Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
42 Ashtu si suta ka një dëshirë të madhe për rrëketë e ujit, kështu shpirti im ka një dëshirë të zjarrtë për ty, o Perëndi.
2 Shpirti im ka një etje të madhe për Perëndinë, për Perëndinë e gjallë. Kur do të vij dhe do të paraqitem para Perëndisë?
3 Lotët e mia janë bërë ushqimi im ditë e natë, ndërsa më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
4 Duke kujtuar këto gjëra, brenda vetes sime i jap shfrim të lirë shpirtit tim, sepse kisha zakon të shkoja me turmën, duke e udhëhequr në shtëpinë e Perëndisë, në mes të këngëve të gëzimit dhe të lëvdimit të një turme në festë.
5 Pse ligështohesh, o shpirti im, pse vajton brënda trupit tim? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma për çlirimin e pranisë së tij.
6 O Perëndia im, shpirti më është ligështuar përbrenda; prandaj më kujtohesh ti nga vendi i Jordanit dhe nga majat e Hermonit, nga mali i Mitsarit.
7 Një hon thërret një hon tjetër në zhurmën e ujërave të tua; të gjitha dallgët e tua dhe valët e tua kanë kaluar përmbi mua.
8 Ditën Zoti më jep mirësinë e tij, dhe natën i ngre atij një kantik, një lutje Perëndisë të jetës sime.
9 Unë do t’i them Perëndisë, kështjellës sime: "Pse më harrove? Pse endem i veshur me rroba zie për shkak të shtypjes nga ana e armikut?".
10 Kockat e mia po vuajnë për vdekje për shkak të fyerjeve nga ana e armive të mi, që më thonë vazhdimisht: "Ku është Perëndia yt?".
11 Pse ligështohesh, shpirti im, pse rënkon përbrenda meje? Shpreso te Perëndia, sepse unë do ta kremtoj akoma; ai është shpëtimi im dhe Perëndia im.
18 Jethro, prift i Madianit, vjehrri i Moisiut, dëgjoi të gjitha ato që Perëndia kishte bërë për Moisiun dhe për Izraelin popullin e tij: si e kishte nxjerrë Zoti Izraelin nga Egjipti.
2 Atëherë Jethro, vjehrri i Moisiut, mori Seforan, gruan e Moisiut,
3 e cila i ishte kthyer, dhe dy bijtë e saj, prej të cilëve njëri quhej Gershom, (sepse Moisiu kishte thënë: "Kam qenë mik në tokë të huaj")
4 dhe tjetri Eliezer (sepse ai kishte thënë: "Perëndia i atit tim ka qenë ndihmësi im dhe më ka shpëtuar nga shpata e Faraonit").
5 Jethro, pra, vjehrri i Moisiut, erdhi te Moisiu bashkë me bijtë e tij dhe bashkëshorten e tij, në shkretëtirë ku ishte vendosur ai, në malin e Perëndisë.
6 I kishte çuar fjalë Moisiut: "Unë, Jethro, vjehrri yt, po vij te ti bashkë me gruan tënde dhe dy bijtë e saj".
7 Kështu Moisiu doli për të takuar vjehrrin e tij, u përkul dhe e puthi; pyetën njëri tjetrin për shëndetin e tyre, pastaj hynë në çadër.
8 Atëherë Moisiu i tregoi vjehrrit të tij të gjitha ato që Zoti u kishte bërë Faraonit dhe Egjiptasve për shkak të Izraelit, të gjitha fatkeqësitë e pësuara gjatë udhëtimit, dhe si i kishte shpëtuar Zoti.
9 Dhe Jethro u gëzua për të gjitha të mirat që Zoti i kishte bërë Izraelit, duke e shpëtuar nga dora e Egjiptasve.
10 Pastaj Jethro i tha: "Bekuar qoftë Zoti, që ju çliroi nga dora e Egjiptasve dhe nga dora e Faraonit, dhe çliroi popullin nga zgjedha e Egjiptasve!
11 Tani e di që Zoti është më i madhi nga tërë perënditë; po, ai ua vërtetoi atyre me sa krenari, kur vepruan me kryelartësi kundër Izraelit".
12 Pastaj Jethro, vjehrri i Moisiut, mori një olokaust dhe disa fli për t’ia ofruar Perëndisë; dhe Aaroni dhe tërë pleqtë e Izraelit erdhën të hanë me vjehrrin e Moisiut përpara Perëndisë.
3 E falënderoj Perëndinë tim, sa herë që ju kujtoj,
4 duke iu lutur gjithmonë me gëzim për ju të gjithë në çdo lutje që bëj,
5 për pjesëmarrjen tuaj në ungjillin që nga dita e parë e deri tani,
6 duke qënë i bindur për këtë, se ai që nisi një punë të mirë në ju, do ta përfundojë deri në ditën e Jezu Krishtit.
7 Dhe është e drejtë që unë të ndjej këto për ju të gjithë, sepse ju kam në zemër, sepse ju si në vargonjtë e mi ashtu edhe në mbrojtjen dhe në vërtetimin e ungjillit jeni të gjithë pjestarë me mua të hirit.
8 Sepse Perëndia, është dëshmitari im, si ju dua të gjithë me dashuri të zjarrtë në Jezu Krisht.
9 Dhe për këtë lutem që dashuria juaj të teprojë gjithnjë e më shumë në njohuri dhe në çdo dallim,
10 që të dalloni gjërat më të mira dhe të mund të jeni të pastër dhe panjollë për ditën e Krishtit,
11 të mbushur me fryte drejtësie që arrihen me anë të Jezu Krishtit, për lavdi e për lëvdim të Perëndisë.
12 Tani, vëllezër dua ta dini, se gjërat që më kanë ndodhur ndihmuan më shumë për përhapjen e ungjillit,
13 aq sa gjithë pretoriumi dhe të tjerët mbarë e dinë se unë jam në vargonj për Krishtin;
14 dhe pjesa më e madhe e vëllezërve në Zotin, të inkurajuar nga vargonjtë e mia, kanë marrë me shumë guxim në shpalljen e fjalës së Perëndisë pa frikë.