Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 30

30 Do të të lëvdoj, o Zot, sepse ti më ngrite lart, dhe nuk i lejove armiqtë e mi të tallen me mua.

O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.

O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë.

I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij,

sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.

Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë".

O Zot, për hirin tënd e kishe fortësuar malin tim, ti e fshehe fytyrën tënde, dhe unë mbeta i trembur.

Unë të klitha ty, o Zot, iu luta fort Zotit,

duke thënë: "Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im po të jetë se zbres në gropë? A mundet pluhuri të të kremtojë? A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde?

10 Dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, o Zot, bëhu ti ndihma ime".

11 Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim,

12 me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë.

Psalmet 32

32 Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!

Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi.

Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën.

Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. (Sela)

Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit," dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)

Prandaj çdo njeri i përshpirtshëm do të të thërrase në kohën që mund të gjendesh; edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai.

Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi. (Sela)

Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.

Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen.

10 Të shumta janë dhembjet e të pabesit, por ai që ka besim tek Zoti do të rrethohet nga mirësia e tij.

11 Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.

Psalmet 42-43

42 Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.

Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?

Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".

Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.

Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.

O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit.

Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua.

Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë të jetës sime.

Unë do t’i them Perëndisë, kështjellës sime: "Pse më harrove? Pse endem i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?".

10 Kockat e mia po vuajnë për vdekje për shkak të fyerjeve nga ana e armive të mi, që më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".

11 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma; ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.

43 Siguromë drejtësi, o Perëndi, dhe mbro çështjen time nga njerëzit e këqij; më çliro nga njeriu i rremë dhe i lig.

Mbasi ti je Perëndia që më jep forcë, pse më ke kthyer? Pse shkoj i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?

Dërgo dritën tënde dhe të vërtetën tënde; këto le të më udhëheqin dhe të më çojnë në malin tënd të shenjtë dhe në vendin e banesës sate.

Atëherë un do të vij tek altari i Perëndisë, te Perëndia, që është gëzimi im dhe kënaqësia ime; do të të kremtoj me qeste, o Perëndi, Perëndia im.

Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon brenda meje? Ki shpresë te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma, sepse ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.

Isaia 8:1-15

Zoti më tha: "Merr një rrasë të madhe dhe shkruaj mbi të me shkronja të zakonshme: "Maher-Shalal-Hash-Baz"".

Atëherë mora me vete për të dëshmuar si dëshmitarë të besuar, priftin Uria dhe Zakarian, birin e Jaberekiahut.

U bashkova gjithashtu me profeteshën dhe kjo mbeti shtatzënë dhe lindi një djalë. Atëherë Zoti më tha: "Quaje Maher-Shalal-Hash-Baz;

sepse para se fëmija të dijë të thotë: "Ati im," o "Nëna ime," pasuritë e Damaskut dhe plaçka e Samarias do të çohen para mbretit të Asirisë".

Zoti më foli akoma dhe më tha:

"Me qenë se ky popull ka përçmuar ujërat e Siloeut që rrjedhin ëmbël dhe kënaqet për shkak të Retsinit dhe të birit të Remaliahut,

prandaj ja, Zoti do të bëjë që mbi ta të vërshojnë ujërat e Lumit, të fuqishme dhe të bollshme, domethënë mbreti i Asirisë dhe tërë lavdia e tij; do të ngrihet mbi të gjitha kanalet e tij dhe do të vërshojë nga të gjitha brigjet e tij.

Do të kalojë nëpërmes Judës, do të vërshojë dhe do të kalojë përtej deri sa të arrijë te qafa dhe krahët e tij të shpalosur do të mbulojnë tërë hapësirën e vendit tënd, o Emanuel.

Bashkohuni, pra, madje me vrull, o popuj, por do të bëheni copë-copë, dëgjoni, o ju mbarë vënde të largëta. Ngjeshuni, pra, por do të bëheni copë-copë; ngjeshuni, pra, por do të bëheni copë-copë.

