Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 55

55 O Perëndi, vëri veshin lutjes sime dhe ki parasysh kërkesën time.

Dëgjo kërkesën time dhe përgjigjmu; ankohem vazhdimisht dhe rënkoj,

për zërin e armikut, për shtypjen e të pabesit; sepse më bien mbi kurriz disa fatkeqësi dhe në zemërimin e tyre më ndjekin këmba këmbës.

Zemra ime është e shqetësuar në trupin tim dhe tmerre që shkaktojnë vdekjen kanë rënë mbi mua.

Frika dhe të drithma më kanë sulmuar dhe tmerri më ka mposhtur.

Prandaj kam thënë: "Ah, sikur të kisha krahë si një pëllumb! Do të fluturoja larg për të gjetur prehje.

Ja, do të ikja larg dhe do të qëndroja në shkretëtirë. (Sela)

Do të shpejtoja për të gjetur një strehë nga era e furishme dhe nga furtuna".

Shkatërroji, o Zot, ngatërro gjuhët e tyre, sepse kam parë dhunë dhe kacafytje në qytet.

10 Ditën dhe natën sillen mbi muret e tij; brenda tij sundojnë e keqja dhe çoroditja.

11 Në mes të tij është lakmia; shtypja dhe gënjeshtra janë të zakonshme në rrugët e tij.

12 Sepse nuk ka qenë një armiku im që tallej me mua, përndryshe do ta kisha duruar; nuk ka qenë një që më urrente ai që u ngrit kundër meje, ndryshe do t’i isha fshehur atij.

13 Por ke qenë ti, një njeri si unë, shoku im dhe miku im i ngushtë.

14 Bënim bashkë biseda të këndshme dhe shkonim bashkë në shtëpinë e Perëndisë.

15 I zëntë befas vdekja, u ulshin të gjallë në Sheol, sepse në banesat e tyre dhe në mes tyre nuk ka veçse ligësi.

16 Sa për mua, do t’i kërkoj ndihmë Perëndisë, dhe Zoti do të më shpëtojë.

17 Në mbrëmje, në mëngjes dhe në mesditë do të ankohem dhe do të rënkoj, dhe ai do të dëgjojë zërin tim.

18 Ai do ta shpengojë jetën time dhe do ta sigurojë nga lufta që bëhet kundër meje, sepse janë të shumtë ata që janë ngritur kundër meje.

19 Perëndia do të më dëgjojë dhe ka për t’i poshtëruar, ai që ulet si sovran gjithnjë, sepse ata nuk ndryshojnë dhe nuk kanë frikë nga Perëndia. (Sela)

20 Ai ka shtrirë duart kundër atyre që jetonin në paqe me të, ka shkelur besëlidhjen e tij.

21 Goja e tij ishte më e ëmbël se gjalpi, por në zemër ai kishte luftën; fjalët e tij ishin më të buta se vaji, por ishin shpata të zhveshura.

22 Hidh mbi Zotin barrën tënde, dha ai do të të mbajë; ai nuk do të lejojë kurrë që i drejti të lëkundet.

23 Por ti, o Perëndi, do t’i zbresësh këta në pusin e humbjes; njerëzit gjakatarë dhe hileqarë nuk do të arrijnë në gjysmën e ditëve të tyre; por unë do të kem besim te ti.

Psalmet 138:1-139:23

138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.

Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.

Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.

Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,

dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.

Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.

Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.

Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.

139 Ti më ke hetuar, o Zot, dhe më njeh.

Ti e di kur ulem dhe kur ngrihem, ti e kupton nga larg mendimin tim.

Ti e shqyrton me kujdes ecjen time dhe pushimin tim dhe i njeh thellë të gjitha rrugët e mia.

Sepse, edhe para se të jetë fjala mbi gojën time ti, o Zot, e di atë plotësisht.

Ti më rrethon nga pas dhe përpara dhe vë dorën tënde mbi mua.

Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa unë nuk mund ta arrij.

Ku do të mund të shkoja larg Frymës sate, ose ku do të mund të ikja larg pranisë sate?

Në rast se ngjitem në qiell, ti je atje; në rast se shtrij shtratin tim në Sheol, ti je edhe aty.

Në rast se marr krahët e agimit dhe shkoj të banoj në skajin e detit,

10 edhe aty dora jote do të më udhëheqë dhe dora jote e djathtë do të më kapë.

11 Po të them: "Me siguri terri do të më fshehë," madje edhe nata do të bëhet dritë rreth meje:

12 terri vetë nuk mund të të fshehë asgjë, madje nata shkëlqen si dita; terri dhe drita janë të barabarta për ty.

13 Po, ti ke formuar të përbrëndëshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënes sime.

14 Unë do të të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekulluar; veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë.

15 Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës.

16 Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.

17 Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre!

