Revised Common Lectionary (Complementary)
7 O Zot, Perëndia im, po kërkoj strehim te ti; shpëtomë nga tërë ata që më përndjekin dhe çliromë,
2 që armiku të mos e shqyejë shpirtin tim si një luan, duke copëtuar pa mundur njeri të më çlirojë.
3 O Zot, Perëndia im, në rast se e kam bërë këtë, në qoftë se ka ligësi në duart e mia,
4 në rast se së mirës i jam përgjigjur me të keqen atij që jetonte në paqe me mua, ose në rast se e kam zhveshur armikun tim pa arësye,
5 le të më përndjekë armiku dhe të më arrijë, le ta marrë nëpër këmbë jetën time dhe ta zvarritë në pluhur lavdinë time. (Sela)
6 Çohu, o Zot, në zemërimin tënd; çohu kundër tërbimit të armiqve të mi dhe në favorin tim; ti ke vendosur gjykimin.
7 Kuvendi i popujve do të të rrethojë; kthehu mbi të në një vend të ngritur.
8 Zoti do të gjykojë popujt; gjykomë, o Zot, sipas drejtësisë sime dhe ndershmërisë sime.
9 Jepi fund ligësisë së njerëzve të këqij, por vendos njeriun e drejtë, sepse ti je Perëndia i drejtë, që provon zemrat dhe mendjet.
10 Mburoja ime është te Perëndia, që shpëton ata që janë të drejtë nga zemra.
11 Perëndia është një gjykatës i drejtë dhe një Perëndi që zemërohet çdo ditë me keqbërësit.
12 Në qoftë se keqbërësi nuk ndryshon, ai do të mprehë shpatën e tij; e ka shtrirë harkun e tij dhe e ka përgatitur.
13 Ai ka përgatitur kundër tij armë vdekjeprurëse, i mban gati shigjetat e tij të zjarrta.
14 Ja, keqbërësi lind padrejtësinë; ai ka konceptuar ligësinë dhe ka për të pjellë mashtrimin.
15 Ai gërmon një gropë dhe e bën të thellë, por bie vetë në gropën që ka bërë.
16 Ligësia e tij do të kthehet mbi kryet e vet dhe dhuna e tij do të bjerë mbi çafkën e kokës.
17 Unë do ta falenderoj Zotin për drejtësinë e tij, dhe do të këndoj lëvdime në emër të Zotit, Shumë të Lartit.
2 Mbas këtyre ngjarjeve, kur zemërimi i mbretit Asuero u qetësua, atij iu kujtua Vashti, atë që kishte bërë ajo dhe çfarë kishte vendosur lidhur me të.
2 Atëherë shërbëtorët e mbretit që ishin në shërbim të tij i thanë: "Të kërkohen për mbretin vajza të virgjëra dhe të hijshme;
3 mbreti le të caktojë në tërë krahinat e mbretërisë së tij komisarë, të cilët të mbledhin tërë vajzat e virgjëra të hijshme në qytetin e Suzës, në shtëpinë e grave nën mbikqyrjen e Hegait, eunukut të mbretit dhe rojtar i grave, që do t’u japë atyre melhemet për t’u pastruar.
4 Vajza që do t’i pëlqejë mbretit të bëhet mbretëreshë në vend të Vashtit". Ky propozim u pëlqye nga mbreti dhe kështu u veprua.
5 Në qytetin e Suzës ishte një jude i quajtur Mardoke, bir i Jairit, bir i Shimeit, bir i Kishit, një Beniaminit,
6 që e kishin internuar nga Jeruzalemi bashkë me mërgimtarët e sjellë në robëri me Jekoniahun, mbretin e Judës, nga Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë.
7 Ai e kishte rritur Hadasahun, domethënë Esterin, bijën e ungjit të tij, sepse ajo nuk kishte as baba as nënë. Vajza ishte e hijshme dhe kishte trup të bukur; pas vdekjes së atit dhe të nënes së saj, Mardokeu e mori si bijën e tij.
