe dhe ata që duan të më bëjnë të keqen flasin për shkatërrimin dhe mendojnë mashtrime tërë ditën.

13 Por unë jam si një i shurdhër që nuk dëgjon dhe një memec që nuk e hap gojën.

14 Po, jam si një njeri që nuk dëgjon dhe që nuk mund të përgjigjet me gojën e tij.

15 Sepse shpresoj te ti, o Zot, ti do të përgjigjesh, o Zot, Perëndia im.

16 Sepse kam thënë: "U gëzofshin me mua, dhe kur këmba ime pengohet, mos u çofshin kundër meje".

17 Ndërsa jam duke rënë dhe dhembja ime është vazhdimisht para meje,

18 ndërsa rrëfej mëkatin tim dhe jam tepër i shqetësuar për mëkatin,

19 armiqtë e mi janë tërë gjallëri dhe janë të fortë, dhe ata që më urrejnë pa shkak shumohen.

20 Edhe ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqen më përndjekin, sepse unë ndjek rrugën e së mirës.

21 O Zot, mos më braktis; Perëndia im, mos u largo nga unë.

22 Nxito të më ndihmosh, o Zot, o shpëtimi im.

Psalmet 119:25-48

25 Unë bie përmbys në pluhur; më ringjall sipas fjalës sate.

26 Të kam treguar rrugët e mia, dhe ti më je përgjigjur; më mëso statutet e tua.

27 Më bëj që të kuptoj rrugën e urdhërimeve të tua, dhe unë do të mendohem thellë mbi mrekullitë e tua.

28 Jeta ime tretet në dhimbje; më jep forcë sipas fjalës sate.

29 Mbamë larg nga gënjeshtra dhe, në hirin tënd, bëmë të njohur ligjin tënd.

30 Kam zgjedhur rrugën e besnikërisë; i kam vënë dekretet e tua para vetes.

31 Jam i lidhur me porositë e tua; o Zot, mos lejo që unë të hutohem.

32 Do të veproj në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse ti do të më zgjerosh zemrën.

33 Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund.

34 Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.

35 Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.

36 Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.

37 Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.

38 Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty.

39 Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira.

40 Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde.

41 Le të më arrijë shpirtmadhësia jote, o Zot, dhe shpëtimi yt sipas fjalës sate.

42 Kështu do të mund t’i përgjigjem atij që më fyen, sepse kam besim te fjala jote.

43 Mos hiq plotësisht nga goja ime fjalën e së vërtetës, sepse unë kam shpresë te dekretet e tua.

44 Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht, përjetë.

45 Do të ec në liri, sepse kërkoj urdhërimet e tua.

46 Do të flas për porositë e tua para mbretërve dhe nuk do të turpërohem.

47 Do të kënaqem me urdhërimet e tua, sepse i dua.

48 Do të ngre duart e mia drejt urdhërimeve të tua, sepse i dua, dhe do të mendohem thellë mbi statutet e tua.

Isaia 6

Në vitin e vdekjes së mbretit Uziah, unë pashë Zotin të ulur mbi një fron të ngritur dhe të lartë, dhe cepat e mantelit të tij mbushnin tempullin.

Mbi të ishin serafinët; secili prej tyre kishte gjashtë krahë: me dy mbulonte fytyrën, me dy të tjerë këmbët dhe me dy fluturonte.

Njeri i bërtiste tjetrit dhe i thoshte: "I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij".

Shtalkat e portës u tronditën nga zëri i atij që bërtiste, ndërsa tempulli po mbushej me tym.

Atëherë unë thashë: "I mjeri unë! Unë jam i humbur, sepse jam një njeri me buzë të papastra dhe banoj në mes të një populli me buzë të papastra; megjithatë sytë e mi kanë parë Mbretin, Zotin e ushtrive".

Atëherë një nga serafinët fluturoi drejt meje, duke mbajtur në dorë një urë zjarri, që kishte marrë me mashë nga altari.

Me të ai preku gojën time dhe tha: "Ja, kjo preku buzët e tua, paudhësia jote hiqet dhe mëkati yt shlyhet".

Pastaj dëgjova zërin e Zotit që thoshte: "Kë të dërgoj dhe kush do të shkojë për ne?". Unë u përgjigja: "Ja ku jam, dërgomë mua!".

Atëherë ai tha: "Shko dhe i thuaj këtij populli: Dëgjoni, pra, por pa kuptuar, shikoni, pra, por pa dalluar.

10 Bëje të pandieshme zemrën e këtij populli, ngurtëso veshët e tij dhe mbyll sytë e tij që të mos shikojë me sytë e tij, të mos dëgjojë me veshët e tij dhe të mos kuptojë me zemrën e tij, dhe kështudo të kthehet dhe të jet shëruar".

