Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 16-17

16 Më mbro, o Perëndi, sepse unë po kërkoj strehë te ti.

I thashë Zotit: "Ti je Zoti im; nuk kam asnjë të mirë veç teje".

Gjithë dashuria ime është vendosur te njerëzit e shenjtë dhe të nderuar që janë mbi tokë.

Dhembjet e atyre që turren pas perëndive të tjera do të shumëzohen; unë nuk do t’i derdh libacionet e tyre të gjakut dhe nuk do të shqiptoj me buzët e mia emrat e tyre.

Zoti është pjesa ime nga trashëgimia dhe kupa ime; ti, o Zot, ruaje fort atë që më ka rënë në short.

Mua fati më ka rënë në vende të këndshme; po, një trashëgimi e bukur më ka rënë.

Unë do të bekoj Zotin që më këshillon; zemra ime më mëson edhe natën.

Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi.

Prandaj zemra ime gëzohet dhe shpirti im ngazëllon për lavdinë e trashëgimisë sime; edhe mishi im do të qëndrojë tërë besim dhe në siguri,

10 sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin.

11 Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.

17 O Zot, dëgjo një çështje të drejtë, dëgjo me vëmendej britmën time, dëgjo lutjen time, që nuk vjen nga buzë mashtruese.

Ardhtë mbrojtja ime nga prania jote; sytë e tu pafshin atë që është e drejtë.

Ti e ke hetuar zemrën time, e ke vizituar natën; më ke vënë në provë dhe nuk ke gjetur asgjë; kam vendosur të mos mëkatoj me gojën time.

Përsa u përket veprave të njerëzve, për fjalën e buzëve të tua, jam ruajtur nga rrugët e njerëzve të furishëm.

Hapat e mia kanë qëndruar të sigurt në shtigjet e tua dhe këmbët e mia nuk janë lëkundur.

Unë të drejtohem ty, o Perëndi, sepse ti m’i plotëson, zgjat veshët e tu ndaj meje, dëgjo fjalët e mia.

Tregomë mirësinë tënde të mrekullueshme, ti, që me të djathtën tënde i shpëton nga kundërshtarët e tyre ata që gjejnë strehë pranë teje.

Më ruaj si beben e syrit; më mbulo, nën hijen e krahëve të tu,

nga të pabesët që më shtypin dhe nga armiqtë për vdekje që më rrethojnë.

10 Zemrat e tyre janë fortësuar, goja e tyre flet me arrogancë.

11 Tani në kanë rrethuar, ndjekin hapat tona; na ngulin sytë e tyre për të na rrëzuar.

12 Armiku im i përngjan një luani që digjet nga dëshira që të shqyejë, dhe të një luani të vogël që rri në pritë në vënde të fshehta.

13 Çohu, o Zot, përballoje, rrëzoje; çliro shpirtin tim nga i pabesi me shpatën tënde.

14 O Zot, më çliro me dorën tënde nga njerëzit, nga njerëzit e kësaj bote që bën pjesë në këtë jetë, dhe barkun e të cilëve ti e mbush me thesaret e tua të fshehta; bijtë e tyre ngopen dhe u lënë fëmijëve të tyre ato që mbetet nga pasuritë e tyre.

15 Sa për mua, për hir të drejtësisë do të shoh fytyrën tënde; do të ngopem nga prania jote kur të zgjohem.

Psalmet 22

22 Perëndia im, Perëndia im, pse më ke braktisur? Pse më rri kaq larg dhe nuk vjen të më çlirosh, duke dëgjuar fjalët e ofshamës sime?

O Perëndia im, unë bërtas ditën, por ti nuk përgjigjesh, edhe natën unë nuk rri në heshtje.

Megjithatë ti je i Shenjti, që banon në lëvdimet e Izraelit.

Etërit tonë kanë pasur besim te ti; kanë pasur besim te ti dhe ti i ke çliruar.