8 Kur urdhëri i mbretit dhe dekreti i tij u përhapën, dhe shumë vajza u mblodhën në qytetin e Suzës nën mbikqyrjen e Hegait, edhe Esterin e çuan në pallatin e mbretit nën mbikëqyrjen e Hegait, rojtarit të grave.
9 Vajza i pëlqeu dhe fitoi simpatinë e tij; kështu ai u shpejtua t’i japë melhemet për pastrimin dhe ushqimin e saj; i dha gjithashtu shtatë vajza të reja të zgjedhura në pallatin e mbretit dhe e zhvendosi bashkë me to në apartamentin më të mirë të shtëpisë së grave.
10 Esteri nuk kishte treguar asgjë as për popullin e saj as për vendin e prejardhjes së saj, sepse Mardokeu e kishte urdhëruar të mos tregonte.
11 Çdo ditë Mardokeu shëtiste përpara oborrit të shtëpisë së grave për të marrë vesh si ishte Esteri dhe ç’po bëhej me të.
12 Kur i vinte radha çdo vajzë të hynte te mbreti Asuero, mbasi kishte bërë dymbëdhjetë muaj përgatitjesh, sipas rregulloreve të grave, sepse kështu plotësoheshin ditët e pastrimit të tyre; gjashtë muaj për t’u lyer me vaj të mirrës dhe gjashtë muaj me aroma dhe melheme të grave për t’u pastruar,
13 vajza shkonte te mbreti; i lejohej të merrte me vete nga shtëpia e grave në pallatin e mbretit tërë ato që donte.
14 Atje ajo shkonte në mbrëmje dhe të nesërmen në mëngjes kalonte në shtëpinë e dytë të grave, nën mbikëqyrjen e Shaashgazit, eunukut të mbretit dhe rojtar i konkubinave. Ajo nuk kthehej më te mbreti, veçse po ta kërkonte mbreti dhe ta thërrisnin me emër.
15 Kur i erdhi radha për të shkuar te mbreti Esterit, bijës së Abihailit, ungji i Mardokeut, që e kishte marrë me vete si bijën e tij, ajo nuk kërkoi asgjë veç asaj që i tregoi Hegai, eunuku i mbretit, rojtari i grave. Dhe Esteri fitoi simpatinë e të gjithë atyre që e shihnin.
16 Esterin e çuan te mbreti Asuero në pallatin e tij mbretëror muajin e dhjetë, domethënë në muajin e Tebethit, në vitin e shtatë të mbretërimit të tij.
17 Mbreti e dashuroi Esterin më tepër se gjithë gratë e tjera, dhe ajo gjeti hir dhe mirëdashje në sytë e tij më tepër se tërë vajzat e tjera. Kështu ai i vuri mbi kokë kurorën mbretërore dhe e bëri mbretëreshë në vend të Vashtit.
18 Pastaj mbreti shtroi një banket të madh për tërë princat dhe shërbëtorët e tij, banketin e Esterit; përveç kësaj ai u dha një ditë pushimi krahinave dhe bëri dhurata me bujari mbretërore.
8 Kujto që Jezu Krishti, nga fisi i Davidit, u ngjall së vdekuri sipas ungjillit tim,
9 për të cilin unë po vuaj deri edhe në pranga posi keqbërës; por fjala e Perëndisë nuk lidhet në pranga.
10 Prandaj unë i duroj të gjitha për shkak të të zgjedhurve, që ata të kenë shpëtimin që është në Krishtin Jezus, bashkë me lavdi të përjetshme.
11 Kjo fjalë është e vërtetë, sepse, nëse ne vdiqëm me të, me të edhe do të rrojmë;
12 në qoftë se vuajmë, do të mbretërojmë bashkë me të; po ta mohojmë, edhe ai do të na mohojë.
13 Nëse jemi të pabesë, ai mbetet besnik, sepse ai nuk mund të mohojë vetveten.