18 Po të doja t’i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra; kur zgjohem jam ende me ty.

19 Me siguri, ti do vrasësh të pabesin, o Perëndi; prandaj ju, njerëz gjakatarë largohuni nga unë.

20 Ata flasin me pabesi kundër teje; armiqtë e tu përdorin më kot emrin tënd.

21 A nuk i urrej vallë ata që të urrejnë, o Zot, dhe a nuk i urrej ata që ngrihen kundër teje?

22 Unë i urrej me një urrejtje të përsosur; ata janë bërë armiqtë e mi.

23 Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia.

Isaia 10:20-27

20 Atë ditë do të ndodhë që pjesa që mbetet e Izraelit dhe ata që kanë shpëtuar nga shtëpia e Jakobit nuk do të mbështeten më mbi atë që i godiste, por do të mbështeten në të vërtetë mbi Zotin, të Shenjtin e Izraelit.

21 Një mbetje, mbetja e Jakobit, do t’i kthehet Zotit të fuqishëm.

22 Sepse, edhe sikur populli yt, o Izrael, të ishte si rëra e detit, vetëm një mbetje e tij do të kthehet; shfarosja e dekretuar do ta bëjë drejtësinë të vërshojë.

23 Në fakt Zoti, Zoti i ushtrive, do të kryejë shfarosjen e dekretuar në mes të të gjithë dheut.

24 Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti i ushtrive: "O populli im, që banon në Sion, mos ki frikë nga Asiri, që të rreh me shufër dhe ngre kundër teje shkopin e tij, ashtu si bëri Egjipti.

25 Sepse edhe pak kohë dhe indinjata do të marrë fund, ndërsa zemërimi im do të drejtohet për shkatërrimin e tyre.

26 Zoti i ushtrive do të ngrejë kundër tij kamxhikun, ashtu siç e goditi Madianin te shkëmbi i Horebit; dhe ashtu si shtriu shkopin e tij mbi det, kështu do ta ngrerë akoma ashtu si bëri në Egjipt.

27 Atë ditë do të ndodhë që barra e tij do të hiqet nga kurrizi dhe zgjedha e tij nga qafa jote; zgjedha do të shkatërrohet nga vajosj e vajit".

Juda 17-25

17 Por ju, shumë të dashur, mbani mend fjalët që ju kanë parathënë apostujt e Zotit tonë Jezu Krisht.

18 Ata ju thoshnin që në kohën e fundit do të ketë tallës që do të ecin sipas pasioneve të tyre të paudhësisë.

19 Këta janë ata që shkaktojnë përçarjet, njerëz mishor, që s’kanë Frymën.

20 Por ju, shumë të dashur, duke ndërtuar veten tuaj mbi besimin tuaj shumë të shenjtë, duke u lutur në Frymën e Shenjtë,

21 ruhuni në dashurinë e Perëndisë, duke pritur mëshirën e Zotit tonë Jezu Krisht, për jetën e përjetshme.

22 Dhe kini dhemshuri për njëri duke përdorur dallim,

23 por shpëtojini të tjerët me druajtje, duke ia rrëmbyer zjarrit, dhe duke urryer edhe rroben e ndotur nga mishi.

24 Dhe atij që mund t’ju ruajë nga çdo rrëzim dhe t’ju nxjerrë para lavdisë së tij të paqortueshëm dhe me gëzim,

25 të vetmit Perëndi të ditur, Shpëtimtarit tonë, i qoftë lavdi, madhështi, sundim dhe pushtet, tani dhe përjetë. Amen.

Luka 3:1-9

Tani në vitin e pesëmbëdhjetë të mbretërimit të Tiberit Cezar, kur Ponc Pilati ishte qeveritari i Judesë, Herodi tetrarku i Galilesë, i vëllai, Filipi, tetrarku i Itureas dhe i krahinës së Trakonitidës dhe Lizania tetrarku i Abilenës,

nën kryepriftërinjtë Ana dhe Kajfa, fjala e Perëndisë iu drejtua Gjonit, birit të Zakarias, në shkretëtirë.

Atëherë ai e përshkoi gjithë krahinën përreth Jordanit, duke predikuar një pagëzim pendimi për faljen e mëkateve,

ashtu siç është shkruar në librin e fjalëve të profetit Isaia, që thotë: “Ja zëri i njërit që bërtet në shkretirë: Përgatitni udhën e Zotit, drejtoni shtigjet e tij!

Çdo luginë të jetë e mbushur dhe çdo mal e kodër të jetë sheshuar; vendet dredha-dredha të drejtohen dhe rrugët e vështira të sheshohen

dhe çdo mish do të shohë shpëtimin e Perëndisë.”

Ai, pra, u thoshte turmave që shkonin të pagëzoheshin prej tij: “Pjellë nepërkash, kush ju ka mesuar t’i arratiseni zemërimit që po vjen?

Bëni, pra, fryte të denja pendimi dhe mos filloni të thoni brenda jush: Ne kemi Abrahamin për Atë,," sepse unë po ju them se Perëndia mund t’i nxjerrë fëmijë Abrahamit edhe nga këta gurë.

Tashmë sëpata u vu në rrënjë të pemëve; çdo pemë që nuk jep fryt të mirë do të pritet dhe do të hidhet në zjarr.”