Të klithën ty dhe u çliruan; patën besim te ti dhe nuk u zhgënjyen.

Por unë jam një krimb dhe jo një njeri; turpi i njerëzve dhe përçmimi i popullit.

Tërë ata që më shohin më përqeshin, zgjatin buzën dhe tundin kokën,

duke thënë: "Ai i ka besuar Zotiit; le ta çlirojë, pra, ta ndihmojë, mbasi e do".

Me siguri ti je ai që më nxori nga barku i nënes; bëre që të kem besim te ti qysh nga koha kur pushoja mbi sisët e nënes sime.

10 Unë u braktisa te ti qysh nga lindja ime; ti je Perëndia im qysh nga barku i nënes sime.

11 Mos u largo nga unë, sepse ankthi është i afërt, dhe nuk ka asnjë që të më ndihmojë.

12 Dema të mëdhenj më kanë rrethuar, dema të fuqishëm të Bashanit më rrinë përqark;

13 ata hapin gojën e tyre kundër meje, si një luan grabitqar që vrumbullit.

14 Më derdhin si ujë dhe tërë kockat e mia janë të ndrydhura; zemra ime është si dylli që shkrihet në mes të zorrëve të mia.

15 Forca ime është tharë si një enë balte dhe gjuha ime është ngjitur te qiellza; ti më ke vënë në pluhurin e vdekjes.

16 Sepse qentë më kanë rrethuar, një grup keqbërësish më rri rrotull; më kanë shpuar duart dhe këmbët.

17 Unë mund t’i numëroj gjithë kockat e mia; ato më shikojnë dhe më këqyrin.

18 Ndajnë midis tyre rrobat e mia dhe hedhin në short tunikën time.

19 Por ti, o Zot, mos u largo; ti që je forca ime, nxito të më ndihmosh.

20 Çliroje jetën time nga shpata, jetën time të vetme nga këmba e qenit.

21 Shpëtomë nga gryka e luanit dhe nga brirët e buajve. Ti m’u përgjigje.

22 Unë do t’u njoftoj emrin tënd vëllezërve të mi, do të të lëvdoj në mes të kuvendit.

23 Ju që keni frikë nga Zoti, lëvdojeni; dhe ju të gjithë, pasardhës të Jakobit, përlëvdojeni; dhe ju të gjithë, o fis i Izraelit, kini frikë nga ai.

24 Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur.

25 Shkaku i lëvdimit tim në kuvendin e madh je ti; unë do t’i plotësoj zotimet e mia në prani të të gjithë atyre që kanë frikë nga ti.

26 Nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen; ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë; zemra juaj do të jetojë përjetë.

27 Të gjitha skajet e tokës do ta mbajnë mend Zotin dhe do të kthehen tek ai; dhe të gjitha familjet e kombeve do të adhurojnë përpara teje.

28 Sepse Zotit i përket mbretëria dhe ai sundon mbi kombet.

29 Gjithë të pasurit e dheut do të hanë dhe do të të adhurojnë; të gjithë ata që zbresin në pluhur dhe që nuk arrijnë të mbahen gjallë do të përkulen para teje.

30 Pasardhësit do t’i shërbejnë; do t’i flitet për Zotin brezit të ardhshëm.

31 Ata do të vijnë dhe do t’i shpallin drejtësinë e tij një populli që nuk ka lindur akoma, dhe që ai vetë e ka krijuar.

Isaia 3:8-15

Në fakt Jeruzalemi dridhet dhe Juda po bie, sepse gjuha e tyre dhe veprat e tyre janë kundër Zotit, për të provokuar zemërimin e vështrimit të madhërisë së tij.

Anësia e tyre me personat dëshmon kundër tyre, ata vënë në dukje mëkatin e tyre si Sodoma dhe nuk e fshehin. Mjerë ata, sepse i bëjnë keq vetes së tyre.