11 Unë thashë: "Deri kur, o Zot?". Ai u përgjigj: "Deri sa qytetet të shkatërrohen dhe të jenë pa banorë, shtëpitë të mos kenë njeri dhe vendi të jetë i shkretuar dhe i pikëlluar,

12 dhe deri sa Zoti të ketë larguar njerëzinë dhe të jetë një braktisje e madhe në mes të vendit.

13 Do të mbetet akoma një e dhjeta e popullsisë, por edhe kjo do të shkatërrohet; por ashtu si bafrës dhe lisit, kur priten u mbetet cungu, kështu një brez i shenjtë do të jetë trungu i tij".

2 Thesalonikasve 1

Pali, Silvani dhe Timoteu, kishës së Thesalonikasve, që është në Perëndinë, Atin tonë, dhe në Zotin Jezu Krisht:

paçi hir dhe paqe nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.

Ne e kemi për detyrë ta falënderojmë gjithnjë Perëndinë për ju, o vëllezër, sikurse është fort e drejtë, sepse besimi juaj po rritet shumë dhe dashuria e secilit prej jush për njëri-tjetrin po tepron,

aq sa ne vetë po krenohemi me ju në kishat e Perëndisë, për qëndresën tuaj dhe për besimin në të gjitha përndjekjet dhe vështirësitë që po hiqni.

Ky është një dëftim i gjyqit të drejtë të Përendisë, që ju të çmoheni të denjë për mbretërinë e Perëndisë për të cilën edhe vuani,

sepse është e drejtë, nga ana e Perëndisë, t’u jepet mundim atyre që po ju mundojnë,

kurse juve, të munduarve, të preheni bashkë me ne, kur Zoti Jezu Krisht të shfaqet nga qielli me engjëjt e pushtetit të vet,

në një zjarr flakërues, për t’u hakmarrë kundër atyre që nuk njohin Perëndi, dhe të atyre që nuk i binden ungjillit të Zotit tonë Jezu Krisht.

Ata do të ndëshkohen me shkatërrim të përjetshëm, larg nga fytyra e Zotit dhe nga lavdia e fuqisë së tij,

10 kur ai të vijë, atë ditë, për të qenë i lavdëruar në shenjtorët e vet, për të qenë i admiruar në mes të atyre që kenë besuar, sepse dëshmia jonë tek ju u besua.

11 Edhe për këtë ne vazhdimisht po lutemi për ju, që Perëndia ynë t’ju bëjë të denjë për këtë thirrje dhe të përmbushë me fuqinë çdo qëllim të mirë dhe veprën e besimit,

12 që të lëvdohet emri i Zotit tonë Jezu Krisht në ju dhe ju në të, sipas hirit të Perëndisë sonë dhe të Zotit Jezu Krisht.

Gjoni 7:53-8:11

53 Dhe secili u kthye në shtëpinë e vet.

Dhe Jezusi shkoi në malin e Ullinjve.

Por, si zbardhi dita, u kthye përsëri në tempull dhe gjithë populli erdhi tek ai; dhe ai u ul dhe i mësonte.

Atëherë farisenjtë dhe skribët i prunë një grua që ishte kapur duke shkelur kurorën dhe, mbasi e vunë në mes,

i thanë Jezusit: “Mësues, kjo grua është kapur në flagrancë, duke shkelur kurorën.

Por në ligj Moisiu na ka urdhëruar të vriten me gurë gra të tilla, por ti ç’thua?.”

Flisnin kështu për ta vënë në provë dhe për të pasur diçka për ta paditur. Por Jezusi, duke u shtënë se nuk dëgjoi, u përkul dhe shkruante me gisht në dhe.

Dhe, kur ata vazhdonin ta pyesnin, ai u drejtua dhe u tha atyre: “Kush nga ju është pa mëkat, le ta hedhë i pari gurin kundër saj!.”

Pastaj u përkul përsëri dhe shkruante në dhe.

Atëherë ata, e dëgjuan këtë dhe të bindur nga ndërgjegjja, u larguan një nga një, duke filluar nga më të vjetrit e deri te të fundit; kështu Jezusi mbeti vetëm me atë grua, që qëndronte atje në mes.

10 Jezusi atëherë u ngrit dhe, duke mos parë tjetër përveç gruas, i tha: “O grua, ku janë ata që të paditnin? Askush nuk të dënoi?.”

11 Dhe ajo u përgjigj: “Askush, Zot.” Atëherë Jezusi i tha: “As unë nuk të dënoj; shko dhe mos mëkato më.”