Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
34 Pastaj Moisiu u ngjit nga fusha e Moabit në Malin Nebo, në majën e Pisgahut, që ndodhet në bregun e kundërt të Jerikos. Dhe Zoti i tregoi tërë vendin e Galaadit deri në Dan,
2 tërë Naftalin, vendin e Efraimit dhe të Manasit, tërë vendin e Judës deri në detin perëndimor,
3 Negevin dhe fushën e luginës të Jerikos, qytet i palmave, deri në Tsoar.
4 Zoti tha: "Ky është vendi që u premtova me betim Abrahamit, Isakut dhe Jakobit, duke u thënë: "Unë do t’ua jap pasardhësve tuaj". Ti e pe me sytë e tua, por nuk do të hysh në të!".
5 Kështu Moisiu, shërbëtori i Zoit, vdiq aty, në vendin e Moabit, simbas fjalës së Zotit.
6 Dhe Zoti e varrosi në luginën e vendit të Moabit, përballë Beth-Peorit; dhe askush nuk e ka mësuar deri më sot vendin e varrit të tij.
7 Moisiu ishte njëqind e njëzet vjeç kur vdiq; shikimi i tij nuk ishte dobësuar dhe fuqia e tij nuk i qe mpakur.
8 Bijtë e Izraelit e qanë në fushat e Moabit tridhjetë ditë; pastaj ditët e zisë dhe të vajtimit për Moisiun morën fund.
9 Atëherë Jozueu, bir i Nunit, u mbush me frymën e diturisë, sepse Moisiu kishte vënë duart mbi të; kështu bijtë e Izraelit iu bindën atij dhe vepruan ashtu si e kishte urdhëruar Moisiun Zoti.
10 Nuk doli më në Izrael një profet i ngjashëm me Moisiun, me të cilin Zoti fliste sy për sy,
11 në të gjitha shenjat dhe mrekullitë që Zoti e dërgoi të bënte në vendin e Egjiptit para Faraonit, para tërë shërbëtorëve të tij dhe tërë vendit të tij,
12 në të gjithë madhështinë e fuqisë dhe në të gjitha gjërat e mëdha dhe të tmerrshme që Moisiu kreu përpara syve të të gjithë Izraelit.
90 O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.
2 Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.
3 Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".
4 Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.
5 Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.
6 Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.
13 Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.
14 Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.
15 Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë.
16 Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.
17 Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona.
2 Sepse ju vetë, vëllezër, e dini se ardhja jonë ndër ju nuk qe e kotë.
2 Por, mbasi hoqëm më parë dhe mbasi na shanë në Filipi, sikurse e dini, ne morëm guxim në Perëndinë tonë të shpallim ndër ju ungjillin e Perëndisë midis kaq përpjekjesh.
3 Sepse nxitja jonë nuk vjen nga mashtrimi, as nga qëllime të pa ndershme, as nga dredhia;
4 por, duke qenë se u miratuam prej Perëndisë që të na besohet ungjilli, kështu ne flasim jo që t’u pëlqejmë njerëzve, por Perëndisë, që provon zemrat tona.
5 Ne, pra, nuk kemi përdorur kurrë, sikurse e dini mirë, fjalë lajkatuese, dhe as nuk jemi nisur nga motive lakmie; Perëndia është dëshmitar.
6 Dhe nuk kemi kërkuar lavdi prej njerëzve, as prej jush, as prej të tjerësh, megjithëse mund t’ju bëheshim barrë si apostuj të Krishtit.
7 Përkundrazi qemë zemërbutë midis jush, ashtu si mëndesha që rrit me dashuri fëmijët e saj.
8 Kështu, duke pasur një dashuri të madhe ndaj jush, ishim të kënaqur duke ju komunikuar jo vetëm ungjillin e Perëndisë, por edhe vetë jetën tonë, sepse na u bëtë të dashur.
34 Atëherë farisenjtë, kur dëgjuan se ai ua kishte zënë gojën saducenjve, u mblodhën tok.
35 Dhe një nga ata, mësues i ligjit, e pyeti për të vënë në provë, duke thënë:
36 “Mësues, cili është urdhërimi i madh i ligjit?.”
37 Dhe Jezusi i tha: “"Duaje Zotin, Perëndinë tënde me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde".
38 Ky është urdhërimi i parë dhe i madhi.
39 Dhe i dyti, i ngjashëm me këtë, është: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten".
40 Nga këto dy urdhërime varet i tërë ligji dhe profetët.”
41 Tani, kur u mblodhën farisenjtë, Jezusi i pyeti:
42 “Ç’u duket juve për Krishtin? Biri i kujt është?.” Ata i thanë: “I Davidit.”
43 Ai u tha atyre: “Si pra Davidi, në Frymë, e quan Zot, duke thënë:
44 "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, deri sa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua"?
45 Në qoftë se Davidi e quan Zot, si mund të jetë biri i tij?.”
46 Por asnjë nuk ishte në gjendje t’i përgjigjej; dhe, që nga ajo ditë, askush nuk guxoi ta pyesë më.