Book of Common Prayer
26 Siguromë drejtësi, o Zot, sepse kam ecur në ndershmërinë time dhe kam pasur besim te Zoti pa u lëkundur.
2 Më heto, o Zot, dhe më vër në provë; pastro me zjarr trurin dhe zemrën time.
3 Sepse mirësia jote më rri përpara syve dhe unë po eci në vërtetësinë tënde.
4 Nuk ulem me njerëz gënjeshtarë dhe nuk shoqërohem me njerëz hipokritë.
5 Unë urrej tubimin e njerëzve të këqij dhe nuk bashkohem me të pabesët.
6 Unë i laj duart e mia në çiltërsi dhe i shkoi rrotull altarit tënd, o Zot,
7 për të shpallur me zë të lartë lavdinë tënde dhe për të treguar tërë mrekullitë e tua.
8 O Zot, unë e dua selinë e shtëpisë sate dhe vendin ku qëndron lavdia jote.
9 Mos e vër shpirtin tim bashkë me atë të mëkatarëve dhe mos më bashko me njerëzit gjakatarë,
10 sepse ata kanë në duart e tyre plane të këqija dhe dora e tyre e djathtë është plot dhurata.
11 Por unë do të eci në ndershmërinë time; më shpengo dhe ki mëshirë për mua.
12 Këmba ime është e qëndrueshme në vënd të sheshtë. Në kuvende unë do të bekoj Zotin.
28 Ty të këlthas, o Zot, o kështjella ime; mos rri në heshtje, sepse po të mos flasësh ti, unë bëhem njëlloj si ata që zbresin në gropë.
2 Dëgjo zërin e lutjeve të mia kur të këlthas ty për ndihmë, kur ngre duart në drejtim të vendit tënd shumë të shenjtë.
3 Mos më tërhiq bashkë me të pabesët dhe ata që kryejnë paudhësi, të cilët flasin për paqe me të afërmit e tyre, por kanë shpirtligësi në zemër.
4 Jepu atyre sipas veprave që kanë kryer dhe sipas ligësisë së veprimeve të tyre; jepu atyre sipas veprës së duarve të tyre; jepu atyre hakun që meritojnë.
5 Duke qenë se ata nuk i çmojnë veprat e Zotit dhe atë që duart e tij kanë bërë, ai do t’i mposhtë dhe nuk do t’i lërë të begatohen.
6 I bekuar qoftë Zoti, sepse ka dëgjuar zërin e lutjeve të mia.
7 Zoti është forca ime dhe mburoja ime; zemra ime ka pasur besim tek ai dhe unë u ndihmova; prandaj zemra ime ngazëllen dhe unë do ta kremtoj këtë me këngën time.
8 Zoti është forca e popullit të tij, dhe streha e shpëtimit për të vajosurin e tij.
9 Shpëto popullin tënd dhe beko trashëgiminë tënde; ushqeji dhe përkrahi përjetë.
36 Mëkati i të pabesit i thotë zemrës sime: "Nuk ekziston asnjë frikë nga Perëndia përpara syve të tij.
2 Sepse ai gënjen veten e tij në kërkimin e fajit që ka kryer në urrejtjen ndaj tij.
3 Fjalët e gojës së tij janë paudhësi dhe mashtrim; ai ka pushuar së qeni i urtë dhe nuk bën më të mira.
4 Ai thur paudhësi në shtratin e tij; vihet në një rrugë që nuk është e mirë dhe që nuk e dënon të keqen".
5 O Zot, mirësia jote arrin deri në qiell dhe besnikëria jote deri te retë.
6 Drejtësia jote është si malet e Perëndisë, dhe gjykimet e tua janë si një humnerë e madhe. O Zot, ti ruan njerëz dhe kafshë.
7 O Perëndi, sa e çmuar është mirësia jote! Prandaj bijtë e njerëzve gjejnë strehë nën hijen e krahëve të tu;
8 ata ngopen me bollëkun e shtëpisë sate, dhe ti u heq etjen në përroin e kënaqësive të tua.
9 Sepse pranë teje është burimi i jetës, dhe me anë të dritës sate ne shohim dritën.
10 Zgjate mirësinë tënde ndaj atyre që të njohin dhe drejtësinë tënde ndaj atyre që janë të drejtë nga zemra.
11 Mos më vëntë këmbën kryelarti dhe dora e të pabesit mos më marrtë me vete.
12 Ja, ata që kryejnë paudhësi kanë rënë; i kanë rrëzuar për tokë dhe nuk mund të ringjallen përsëri.
39 Unë thoja: "Do të kujdesem për sjelljen time që të mos kryej mëkate me gjuhën time; do t’i vë një fre gojës sime, sa kohë që i pabesi rri para meje".
2 Kam qëndruar i heshtur dhe i qetë, i jam përmbajtur pikërisht së mirës, dhe dhembja ime është ashpërsuar.
3 Zemra më digjte përbrenda; ndërsa mendohesha, një zjarr u ndez; atëherë fola me gjuhën time:
4 "O Zot, bëmë të njohur fundin tim dhe cila është masa e ditëve të mia; vepro në mënyrë që unë të di sa i brishtë jam.
5 Ja, ti i ke pakësuar ditët e mia aq sa është e gjatë një pëllëmbë, dhe zgjatja e jetës sime është si asgjë para teje; po, çdo njeri në gjendjen e tij më të mirë nuk është veçse avull. (Sela)
6 Po, njeriu sillet rreth e qark si një hije; po më kot lodhen të gjithë dhe grumbullojnë pasuri pa ditur kush do t’i mbledhë!