10 I thoni të drejtit se do t’i dalë mirë, sepse do të hajë frytin e veprave të tij.

11 Mjerë i pabesi! Do t’i bjerë mbi kokë fatkeqësia, sepse do t’i jepet ajo që duart e tij kanë përgatitur.

12 Shtypësit e popullit tim janë fëmijë, dhe gratë sundojnë mbi të. O populli im, ata që të udhëheqin të çojnë jashtë rruge dhe shkatërrojnë shtegun që ti përshkon.

13 Zoti paraqitet për të paditur dhe zë vend për të gjykuar popujt.

14 Zoti hyn në gjyq me pleqtë e popullit të tij dhe me princat e tij: "Jeni ju që e keni përpirë vreshtin; trupat pa jetë të të varfërve ndodhen në shtëpitë tuaja.

15 Çfarë të drejte keni të merrni nëpër këmbë popullin tim dhe të shtypni fytyrën e të varfërve?," thotë Perëndia, Zoti i ushtrive.

1 Thesalonikasve 4:1-12

Sa për të tjerat, pra, vëllezër, ju lutemi dhe ju bëjmë thirrje në Zotin Jezus që, sikundër morët prej nesh se si duhet të ecni për t’i pëlqyer Perëndisë, kështu të teproni edhe më shumë.

Sepse ju e dini se ç’urdhërime ju lamë nga ana e Zotit Jezus.

Sepse ky është vullneti i Perëndisë: shenjtërimi juaj; të hiqni dorë nga kurvëria;

që secili prej jush të dijë ta mbajë enën e vet në shenjtëri dhe me nder,

jo me pasione epshi, si johebre që nuk e njohin Perëndinë,

dhe që askush të mos mashtrojë ose t’ia hedhë në punë vëllait të vet, sepse Perëndia është hakmarrësi për të gjitha këto gjëra, sikurse edhe ju thamë më parë dhe e dëshmuam.

Sepse Perëndia nuk na thirri në ndyrësi, por në shenjtërim.

Prandaj ai që i përbuz këto gjëra, nuk përbuz një njeri, por Perëndinë që ju dha edhe Frymën e tij të Shenjtë.

Sa për dashurinë vëllazërore, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj, sepse ju vetë jeni të mësuar nga Perëndia që të doni njeri tjetrin.

10 Sepse ju e bëni këtë ndaj gjithë vëllezërve që janë në gjithë Maqedoninë; por ne ju bëjmë thirrje, vëllezër, që në këtë të shtohemi edhe më shumë.

11 dhe të përpiqeni me kujdes të jetoni në paqe, të merreni me gjërat tuaja dhe të punoni me duart tuaja, ashtu si ju kemi urdhëruar,

12 që të silleni me nder ndaj atyre që janë jashtë dhe të mos keni nevojë për asgjë.

Luka 20:41-21:4

41 Dhe ai i tha atyre: “Vallë, si thonë se Krishti është Bir i Davidit?

42 Vetë Davidi, në librin e Psalmeve, thotë: "Zoti i tha Zotit tim: Ulu në të djathtën time,

43 derisa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua".

44 Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë bir i tij?.”

45 Dhe, ndërsa gjithë populli po e dëgjonte, ai u tha dishepujve të vet:

46 “Ruhuni nga skribët, të cilët shëtisin me kënaqësi me rroba të gjata, duan t’i përshëndesin nëpër sheshe, të jenë në vendet e para në sinagoga dhe në kryet e vendit nëpër gosti;

47 ata gllabërojnë shtëpitë e te vejave dhe, për t’u dukur, bëjnë lutje të gjata. Ata do të marrin një dënim më të rëndë.”

21 Pastaj Jezusi i çoi sytë dhe pa pasanikët që qitnin dhuratat e tyre në arkën e thesarit,

dhe pa edhe një të ve të varfër që qiti dy pare të vogla

dhe tha: “Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët.

Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar.”