Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
49 Mbaje mend fjalën që i ke dhënë shërbëtorit tënd, me të cilën me kë bërë të kem shpresa.
50 Ky është përdëllimi im në pikëllim, që fjala jote më ka dhënë jetë.
51 Kryelartët më mbulojnë me tallje, por unë nuk largohem nga ligji yt.
52 Mbaj mend dekretet e tua të lashta, o Zot, dhe kjo më ngushëllon.
53 Një indinjatë e madhe më pushton për shkak të të pabesëve që braktisin ligjin tënd.
54 Statutet e tua kanë qenë kantikët e mi në shtëpinë e shtegëtimit tim.
55 O Zot, unë kujtoj emrin tënd natën dhe respektoj ligjin tënd.
56 Kjo ndodh sepse respektoj urdhërimet e tua.
5 Moisiu mblodhi tërë Izraelin dhe i tha: "Dëgjo, Izrael, statutet dhe dekretet që unë shpall sot në veshët e tu me qëllim që ti t’i mësosh dhe të zotohesh t’i zbatosh.
2 Zoti, Perëndia ynë, lidhi një besëlidhje me ne në Horeb.
3 Zoti e lidhi këtë besëlidhje jo me etërit tanë, por me ne që jemi këtu të gjithë të gjallë.
4 Zoti ju foli në sy në mal, nga mesi i zjarrit.
5 Unë ndodhesha atëherë midis Zotit dhe jush për t’ju referuar fjalën e tij, sepse ju patët frikë nga zjarri dhe nuk u ngjitët në mal. Ai tha:
6 "Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të ka nxjerrë nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë.
7 Nuk do të kesh perëndi të tjera përpara meje.
8 Nuk do të bësh asnjë skulpturë apo shëmbëlltyrë të gjërave që janë atje lart në qiell, këtu poshtë në tokë apo në ujërat poshtë tokës.
9 Nuk do të biesh përmbys para tyre dhe nuk do t’u shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xhelos që dënon paudhësinë e etërve ndaj bijve deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë,
10 por tregohem i dashur ndaj mijëra njerëzish që më duan dhe respektojnë urdhërimet e mia.
11 Nuk do ta përdorësh më kot emrin e Zotit, Perëndisë tënd, sepse Zoti nuk ka për ta lënë të padënuar atë që përdor emrin e tij kot.
12 Respekto ditën e shtunë për të shenjtëruar, ashtu siç të ka porositur Zoti, Perëndia yt.
13 Do të punosh gjashtë ditë dhe gjatë këtyre ditëve do të bësh çdo punë tënde,
14 por dita e shtatë është e shtuna, e shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd; nuk do të bësh gjatë kësaj dite asnjë punë, as ti, as biri yt, as bija jote, as shërbëtori, as shërbëtorja, as kau, as gomari, asnjë nga kafshët e tua, dhe të huajt që ndodhen brenda portave të shtëpisë sate, me qëllim që shërbëtori dhe shërbëtorja jote të çlodhen si ti.
15 Dhe mos harro që ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe që Zoti, Perëndia yt, të nxori që andej me një dorë të fuqishme dhe vepruese; prandaj Zoti, Perëndia yt, të urdhëron të respektosh ditën e shtunë.
16 Do të nderosh atin dhe nënën tënde ashtu si të ka urdhëruar Zoti, Perëndia yt, që të jetosh gjatë dhe të gëzosh begatinë në tokën që Zoti, Perëndia yt, po të jep.
17 Nuk do të vrasësh.
18 Nuk do të shkelësh besnikërinë bashkëshortore.
19 Nuk do të vjedhësh.
20 Nuk do të bësh dëshmi të rreme kundër të afërmit tënd.
21 Nuk do të dëshirosh gruan e të afërmit tënd, nuk do të dëshirosh shtëpinë e të afërmit tënd, as arën, as shërbëtorin, as shërbëtoren, as kaun, as gomarin dhe asnjë send që janë pronë e tij".
4 Duke iu afruar atij, si te guri i gjallë, i flakur tej nga njerëzit, por i zgjedhur dhe i çmuar përpara Perëndisë,
5 edhe ju, si gurë të gjallë, ndërtoheni për të qenë një shtëpi frymërore, një priftëri e shenjtë, për të ofruar flijime frymërore, që i pëlqejnë Perëndisë me anë të Jezu Krishtit.
6 Sepse në Shkrimet lexohet: “Ja, unë po vë në Sion një gur çipi, të zgjedhur, dhe ai që beson në të nuk do të turpërohet aspak.”
7 Sepse për ju që besoni ai është i çmuar, po për ata të pabindurit: “Guri, që u hoq mënjanë nga ndërtuesit, u bë guri i qoshes, gur pengese dhe shkëmb skandali që i bën të rrëzohen.”
8 Duke qenë të pabindur, ata pengohen në fjalë, dhe për këtë ata ishin të caktuar.
9 Por ju jeni fis i zgjedhur, priftëri mbretërore, një komb i shenjtë, një popull i fituar, që të shpallni mrekullitë e atij që ju thirri nga terri në dritën e tij të mrekullueshme;
10 ju, që dikur nuk ishit një popull, kurse tani jeni populli i Perëndisë; ju, dikur të pamëshiruar, por tani të mëshiruar.