Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 37

37 Mos u dëshpëro për shkak të njerëzve të këqij; mos ki smirë ata që veprojnë me ligësi,

sepse ata shpejt do të kositen si bari dhe do të thahen si bari i blertë.

Ki besim tek Zoti dhe bëj të mira; bano vendin dhe shto besnikërinë.

Gjej kënaqësinë tënde në Zotin dhe ai do të plotësojë dëshirat e zemrës sate.

Vendose fatin tënd tek Zoti, ki besim tek ai dhe ai ka për të vepruar.

Ai do të bëjë të shkëlqejë drejtësia jote si drita dhe ndershmëria e saj si mesdita.

Rri në heshtje para Zotit dhe prite atë; mos u hidhëro për atë që i shkojnë mbarë punët e veta, për njeriun që ndjek planet e këqija të tij.

Hiq dorë nga zemërimi dhe lëre përbuzjen; mos u dëshpëro; kjo do të të çonte edhe ty të bëje të keqen.

Sepse njerëzit e këqij do të shfarosen, por ata që shpresojnë tek Zoti do të bëhen zotër të tokës.

10 Edhe pak dhe i pabesi nuk do të jetë më; po, ti do të kërkosh me kujdes vendin e tij dhe ai nuk do të jetë më.

11 Por zemërbutët do të zotërojnë tokën dhe do të gëzojnë një paqe të madhe.

12 I pabesi komploton kundër të drejtit dhe kërcëllin dhëmbët kundër tij.

13 Zoti qesh me të, sepse e sheh që vjen dita e tij.

14 Të pabesët kanë nxjerrë shpatën dhe kanë nderur harkun e tyre për të rrëzuar të mjerin dhe nevojtarin, për të vrarë ata që ecën drejt në rrugën e tyre.

15 Shpata e tyre do të hyjë në zemrën e tyre dhe harqet e tyre do të thyhen.

16 Vlen më tepër e pakta e të drejtit se sa bollëku i shumë të pabesëve.

17 Sepse krahët e të pabesëve do të thyhen, por Zoti i përkrah të drejtët.

18 Zoti i njeh ditët e njerëzve të ndershëm dhe trashëgimia e tyre do të vazhdojë përjetë.

19 Ata nuk do të ngatërrohen në kohën e fatkeqësisë dhe në ditët e zisë do të ngopen.

20 Por të pabesët do të vdesin dhe armiqtë e Zotit do të konsumohen dhe do të bëhen tym si dhjami i qengjave.

21 I pabesi merr hua dhe nuk e kthen, por i drejti ka mëshirë dhe dhuron.

22 Sepse të bekuarit nga Zoti do të trashëgojnë tokën, por ata që janë mallkuar prej tij do të shfarosen.

23 Hapat e njeriut i drejton Zoti, kur atij i pëlqejnë rrugët e tij.

24 Por kur njeriu rrëzohet, nuk shtrihet për tokë, sepse Zoti e mban për dore.

25 Unë kam qenë fëmijë dhe tani jam plakur, por nuk e kam parë kurrë të drejtin të braktisur dhe pasardhësit e tij të lypin bukë.

26 Ai ka mëshirë dhe jep kurdoherë hua; dhe pasardhësit e tij janë në bekim.

27 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, dhe do të kesh një banesë të përjetshme.

28 Sepse Zoti e do drejtësinë dhe nuk ka për t’i braktisur kurrë shenjtorët e tij; ata do të ruhen përjetë, ndërsa pasardhësit e të pabesëve do të shfarosen.

29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën dhe do të banojnë gjithnjë mbi të.

30 Nga goja e të drejtit del dituri dhe gjuha e tij flet për drejtësi.

31 Ligji i Perëndisë të tij është në zemrën e tij; hapat e tij nuk do të lëkunden.

32 I pabesi spiunon të drejtin dhe përpiqet ta vrasë.

33 Zoti nuk do ta lërë në duart e tij dhe nuk do të lejojë që të dënohet, kur të gjykohet.

34 Ki shpresë të patundur tek Zoti dhe ndiq rrugën tij, dhe ai do të të lartojë me qëllim që ti të trashëgosh tokën; kur të pabesët të jenë të shfarosur, ti do ta shikosh.

35 E pashë njeriun e pushtetshëm dhe të furishëm të begatohet si një pemë e gjelbër në tokën e tij të lindjes,

36 por pastaj u zhduk; dhe ja, nuk është më; e kërkova, por nuk e gjeta më.

37 Ki kujdes për njeriun e ndershëm dhe këqyr njeriun e drejtë, sepse e ardhmja e këtij njeriu do të jetë paqja.

38 Por shkelësit do të shkatërrohen të gjithë; në fund të pabesët do të dërrmohen.

39 Por shpëtimi i të drejtëve vjen nga Zoti; ai është kështjella e tyre në kohën e fatkeqësisë.

40 Dhe Zoti i ndihmon dhe i çliron; i çliron nga të pabesët dhe i shpëton, sepse kanë gjetur strehë tek ai.

Isaia 7:1-9

Ndodhi në ditët e Ashazit, birit të Jothamit, birit të Uziahut, mbret i Judës, që Retsini, mbret i Sirisë dhe Pekahu, bir i Remaliahut, mbret i Izraelit, dolën për luftë kundër Jeruzalemit, por nuk arritën ta shtien në dorë.

