Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
17 Pastaj tërë asambleja e bijve të Izraelit u nis nga shkretëtira e Sinit, duke marshuar me etapa sipas urdhrave të Zotit, dhe u vendos në Redifim. Por nuk kishte ujë të pijshëm për popullin.
2 Atëherë populli u grind me Moisiun dhe i tha: "Na jep ujë për të pirë". Moisiu u përgjigj: "Pse grindeni me mua? Pse tundoni Zotin?".
3 Atje populli pati etje për ujë dhe murmuriti kundër Moisiut, duke thënë: Pse na bëre të ikim nga Egjipti që të vdesim nga etja ne, bijtë tanë dhee bagëtia jonë?".
4 Kështu Moisiu i thirri Zotit, duke i thënë: "Çfarë të bëj për këtë popull? Edhe pak dhe ata do të më vrasin me gurë".
5 Zoti i tha Moisiut: "Kalo para popullit dhe merr me vete disa pleq nga Izraeli; merr në dorë edhe bastunin me të cilin rrahe lumin, dhe nisu.
6 Ja, unë do të rri përpara teje, atje mbi shkëmbin në Horeb; ti do të rrahësh shkëmbin, prej të cilit do të burojë ujë dhe populli do të pijë". Kështu bëri Moisiu para syve të pleqve të Izraelit.
7 Prandaj e quajti këtë vend Masa dhe Meriba për shkak të grindjeve që pati me bijtë e Izraelit, dhe sepse kishin tunduar Zotin, duke thënë: "A është vallë Zoti në mes nesh, apo jo?".
78 Kushtoji kujdes, o populli im, ligjit tim; dëgjo fjalët e gojës sime.
2 Do të hap gojën time për të thënë shëmbëlltyra, dhe kam për të paraqitur misteret e kohërave të lashta.
3 Atë që ne kemi dëgjuar dhe kemi njohur, dhe që etërit tanë na kanë treguar,
4 nuk do t’ua fshehim bijve të tyre, por do t’i tregojmë brezit të ardhshëm lavdet e Zotit, fuqinë e tij dhe mrekullinë që ai ka bërë.
12 Ai bëri mrekulli në prani të etërve të tyre, në vendin e Egjiptit dhe në fushën e Tsoanit.
13 Ai e ndau detin dhe i bëri të kalojnë në mes të tij, dhe i mblodhi ujërat si një grumbull.
14 Ditën drejtoi me anë të resë dhe tërë natën me një dritë zjarri.
15 I çau shkëmbinjtë në shkretëtirë dhe i bëri të pijnë boll, si të ishte uji i humnerës së madhe.
16 Nxori rrëket nga shkëmbi dhe bëri që të rridhnin ujëra si lumenj.
2 Pra, në qofte se ka ndonjë ngushëllim në Krisht, ndonjë ngushëllim dashurie, ndonjë pjesëmarrje të Frymës, ndonjë mallëngjim e dhembshuri,
2 atëherë e bëni të plotë gëzimin tim, duke pasur të njejtin mendim, të njëjtën dashuri, një unanimitet dhe një mendje të vetme.
3 Mos bëni asgjë për rivalitet as për mendjemadhësi, por me përulësi, secili ta çmojë tjetrin më shumë se vetveten.
4 Mos mendojë secili për interesin e vet, por edhe atë të të tjerëve.
5 Kini në ju po atë ndjenjë që ishte në Jezu Krishtin,
6 i cili, edhe pse ishte në trajtë Perëndie, nuk e çmoi si një gjë ku të mbahej fort për të qenë barabar me Perëndinë,
7 por e zbrazi veten e tij, duke marrë trajtë shërbëtori, e u bë i ngjashëm me njerëzit;
8 dhe duke u gjetur nga pamja e jashtme posi njeri, e përuli vetveten duke u bërë i bindur deri në vdekje, deri në vdekje të kryqit.
9 Prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër,
10 që në emër të Jezusit të përkulet çdo gju i krijesave (ose gjërave) qiellore, tokësore dhe nëntokësore,
11 dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jezu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë.
12 Prandaj, të dashurit e mi, ashtu sikur keni qenë gjithnjë të bindur jo vetëm kur isha i pranishëm, por edhe më shumë tani që jam larg, punoni për shpëtimin tuaj me frikë e me dridhje,
13 sepse Perëndia është ai që vepron në ju vullnetin dhe veprimtarinë, sipas pëlqimit të tij.
23 Kur hyri në tempull, krerët e priftërinjve dhe pleqtë e popullit iu afruan, ndërsa i mësonte, dhe i thanë: “Me ç’pushtet i bën ti këto gjëra? Dhe kush ta ka dhënë këtë pushtet?.”
24 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “Edhe unë do t’ju bëj një pyetje, dhe në qoftë se ju do të më përgjigjeshit, unë gjithashtu do t’ju them me ç’pushtet i kryej këto gjëra.
25 Pagëzimi i Gjonit nga erdhi? Nga qielli apo nga njerëzit?.” Dhe ata arsyetonin midis tyre duke thënë: “Po t’i themi nga qielli, do të na thotë: Përse atëhërë nuk i besuat??".
26 Në qoftë se i themi nga njerëzit, kemi frikë nga turma, sepse të gjithë e konsiderojnë Gjonin profet.”
27 Dhe iu përgjigjën Jezusit duke thënë: “Nuk e dimë.” Atëhërë ai u tha atyre: “As unë nuk do t’ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra".
28 “Ç’mendoni? Një njeri kishte dy bij dhe duke iu drejtuar të parit tha: Bir, shko sot të punosh në vreshtin timm";
29 por ai u përgjigj dhe tha: "Nuk dua"; por më vonë, i penduar, shkoi.
30 Pastaj iu kthye të dytit dhe i tha të njëjtën gjë. Dhe ai u përgjigj dhe tha: "Po, imzot, do ta bëj," por nuk shkoi.
31 Cili nga të dy e kreu vullnetin e të atit?.” Ata i thanë: “I pari.” Jezusi u tha atyre: “Në të vërtetë ju them se tagrambledhësit dhe prostitutat hyjnë para jush në mbretërinë e qiejve.
32 Sepse Gjoni erdhi tek ju në rrugën e drejtësisë, dhe iu nuk i besuat, ndërsa tagrambledhësit dhe prostitutat i besuan; as mbasi i keni parë këto gjëra, nuk u penduat për t’i besuar.”