Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
90 O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.
2 Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.
3 Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".
4 Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.
5 Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.
6 Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.
13 Kthehu, o Zot! Deri kur? Dhe ki mëshirë për shërbëtorët e tu.
14 Na ngop në mëngjes me mirësinë tënde, dhe ne do të ngazëllojmë dhe do të kënaqemi në të gjitha ditët tona.
15 Na gëzo në përpjestim me ditët që na ke pikëlluar dhe në kompensim të viteve që kemi vuajtur nga fatkeqësitë.
16 Qoftë e qartë vepra jote shërbëtorëve të tu dhe lavdia jote bijve të tyre.
17 Hiri i Zotit Perëndisë tonë qoftë mbi ne dhe e bëftë të qëndrueshme veprën e duarve tona; po, bëje të qëndrueshme veprën e duarve tona.
14 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ja, dita e vdekjes sate po afrohet; thirr Jozueun dhe paraqituni në çadrën e mbledhjes me qëllim që të mund t’i jap urdhrat e mia". Moisiu dhe Jozueu shkuan, pra, të paraqiten në çadrën e mbledhjes.
15 Dhe Zoti u paraqit në çadër në një shtyllë reje; dhe shtylla e resë u ndal në hyrjen e çadrës.
16 Dhe Zoti i tha Moisiut: "Ja, ti do të shkosh të flesh bashkë me etërit e tu; dhe ky popull do të çohet dhe do të kurvërohet duke shkuar pas perëdive të huaja të vendit në mes të të cilit po shkon; dhe do të më braktisë mua dhe do të shkelë besëlidhjen që kam lidhur me të.
17 Dhe atë ditë zemërimi im do të ndizet kundër tyre; unë do t’i braktis dhe do t’u fsheh fytyrën time, dhe do të përpihen. Shumë të këqia dhe fatkeqësi do t’u bien përsipër; dhe atë ditë ata do të thonë: "Këto të këqia na kanë zënë ndofta sepse Perëndia ynë nuk është në mes nesh?".
18 Atë ditë unë do ta fsheh me siguri fytyrën time për shkak të tërë të këqiave që ata kanë bërë, duke iu drejtuar perëndive të tjera.
19 Tani shkruajeni për ju këtë kantik dhe mësojuani bijve të Izraelit; vëreni në gojën e tyre, me qëllim që ky kantik të më shërbejë si dëshmi kundër bijve të Izraelit.
20 Kur t’i kem futur në vendin, që u premtova etërve të tyre me betim, aty ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, dhe ata të kenë ngrënë, të jenë ngopur dhe të kenë vënë dhjamë, atëherë do t’u drejtohen perëndive të tjera për t’i shërbyer, dhe do të përçmojnë dhe do të shkelin besëlidhjen time.
21 Atëherë do të ndodhë që kur shumë të këqia dhe fatkeqësi do t’u kenë zënë, ky himn fetar do të dëshmojë kundër tyre, sepse ai nuk do të harrohet dhe do të mbetet mbi buzët e pasardhësve të tyre; unë njoh në fakt qëllimet e tyre, edhe para se t’i kem futur në vendin që u kam premtuar me betim".
22 Kështu Moisiu e shkrojti atë ditë këtë kantik dhe ua mësoi bijve të Izraelit.
5 Për këtë arsye të lashë në Kretë, që ti të ndreqësh mirë çështjet që janë për t’u bërë dhe që, në çdo qytet, të caktosh pleq, ashtu siç të porosita;
6 secili prej tyre të jetë i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje të vetme, të ketë fëmijë besimtarë, që të mos përfliten për jetë të shthurur dhe për pandëgjesë.
7 Sepse peshkopi, si administrues i shtëpisë së Perëndisë duhet të jetë i paqortueshëm, jo arrogant, jo zemërak, jo i dhënë pas verës, jo i dhunshëm, jo njeri që lakmon fitim të turpshëm,
8 por mikpritës, mirëdashës, i urtë, i drejtë, i shenjtë, i përmbajtur,
9 që mban fort fjalën besnike siç i është mësuar, që të jetë në gjëndje me doktrinën e shëndoshë të këshillojë dhe bindë ata që kundërshtojnë.
10 Sepse ka, veçanërisht ndërmjet atyre që janë nga rrethprerja, shumë të pabindur, llafazanë dhe mashtrues, të cilëve u duhet mbyllur goja;
11 këta ngatërrojnë familje të tëra, duke mësuar ato që s’duhet, për fitim të ndyrë.
12 Një prej tyre, pikërisht një profet i tyre, tha: "Kretasit janë gjithnjë gënjeshtarë, egërsira të këqija, barkpërtacë!"
13 Kjo dëshmi është e vërtetë; prandaj qortoji me ashpërsi, që të shëndoshen në besim,
14 pa u vënë vesh përrallave të Judenjve dhe urdhërimeve të njerëzve që largohen nga e vërteta.
15 Gjithçka është e pastër për ata që janë të pastër, por asgjë nuk është e pastër për të ndoturit dhe për ata që nuk besojnë; madje edhe mendja, edhe ndërgjegja e tyre janë të ndotura.
16 Ata pohojnë se njohin Perëndinë, po me vepra e mohojnë, sepse janë të neveritshëm, të pabindur dhe të pazotë për çfarëdo vepre të mirë.