Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 106:1-6

106 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.

Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?

Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.

Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,

me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.

Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.

Psalmet 106:19-23

19 Bënë një viç në Horeb dhe adhuruan një shëmbëlltyrë prej metali të shkrirë,

20 dhe e ndërruan lavdinë e tyre me shëmbëllytrën e një kau që ha bar.

21 Harruan Perëndinë, Shpëtimtarin e tyre, që kishte bërë gjëra të mëdha në Egjipt,

22 mrekullitë në vendin e Kamit, gjëra të tmerrshme në Detin e Kuq.

23 Prandaj ai foli t’i shfarosë, por Moisiu, i zgjedhuri i tij, u paraqit mbi të çarën përpara tij për të penguar që zemërimi i tij t’i shkatërronte.

Eksodi 24:12-18

12 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ngjitu tek unë në mal dhe qëndro aty; dhe unë do të jap disa pllaka prej guri, ligjin dhe urdhërimet që kam shkruar, me qëllim që ti t’ua mësosh atyre".

13 Pas kësaj Moisiu u ngrit bashkë me Jozueun zbatuesin e tij; dhe Moisiu u ngjit në malin e Perëndisë.

14 Por pleqve u tha: "Na prisni këtu, deri sa të kthehemi tek ju. Ja, Aaroni dhe Huri janë me ju; kushdo që ka probleme le t’u drejtohet atyre".

15 Moisiu, pra, u ngjit në mal dhe reja e mbuloi përsëri malin.

16 Tani lavdia e Zotit mbeti në malin e Sinait dhe reja e mbuloi atë gjashtë ditë; ditën e shtatë Zoti thirri Moisiun nga mesi i resë.

17 Dhe pamja e lavdisë së Zotit dukej në sytë e bijve të Izraelit si një zjarr që digjej në majën e malit.

18 Kështu Moisiu hyri në mes të resë dhe u ngjit në mal; dhe Moisiu mbeti në mal dyzet ditë dhe dyzet net.

Marku 2:18-22

18 Atëherë dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve po agjëronin. Ata erdhen te Jezusi dhe i thanë: “Përse dishepujt e Gjonit dhe ata të farisenjve agjërojnë, kurse dishepujt e tu nuk agjërojnë?.”

19 Dhe Jezusi u përgjigj atyre: “Vallë a mund të agjërojnë dasmorët, ndërsa dhëndri është me ta? Për sa kohë kanë më vete dhëndrin, nuk mund të agjërojnë!

20 Por do të vijnë ditët kur do t’u merret dhëndri dhe atëhërë, në ato ditë, ata do të agjërojnë.

21 Askush nuk qep një copë stof të ri mbi një rrobe të vjetër, përndryshe copa e re e shkul gjithë arnesën dhe shqyerja bëhet më keq.

22 Po ashtu askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër, përndryshe vera e re i prish kacekët, vera derdhet dhe kacekët shkojnë dëm; porse vera e re duhet shtënë në kacekë të rinj.”