10 Bëni, pra, plane, por do të dalin bosh. Thoni një fjalë, por ajo nuk do të realizohet, sepse Perëndia është me ne".

11 Sepse kështu më ka folur Zoti me dorë të fuqishme dhe më ka lajmëruar të mos eci nëpër rrugën e këtij populli, duke thënë:

12 "Mos quani përbetim të gjitha ato që ky popull i quan përbetim, mos kini frikë nga ajo që ai druan dhe mos u trembni.

13 Zotin e ushtrive, atë duhet të shenjtëroni. Ai të jetë frika juaj, tmerri juaj".

14 Ai do të jetë një shenjtërore, por edhe një gur pengese, një shkëmb pengimi për të dy shtëpitë e Izraelit, një lak dhe një kurth për banorët e Jeruzalemit.

15 Midis tyre shumë persona do të pengohen, do të bien, do të bëhen copë, do të mbeten në lak dhe do të kapen.

2 Thesalonikasve 3:6-18

Dhe ju porositim, o vëllezër, në emër të Zotit tonë Jezu Krisht, që të largoheni nga çdo vëlla që ecën i çrregullt dhe jo sipas porosisë që keni marrë prej nesh.

Sepse ju e dini vetë se si duhet të na shëmbëlleni, sepse ne nuk u sollëm në mënyrë të çrregullt midis jush,

dhe nuk kemi ngrënë falas bukën e ndonjërit, por punuam me mundim e cfilitje ditë e natë, që të mos i bëheshim barrë asnjërit prej jush.

Jo se ne nuk e kemi këtë të drejtë, po për t’ju dhënë ne vetë një shëmbull që ju të na imitonit.

10 Në fakt, edhe kur ishim në mes tuaj, ju porosisnim këtë: se po qe se ndonjë nuk do të punojë, as të mos hajë.

11 Në fakt dëgjojmë se disa prej jush që ecin në mënyrë të çrregullt, nuk bëjnë asgjë dhe merren me gjëra të kota.

12 Këta i porosisim dhe i bëjmë thirrje në Zotin tonë Jezu Krisht, që të hanë bukën e tyre duke punuar shtruar.

13 Dhe sa për ju, o vëllezër, mos u lodhni së bëri të mirën.

14 Dhe nëqoftëse dikush nuk i bindet fjalës sonë në këtë letër, shënojeni atë dhe mos u shoqëroni me të, që ai të turpërohet.

15 Por mos e mbani atë si një armik, po këshillojeni si vëlla.

16 Dhe vetë Zoti i paqes ju dhëntë vazhdimisht paqe në çdo mënyrë. Zoti qoftë me ju të gjithë.

17 Të falat me shëndet janë nga dora ime, nga mua, Pali; dhe kjo është një shenjë në çdo letër prej meje; unë shkruaj kështu.

18 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju të gjithë. Amen.

Luka 22:31-38

31 Edhe Zoti tha: “Simon, Simon, ja, Satani ka kërkuar t’ju shoshë ashtu siç shoshet gruri.

32 Por unë jam lutur për ty, që besimi yt të mos mpaket; dhe ti, kur të jesh kthyer, forco vëllezërit e tu.”

33 Por ai tha: “Zot, unë jam gati të shkoj bashkë me ty edhe në burg edhe në vdekje.”

34 Por Jezusi tha: “Pjetër, unë të them se sot gjeli nuk do të këndojë, para se ti të kesh mohuar tri herë se më njeh.”

35 Pastaj u tha atyre: “Kur ju dërgova pa trasta, pa thes dhe pa sandale, vallë a ju mungoi gjë?.” Dhe ata thanë: “Asgjë.”

36 U tha, pra, atyre: “Po tani, kush ka një trastë le ta marrë me vete, dhe po kështu thesin; dhe kush nuk ka shpatë, le të shesë rrobën e vet e ta blejë një.

37 Sepse unë po ju them se çfarë është shkruar duhet të plotësohet ende në mua: "Dhe ai është radhitur ndër keqbërësit". Sepse ato gjëra që janë shkruar për mua do të kenë kryerjen e tyre.”

38 Atëherë ata thanë: “Zot, ja këtu dy shpata.” Por ai u tha atyre “Mjaft!.”