Prandaj ia referuan shtëpisë së Davidit duke thënë: "Sirët kanë ngritur kampin e tyre në Efraim". Kështu zemra e Ashazit dhe zemra e popullit të tij u drodhën, ashtu si dridhen drurët e pyllit nga era.

Atëherë Zoti i tha Isaias: "Dil përpara Ashazit, ti dhe biri yt Shear-Jashubi, në skajin e kanalit të hauzit të sipërm në rrugën e arës së larësit,

dhe thuaji: Shiko të rrish i qetë, mos ki frikë dhe zemra jote të mos ligështohet për shkak të këtyre dy mbeturinave të urës së zjarrit që nxjerr tym, për zemërimin e zjarrtë të Retsinit dhe të Sirisë, dhe të birit të Remaliahut.

Sepse Siria, Efraimi dhe i biri i Remaliahut kanë menduar të këqija kundër teje, duke thënë:

"Të dalim kundër Judës, ta temerrojmë, të hapim një të çarë në muret e saj dhe të vendosim si mbret në mesin e saj të birin e Tabeelit"".

Kështu thotë Zoti, Zoti: "Kjo nuk ka për të ardhur, nuk ka për të ndodhur,

sepse kryeqyteti i Sirisë është Damasku dhe i pari i Damaskut është Retsini. Brënda gjashtëdhjetë e pesë vjetve Efraimi do të bëhet copë-copë dhe nuk do të jetë më popull.

Kryeqyteti i Efraimit është Samaria dhe i pari i Samarisë është i biri i Remaliahut. Po të mos besoni, me siguri nuk do të bëhemi të qëndrueshëm".

2 Thesalonikasve 2:1-12

Ju lutemi, o vëllezër, lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht dhe me tubimin tonë me të,

të mos lejoni që menjëherë t’ju prishet mendja ose të trazoheni as prej fryme, as prej fjale, as prej ndonjë letre gjoja të shkruar prej nesh, thua se ja, erdhi dita e Krishtit.

Askush të mos ju gënjejë kursesi, sepse ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u shfaqur njeriu i mëkatit, i biri i humbjes,

kundërshtari, ai që lartëson veten mbi çdo gjë që quhet perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të shkojë e të rrijë në tempullin e Perëndisë si Perëndi, duke e paraqitur veten se është Perëndi.

A nuk ju bie ndër mend se, kur isha akoma ndër ju, jua thoja këto gjëra?

Tani e dini atë që e ndalon atë që të shfaqet vetëm në kohën e vet.

Misteri i paudhësisë në fakt është tashmë në veprim, duke pritur vetëm që të hiqet nga mesi ai që e ndalon tashti.

Atëherë do të shfaqet ky i paudhë, të cilin Zoti do ta shkatërrojë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij.

Ardhja e atij të paudhi do të bëhet me anë të veprimit të Satanit, bashkë me çudira, shenja dhe mrrekullish të rreme,

10 dhe nga çdo mashtrim ligësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan ta duan të vërtetën për të qenë të shpëtuar.

11 E prandaj Perëndia do t’u dërgojë atyre një gënjim që do t’i bëjë të gabojnë, që t’i besojnë gënjeshtrës,

12 që të dënohen të gjithë ata që nuk i besuan së vërtetës, por përqafuan ligësinë!

Luka 22:1-13

22 Ndërkaq po afrohej festa e të Ndormëve, që quhet Pashkë.

Dhe krerët e priftërinjve e skribët kërkonin mënyrën se si ta vrisnin, sepse kishin frikë nga populli.

Atëherë Satani hyri në Judën, i mbiquajtur Iskariot, që ishte një nga të dymbëdhjetët.

Kështu ai shkoi të merret vesh me krerët e priftërinjve e dhe me krerët e rojës për mënyrën se si do ta tradhtonte.

Ata u gëzuan dhe i premtuan t’i japin para.

Dhe ai pranoi dhe kërkonte rastin e volitshëm për t’ua dorëzuar pa qenë e pranishme turma.

Tani erdhi dita e të Ndormëve, kur duhet therur flijimi i Pashkës.

Dhe Jezusi dërgoi Pjetrin dhe Gjonin duke u thënë: “Shkoni e na bëni gati Pashkën, që ne ta hamë.”

Dhe ata e thanë: “Ku dëshiron ta përgatisim?.”

10 Atëherë ai tha atyre: “Ja, kur të hyni në qytet, do t’ju dalë përpara një njeri që mban një brokë uji; ndiqeni në shtëpinë ku ai do të hyjë.

11 I thoni të zotit të shtëpisë: "Mësuesi të çon fjalë: Ku është salla, në të cilën mund të ha Pashkën bashkë me dishepujt e mi?".

12 Atëherë ai do t’ju tregojë një sallë të madhe të shtruar; aty do të bëni përgatitjet.”

13 Ata shkuan, pra, dhe gjetën ashtu siç u tha dhe përgatitën Pashkën.