Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 7

O Zot, Perëndia im, po kërkoj strehim te ti; shpëtomë nga tërë ata që më përndjekin dhe çliromë,

që armiku të mos e shqyejë shpirtin tim si një luan, duke copëtuar pa mundur njeri të më çlirojë.

O Zot, Perëndia im, në rast se e kam bërë këtë, në qoftë se ka ligësi në duart e mia,

në rast se së mirës i jam përgjigjur me të keqen atij që jetonte në paqe me mua, ose në rast se e kam zhveshur armikun tim pa arësye,

le të më përndjekë armiku dhe të më arrijë, le ta marrë nëpër këmbë jetën time dhe ta zvarritë në pluhur lavdinë time. (Sela)

Çohu, o Zot, në zemërimin tënd; çohu kundër tërbimit të armiqve të mi dhe në favorin tim; ti ke vendosur gjykimin.

Kuvendi i popujve do të të rrethojë; kthehu mbi të në një vend të ngritur.

Zoti do të gjykojë popujt; gjykomë, o Zot, sipas drejtësisë sime dhe ndershmërisë sime.

Jepi fund ligësisë së njerëzve të këqij, por vendos njeriun e drejtë, sepse ti je Perëndia i drejtë, që provon zemrat dhe mendjet.

10 Mburoja ime është te Perëndia, që shpëton ata që janë të drejtë nga zemra.

11 Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit.

12 Në qoftë se keqbërësi nuk ndryshon, ai do të mprehë shpatën e tij; e ka shtrirë harkun e tij dhe e ka përgatitur.

13 Ai ka përgatitur kundër tij armë vdekjeprurëse, i mban gati shigjetat e tij të zjarrta.

14 Ja, keqbërësi lind padrejtësinë; ai ka konceptuar ligësinë dhe ka për të pjellë mashtrimin.

15 Ai gërmon një gropë dhe e bën të thellë, por bie vetë në gropën që ka bërë.

16 Ligësia e tij do të kthehet mbi kryet e vet dhe dhuna e tij do të bjerë mbi çafkën e kokës.

17 Unë do ta falenderoj Zotin për drejtësinë e tij, dhe do të këndoj lëvdime në emër të Zotit, Shumë të Lartit.

Ezekieli 33:7-20

Kështu, o bir njeriu, të kam vendosur si roje për shtëpinë e Izraelit; prandaj dëgjo fjalën e gojës sime dhe i lajmëro nga ana ime.

Kur i them të pabesit: "I pabesë, ti do të vdesësh me siguri," dhe ti nuk flet për të paralajmëruar të pabesin që të largohet nga rruga e tij, ai i pabesë do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por për gjakun e tij do t’i kërkojë llogari dorës sate.

Por në rast se ti e paralajmëron të pabesin që të largohet nga rruga e tij dhe ai nuk largohet prej saj, ai do të vdesë për shkak të paudhësisë së tij, por ti do ta shpëtosh shpirtin tënd.

10 Tani, bir njeriu, i thuaj shtëpisë së Izraelit: Ju thoni kështu: "Në rast se shkeljet tona dhe mëkatet tona janë mbi ne dhe për shkak të tyre vuajmë, si do të mund të jetojmë?".

11 U thuaj atyre: Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "unë nuk kënaqem me vdekjen e të pabesit, por që i pabesi të ndryshojë rrugën e tij dhe të jetojë; konvertohuni, konvertohuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit?

12 Prandaj ti, bir njeriu, u thuaj bijve të popullit tënd: Drejtësia e të drejtit nuk do ta shpëtojë atë ditën e mëkatit të tij; po kështu pabesia e të pabesit nuk do ta rrëzojë ditën kur ai të largohet nga pabesia e tij, dhe i drejti nuk do të mund të jetojë për shkak të drejtësisë së tij ditën që do të kryejë mëkate.

