Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 19

19 Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij.

Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës.

Nuk kanë gojë, as fjalë; zëri i tyre nuk dëgjohet;

por harmonia e tyre përhapet mbi gjithë dheun dhe mesazhi i tyre arrin deri në skajin e botës; në qiejtë Perëndia ka vënë një çadër për diellin;

dhe ai është si një dhëndër që del nga dhoma e tij e martesës; ngazëllon si një trim që përshkon rrugën e tij.

Ai del nga një skaj i qiejve dhe rrotullimi e tij arrin deri në skajin tjetër; asgjë nuk mund t’i fshihet nxehtësisë së tij.

Ligji i Zotit është i përsosur, ai e përtërin shpirtin; dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë.

Porositë e Zotit janë të drejta dhe e gëzojnë zemrën; urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe ndriçojnë sytë.

Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë; gjykimet e Zotit janë të vërteta, të gjitha janë të drejta;

10 janë më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se shumë ari i kulluar; janë më të ëmbla se mjalti, nga ai që del nga hojet.

11 Edhe shërbëtori yt mëson prej tyre; ke një shpërblim të madh duke i parë.

12 Kush i njeh gabimet e tij? Pastromë nga ato që nuk i shoh.

13 Përveç kësaj ruaje shërbëtorin tënd nga mëkatet e vullnetit, dhe bëj që ato të mos më sundojnë mua; atëherë unë do të jem i ndershëm dhe i pastër nga shkelje të mëdha.

14 U miratofshin para teje fjalët e gojës sime dhe përsiatjet e zemrës sime, o Zot, kështjella ime dhe shpëtimtari im.

Eksodi 23:10-13

10 Gjashtë vjet me radhë do të mbjellësh tokën tënde dhe do të korrësh frytet e saj;

11 por vitin e shtatë do ta lësh të pushojë dhe ajo do të mbetet djerr, me qëllim që ta gëzojnë të varfrit e popullit tënd; dhe gjëja e fshatit do të hajë atë që kanë për të lënë ata. Po ashtu do të veprosh me vreshtin tënd dhe ullinjtë e tu.

12 Gjashtë ditë do të bësh punën tënde por ditën e shtatë do të pushosh, me qëllim që kau yt dhe gomari yt të mund të pushojnë, dhe biri i shërbëtores sate dhe i huaji të mund ta marrin veten.

13 Do t’u kushtoni kujdes tërë gjërave që ju kam thënë dhe nuk do ta shqiptoni emrin e perëndive të tjerë; të mos dëgjohet të dalë nga goja juaj.

Gjoni 7:40-52

40 Shumë veta nga turma, kur i dëgjuan këto fjalë, thoshnin: “Ky është me të vërtetë Profeti!.”

41 Të tjerë thoshnin: “Ky është Krishti.” Kurse të tjerë thoshnin: “Vallë nga Galilea vjen Krishti?

42 A nuk thotë Shkrimi se Krishti vjen nga pasardhja e Davidit dhe nga Bethlehemi, fshati ku jetonte Davidi?.”

43 Kështu pati përçarje në turmë për shkak të tij.

44 Dhe disa prej tyre donin ta kapnin, por askush nuk vuri dorë mbi të.

45 Atëherë rojet u kthyen te krerët e priftërinjve dhe te farisenjtë, dhe këta u thanë atyre: “Pse nuk e sollët?.”

46 Rojet u përgjigjen: “Asnjeri nuk ka folur kurrë si ai njeri.”

47 Prandaj farisenjtë iu përgjigjën atyre: “Mos u gënjyet edhe ju?

48 Mos vallë ndonjë nga krerët ose nga farisenjtë besoi në të?

49 Por kjo turmë, që nuk e njeh ligjin, është e mallkuar.”

50 Nikodemi, një prej tyre, i cili natën kishte shkuar te Jezusi, u tha atyre:

51 “Ligji ynë dënon vallë një njeri para se ta ketë dëgjuar dhe ta dijë ç’ka bërë ai?.”

52 Ata u përgjigjën dhe i thanë: “Mos je edhe ti nga Galilea? Hulumto Shkrimet dhe do të shohësh se nga Galilea s’ka dalë kurrë profet.”