Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 70

70 O Perëndi, nxito të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.

U turpërofshin dhe u hutofshin ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe u mbulofshin me turp ata që kërkojnë të keqen time.

Kthefshin kurrizin për shkak të turpit të tyre ata që thonë: "Ah, ah!".

U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, dhe ata që duan shpëtimin tënd thënçin vazhdimisht: "U përlëvdoftë Perëndia!".

Por unë jam i varfër dhe nevojtar; o Perëndi, nxito të më vish në ndihmë; ti je ndihma ime dhe çlirimtari im; o Zot, mos vono.

Amosi 4:6-13

"Ju kam lënë gojë thatë në të gjitha qytetet tuaja dhe pa bukë në të gjitha banesat tuaja, por nuk jeni kthyer tek unë," thotë Zoti.

"Kam ndalur shiun gjithashtu prej jush tre muaj para korrjes. Kam bërë të bjerë shi mbi një qytet, ndërsa nuk ka rënë shi mbi një qytet tjetër. Mbi një pjesë të arës ka rënë shi, por pjesa ku nuk ka rënë shi është tharë.

Kështu dy ose tre qytete endeshin drejt një qyteti tjetër për të pirë ujë, por pa shuar dot etjen; por ju nuk u kthyet tek unë," thotë Zoti.

"Ju godita me blozën dhe me ndryshkun. Krimbi ka ngrënë kopshtet tuaja të shumta, vreshtat tuaja, fiqtë tuaj, ullinjtë tuaj, por ju nuk u kthyet tek unë," thotë Zoti.

10 "Dërgova midis jush murtajën, ashtu si kisha bërë në Egjipt; vrava të rinjtë tuaj me shpatë bashkë me kuajt e zënë; bëra që duhma e kampeve tuaj të ngjitet deri te flegrat tuaja, por ju nuk u kthyet tek unë," thotë Zoti.

11 "Ju përlava, si Sodoma dhe Gomora, ju ishit si një urë zjarri, dhe nuk u kthyet tek unë," thotë Zoti.

12 "Prandaj kështu do të sillem me ty, o Izrael; dhe duke qenë se unë do të bëj këtë kundër teje, përgatitu, o Izrael, të takosh Perëndinë tënd".

13 Sepse ja, ai që formon malet dhe krijon erën, që i bën të njohur njeriut cili është mendimi i tij, që e kthen agimin në terr dhe ecën mbi vendet e larta të tokës: Zoti, Perëndia i ushtrive, është emri i tij.

Mateu 24:1-14

24 Tani kur Jezusi doli nga tempulli dhe po largohej, dishepujt e tij iu afruan për t’i treguar ndërtesat e tempullit.

Por Jezusi u tha atyre: “A nuk i shikoni ju të gjitha këto? Në të vërtetë po ju them se këtu nuk do të mbetet asnjë gur mbi gur që nuk do të rrënohet.”

Pastaj, kur ai u ul të rrinte në malin e Ullinjve, dishepujt e vet iu afruan mënjanë dhe i thanë: “Na thuaj, kur do të ndodhin këto gjëra? Dhe cila do të jetë shenja e ardhjes sate dhe e mbarimit të botës?.”

Dhe Jezusi duke u përgjigjur u tha atyre: “Ruhuni se mos ju mashtron ndokush!

Sepse shumë do të vijnë në emrin tim, duke thënë: "Unë jam Krishti" dhe do të mashtrojnë shumë njërëz.

Atëherë do të dëgjoni të flitet për lufta dhe për ushtima luftash; ruhuni të mos shqetësoheni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin, por ende mbarimi nuk do të ketë ardhur.

Do të ngrihet, pra, popull kundër populli dhe mbretëri kundër mbretërie; do të ketë zi buke, murtajë dhe tërmete në vende të ndryshme.

Por të gjitha këto gjëra do të jenë vetëm fillimi i dhembjeve të lindjes.

Atëherë do t’ju dorëzojnë në mundime dhe do t’ju vrasin; dhe të gjithë kombet do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.

10 Atëherë shumë do të skandalizohen, do ta tradhëtojnë njeri tjetrin dhe do të urrejnë njeri tjetrin.

11 Dhe do të dalin shumë profetë të rremë, dhe do të mashtrojnë shumë njerëz.

12 Dhe, duke qenë se paudhësia do të shumohet, shumëkujt do t’i ftohet dashuria;

13 por ai që do të ngulmojë deri në fund do të shpëtohet.

14 Dhe ky ungjill i mbretërisë do të predikohet në gjithë botën si një dëshmi për gjithë kombet, dhe atëherë do të vijë mbarimi.”