13 Kur i them të drejtit që ke për të jetuar me siguri, në rast se ka besim në drejtësinë e vet dhe kryen paudhësinë, tërë veprimet e tij të drejta nuk do të kujtohen më, por ai do të vdesë për shkak të paudhësisë që ka kryer.

14 Përkundrazi, kur i them të pabesit: "Ti me siguri do të vdesësh," në rast se ai largohet nga mëkati i tij dhe kryen atë që është e ndershme dhe e drejtë,

15 në rast se i pabesi kthen pengun, kthen atë që ka vjedhur dhe ecën sipas statuteve të jetës, pa kryer paudhësi, ai me siguri ka për të jetuar, nuk ka për të vdekur.

16 Asnjë nga mëkatet e kryera prej tij nuk do të kujtohet kundër tij; ai ka bërë atë që është e ndershme dhe e drejtë dhe me siguri ka për të jetuar.

17 Por bijt e popullit tënd thonë: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë," ndërsa është rruga e tyre që nuk është e drejtë.

18 Kur i drejti largohet nga drejtësia e tij dhe kryen paudhësi, për këtë ai do të vdesë.

19 Përkundrazi kur i pabesi largohet nga pabesia e tij dhe kryen atë që është e ndershme dhe e drejtë, ai do të jetojë.

20 Megjithatë ju thoni: "Rruga e Zotit nuk është e drejtë". Unë do ta gjykoj secilin prej jush sipas rrugëve që ndjek, o shtëpi e Izraelit".

Gjoni 5:19-40

19 Atëherë Jezusi u përgjgj dhe u tha atyre: “Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them se Biri nuk mund të bëjë asgjë prej vetvetes, përveç asaj që sheh se bën Ati; gjërat në fakt që bën Ati, i bën po ashtu dhe Biri.

20 Sepse Ati e do Birin dhe i dëfton gjithçka që bën vetë; dhe do t’i dëftojë vepra më të mëdha se këto, që të mrekulloheni.

21 Në fakt ashtu si ati ringjall të vdekurit dhe u jep atyre jetën, po kështu edhe Biri i jep jetën kujtdo që do.

22 Sepse Ati nuk gjykon asnjë, por gjithë gjyqin ia dha Birit,

23 që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar.

24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë.

25 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë.

26 Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete;

27 dhe i ka dhënë gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut.

28 Mos u mrrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij

29 dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit.

30 Unë s’mund të bëj asgjë nga vetja ime; gjykoj sipas asaj që dëgjoj dhe gjyqi im është i drejtë, sepse nuk kërkoj vullnetin tim, por vullnetin e Atit që më ka dërguar.

31 Nëse unë dëshmoj për veten time, dëshmia ime nuk është e vërtetë.

32 Éshtë një tjetër që dëshmon për mua, dhe unë e di se dëshmia që ai jep për mua është e vërtetë.

33 Ju keni dërguar te Gjoni dhe ai i ka dhënë dëshmi të vërtetës.

34 Tani unë nuk e marr dëshminë nga asnjë njeri, por i them këto gjëra që ju të shpëtoheni.

35 Ai ishte një kandil që digjet e ndriçon; dhe ju deshët të gëzoheni për pak kohë në dritën e tij.

36 Por dëshmia që kam unë është më e madhe nga ajo e Gjonit; sepse veprat që Ati më ka dhënë të kryej, ato vepra që bëj unë, dëshmojnë për mua, se Ati më ka dërguar.

37 Dhe Ati, që më dërgoi, ai vetë ka dëshmuar për mua; ju nuk e keni dëgjuar kurrë zërin e tij dhe as nuk e keni parë fytyrën e tij,

38 dhe nuk e keni fjalën e tij që të banojë në ju, sepse nuk besoni në atë që ai ka dërguar.

39 Ju hetoni Shkrimet sepse mendoni të keni nëpërmjet tyre jetë të përjetshme; dhe ato janë këto që dëshmojnë për mua.

40 Por ju nuk doni të vini tek unë që të keni jetën.