Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 90:1-8

90 O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.

Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.

Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".

Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.

Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.

Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.

Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt.

Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate.

Psalmet 90:9-11

Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë.

10 Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.

11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje?

Psalmet 90:12

12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.

Ezekieli 6

Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Bir njeriu, kthe fytyrën tënde nga malet e Izraelit dhe profetizo kundër tyre,

dhe thuaj: "O male të Izraelit dëgjoni fjalën e Zotit, Zotit. Kështu thotë Zoti, Zoti, maleve dhe kodrave, përroskave dhe luginave: Ja, unë do të sjell mbi ju shpatën dhe do të shkatërroj vendet tuaja të larta.

Altarët tuaj do të shkretohen dhe altarët për temjan do të thyhen, dhe do të bëj që të vdekurit tuaj të bien përpara idhujve tuaj.

Do t’i shtrij kufomat e bijve të Izraelit përpara idhujve të tyre dhe do t’i shpërndaj kockat tuaja rreth altarëve tuaj.

Në tërë vendet tuaja të banuara qytetet do të shkatërrohen, po kështu edhe vendet e larta, me qëllim që altarët tuaj të shkatërrohen dhe të shkretohen, idhujt tuaj të prishen dhe të zhduken, altarët tuaj të shkatërrohen dhe veprat tuaja të fshihen.

Të vdekurit do të bien në mes jush dhe ju do të pranoni që unë jam Zoti.

Megjithatë do t’ju lë një mbeturinë, sepse disa që do t’i shpëtojnë shpatës do t’i keni midis kombeve, kur do të shpërndaheni në vënde të ndryshme.

Të shpëtuarit tuaj do të më kujtojnë midis kombeve ku do të çohen në robëri, sepse jam kapitur për zemrën e tyre të prishur që është larguar nga unë dhe për sytë e tyre që kurvërohen pas idhujve të tyre. Ata do të ndiejnë neveri për veten e tyre për ligësitë që kanë kryer në të gjitha veprimet e tyre të neveritshme.

10 Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti dhe që jo më kot kam folur se do t’ju bëj këtë të keqe"".

11 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Përplas duart, rrih këmbët dhe thuaj: "Vaj medet, për të gjitha veprimet e këqija të neveritshme të shtëpisë së Izraelit, sepse do të bien nga shpata, nga uria dhe nga murtaja.

12 Kush është larg do të vdesë nga murtaja, kush është afër do të rrëzohet nga shpata dhe kush ka mbetur dhe është i rrethuar do të vdesë nga uria; kështu do të shfryj tërbimin tim mbi ta.

13 Atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, kur të vrarët e tyre do të bien në mes të idhujve të tyre, rreth altarëve të tyre, mbi çdo kodër të lartë, mbi çdo majë mali, poshtë çdo druri që gjelbëron, poshtë çdo lisi degëshumë, kudo që u ofronin parfume erëmira tërë idhujve të tyre.

14 Kështu do të shtrij mbi ta dorën time dhe do ta bëj vendin të shkretë, po, më të shkretë se shkretëtira e Diblahut, në të gjitha vendet e tyre të banuara; atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti"".

Zbulesa 16:1-7

16 Pastaj dëgjova një zë të madh nga tempulli që u thoshte të shtatë engjëjve: “Shkoni dhe derdhni mbi dhe kupat e zemërimit të Perëndisë.”

I pari shkoi dhe e derdhi kupën e vet mbi tokë, dhe një ulçerë e ligë dhe e dhimbshme goditi njerëzit që kishin damkën e bishës dhe ata që adhuronin figurën e saj.

Pastaj engjëlli i dytë e derdhi kupën e tij në det; dhe u bë gjak si i një të vdekuri dhe çdo qenie e gjallë në det vdiq.

Edhe engjëlli i tretë e derdhi kupën e tij në lumenj dhe në burimet e ujërave; dhe u bë gjak.

Dhe dëgjova engjëllin e ujërave duke thënë: “Ti je i drejtë, o Zot, që je që ishe dhe që do të vish, i Shenjti që gjykoi këto gjëra.

Ata kanë derdhur gjakun e shenjtorëve dhe të profetëve, dhe ti u dhe atyre të pijnë gjak, sepse është shpërblimi që ata meritojnë.”

Dhe dëgjova një tjetër që thoshte nga altari: “Po, o Zot, Perëndi i plotfuqishëm, gjykimet e tua janë të vërteta dhe të drejta.”