7 Por tani, o Zot, çfarë pres? Shpresa ime është te ti.
8 Çliromë nga të gjitha fajet e mia; bëj që të mos jem objekt i talljes nga njeriu pa mend.
9 Do të qëndroj në heshtje, nuk kam për të hapur gojën, sepse ti je ai që vepron.
10 Largo nga unë fshikullin tënd; unë po marr fund nën goditjet e dorës sate.
11 Ti e korrigjon njeriun duke dënuar mëkatin e tij dhe konsumon si një krimb atë që për të është e çmuar. Po, çdo njeri nuk është veçse kotësi. (Sela)
12 O Zot, dëgjo lutjen time dhe vëri veshin britmës sime; mos u trego i shurdhër ndaj lotëve të mi, sepse para teje unë jam një i huaj dhe një shtegtar si të gjithë etërit e mi.
13 Hiqe shikimin tënd nga unë, me qëllim që unë të marr përsëri fuqi para se të iki dhe të mos jem më".
13 Prandaj populli im shkon në robëri për mungesë njohurie, fisnikëria e tij vdes nga uria dhe turma e tij do të digjet nga etja.
14 Prandaj Sheoli ka zmadhuar gojën e tij dhe e ka hapur gojën e tij jashtë mase, dhe në të do të zbresin lavdia e tij, turma e tij, zhurma e tij dhe ai që feston në të.
15 Njeriu i zakonshëm do të përulet, njeriu i rëndësishëm do të ulet dhe sytë e krenarëve do të përulen.
16 Por Zoti i ushtrive do të jetë lartësuar në gjyq, dhe Perëndia i shenjtë do të tregohet i shenjtë në drejtësi.
17 Atëherë qengjat do të kullosin si në kullotat e tyre dhe të huajtë do të përpijnë arat e shkretuara të të pasurve.
24 Prandaj, ashtu si një gjuhë zjarri përpin kallamishtet dhe flaka konsumon kashtën, kështu rrënja e tyre do të hiqet si një kalbësirë dhe lulja e tyre do të hiqet si të ishte pluhur, sepse kanë hedhur poshtë ligjin e Zotit të ushtrive dhe kanë përçmuar fjalën e të Shenjtit të Izraelit.
25 Për këtë zemërimi i Zotit është ndezur kundër popullit të tij; ai ka shtrirë dorën e vet kundër tij dhe e ka goditur; kështu malet u drodhën dhe kufomat e tyre rrinë si mbeturina në mes të rrugëve; megjithëkëtë zemërimi i tij nuk është qetësuar dhe dora e tij rri e shtrirë.
12 Tashmë, vëllezër, ju lutemi të keni respekt për ata që mundohen midis jush, që janë në krye ndër ju në Zotin dhe që ju qortojnë,
13 edhe t’i vlerësoni shumë në dashuri për veprën e tyre. Jetoni në paqe midis jush.
14 Tani, vëllezër, ju bëjmë thirrje t’i qortoni të parregulltit, të ngushëlloni zemërlëshuarit, të ndihmoni të dobëtit dhe të jeni të duruar me të gjithë.
15 Vështroni se mos dikush t’ia kthejë dikujt të keqen me të keqen; po kërkoni gjithmonë të mirën edhe te njeri tjetri edhe te të gjithë.
16 Jini gjithmonë të gëzuar.
17 Lutuni pa pushim.
18 Për çdo gjë falënderoni sepse i tillë është vullneti i Perëndisë në Krishtin Jezus për ju.
19 Mos e shuani Frymën.
20 Mos i përbuzni profecitë.
21 Provoni të gjitha, mbani të mirën.
22 Hiqni dorë nga çdo dukje e ligë.
23 Dhe Perëndia i paqes ju shenjtëroftë ai vetë tërësisht; dhe gjithë fryma juaj, shpirt e trup, të ruhet pa të metë për ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht.
24 Besnik është ai që ju thërret, i cili edhe do ta bëjë.
25 Vëllezër, lutuni për ne.
26 Përshëndetni të gjithë vëllezërit me puthje të shenjtë.
27 Ju përbetoj për Zotin që kjo letër t’u lexohet gjithë vëllezërve të shenjtë.
28 Hiri i Zotit tonë Jezu Krisht qoftë me ju. Amen.
29 Pastaj u tha atyre një shëmbëlltyrë: “Vini re fikun dhe të gjitha pemët.
30 Kur ata nisin e mugullojnë, duke i parë, ju vete e kuptoni se vera është afër;
31 kështu edhe ju, kur do të shikoni se po ndodhin këto, ta dini se mbretëria e Perëndisë është afër.
32 Në të vërtetë unë po ju them se nuk do të kalojë ky brez, derisa të gjitha këto gjëra të kenë ndodhur.
33 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.”
34 “Tani kini kujdes që zemrat tuaja të mos rëndohen nga të llupurit, nga të dehurit dhe nga preokupimet e kësaj jete; që ajo ditë të mos ju zërë në befasi.
35 Sepse do të vijë si një lak mbi të gjithë ata që banojnë mbi faqen e mbarë dheut.
36 Prandaj, rrini zgjuar dhe lutuni kurdoherë që të çmoheni të denjë të shpëtoni nga të gjitha ato që do të ngjasin dhe të dilni para Birit të njeriut.”
37 Gjatë ditës ai mësonte në tempull, dhe natën dilte dhe e kalonte jashtë, në malin e Ullinjve.
38 Dhe gjithë populli, herët në mëngjes, erdhi tek ai në tempull për ta dëgjuar.