Revised Common Lectionary (Complementary)
7 Rri në heshtje para Zotit, Zotit, sepse dita e Zotit është e afërt, sepse Zoti ka përgatitur një flijim, ka shenjtëruar të ftuarit e tij.
12 Në atë kohë do të ndodhë që unë do të kontrolloj Jeruzalemin me llampa dhe do të ndëshkoj njerëzit që, duke qëndruar në llumin e tyre, thonë në zemër të tyre: "Zoti nuk bën as të mirë as të keq".
13 Prandaj pasuritë e tyre do të bëhen plaçkë lufte dhe shtëpitë e tyre do të shkretohen. Do të ndërtojnë shtëpi, do të mbjellin vreshta, por nuk do pinë verën e tyre".
14 Dita e Zotit është e afërt, është e afërt dhe po vjen me shpejtësi të madhe. Zhurma e ditës së Zotit është e hidhur; atëherë njeriu trim do të këlthasë fort.
15 Ajo ditë është një ditë zemërimi, një ditë mjerimi dhe ankthi, një ditë shkatërrimi dhe shkretie, një ditë terri dhe mjegulle, një ditë resh dhe errësire të thellë,
16 një ditë zhurmimi të borisë dhe alarmi kundër qyteteve të fortifikuara dhe kullave të larta.
17 Unë do të sjell fatkeqësinë mbi njerëzit dhe ata do të ecin si të verbër, sepse kanë mëkatuar kundër Zotit; gjaku i tyre do të shpërndahet si pluhur dhe mishi i tyre si jashtëqitje.
18 As argjendi i tyre as ari i tyre nuk do të mund t’i çlirojnë ditën e zemërimit të Zotit; përkundrazi tërë vendi do të gllabërohet nga zjarri i xhelozisë së tij, sepse ai do të kryejë me siguri një shkatërrim të plotë të të gjithë banorëve të vendit.
90 O Zot, ti ke qenë për ne një strehë brez pas brezi.
2 Para se të kishin lindur malet dhe para se ti të kishe formuar tokën dhe botën, madje nga mot dhe përjetë ti je Perëndia.
3 Ti e kthen njeriun në pluhur dhe thua: "Kthehuni, o bij të njerëzve".
4 Sepse një mijë vjet në sytë e tu janë si dita e djeshme që ka kaluar, ose sikur të gdhish një natë.
5 Ti i përlan si një përmbytje. Ato janë si një ëndërr, janë si barr që gjelbëron në mëngjes.
6 Në mëngjes ai lulëzon dhe gjelbëron, në mbrëmje kositet dhe thahet.
7 Sepse jemi të konsumuar nga zemërimi yt dhe jemi të tmerruar nga tërbimi yt.
8 Ti i vë fajet tona para teje, mëkatet tona të fshehta në dritën e fytyrës sate.
9 Sepse tërë ditët tona zhduken në zemërimin tënd; ne po i mbarojmë vitet tona si një psherëtimë.
10 Ditët e viteve tona shkojnë deri në shtatëdhjetë vjet dhe për më të fortët në tetëdhjetë, por ajo që përbën krenarinë e tyre nuk është veçse mundim dhe dëshirë për t’u dukur, sepse kalon me të shpejtë dhe ne fluturojmë tutje.
11 Kush e njeh forcën e zemërimit tënd dhe mërinë tënde sipas frikës që duhet pasur prej teje?
12 Na mëso, pra, të numërojmë ditët tona për të pasur një zemër të urtë.
5 Sa për kohët dhe për stinët, vëllezër, nuk keni nevojë që t’ju shkruaj,
2 sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë, si një vjedhës natën.
3 Sepse, kur thonë: "Paqe dhe siguri," atëherë një shkatërrim i papritur do të bjerë mbi ta, ashtu si dhembjet e lindjes të gruas shtatzënë dhe nuk do të shpëtojnë.
4 Por ju, vëllezër, nuk jeni në errësirë, që ajo ditë t’ju zërë në befasi si një vjedhës.
5 Të gjithë ju jeni bij të dritës dhe bij të ditës; ne nuk jemi të natës, as të territ.
6 Le të mos flemë, pra, si të tjerët, por të rrimë zgjuar dhe të jemi të esëll.
7 Sepse ata që flejnë, flejnë natën, dhe ata që dehen, dehen natën.
8 Kurse ne, mbasi jemi të ditës, jemi të esëll, duke veshur parzmoren e besimit dhe të dashurisë, dhe për përkrenare shpresën e shpëtimit.
9 Sepse Perëndia nuk na ka caktuar për zemërim, por për të marrë shpëtimin me anë të Zotit tonë Jezu Krisht,
10 i cili vdiq për ne kështu që, qofshim zgjuar qofshim fjetur, jetojmë bashkë me të.
11 Prandaj ngushëlloni njeri tjetrin dhe ndërtoni njeri tjetrin ashtu sikur edhe bëni.
14 “Mbretëria e qiejve i ngjan gjithashtu një njeriu, që, kur po nisej për një udhëtim, i thirri shërbëtorët e tij dhe u besoi pasuritë e veta.
15 Njërit i dha pesë talenta, tjetrit dy dhe një tjetri një; secilit sipas zotësisë së tij; dhe u nis fill.
16 Tani ai që kishte marrë të pesë talentat shkoi, dhe bëri tregti me to dhe fitoi pesë të tjerë.
17 Po ashtu edhe ai që kishte marrë dy talenta fitoi edhe dy të tjerë.
18 Por kurse ai që kishte marrë një, shkoi, hapi një gropë në dhe dhe e fshehu denarin e zotit të vet.
19 Tani mbas një kohe të gjatë, u kthye zoti i atyre shërbëtorëve dhe i bëri llogaritë me ta.
20 Dhe ai që kishte marrë të pesë talentat doli përpara dhe i paraqiti pesë të tjerë, duke thënë: "Zot, ti më besove pesë talenta; ja, me ato unë fitova pesë talenta të tjerë".
21 Dhe i zoti i tha: "Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd".
22 Pastaj erdhi edhe ai që kishte marrë të dy talenta dhe tha: "Zot, ti më besove dy talenta; ja, me ato unë fitova dy talenta të tjerë".
23 Dhe zoti i tij i tha: "Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ti u tregove besnik në gjëra të vogla; unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd".
24 Në fund erdhi edhe ai që kishte marrë vetëm një talent dhe tha: "Zot, unë e dija se je njeri i ashpër, që korr atje ku nuk ke mbjellë dhe vjel ku nuk ke shpërndarë,
25 prandaj pata frikë dhe shkova dhe e fsheha talentin tënd nën tokë; ja, unë po ta kthej".
26 Dhe i zoti duke i përgjigjur i tha: "Shërbëtor i mbrapshtë dhe përtac, ti e dije se unë korr atje ku nuk kam mbjellë dhe vjel aty ku nuk kam shpërndarë;
27 Ti duhet t’ia kishe besuar denarin tim bankierëve dhe kështu, në kthimin tim, do ta kisha marrë me interes.
28 Prandaj ia hiqni këtij talentin dhe ia jepni atij që ka dhjetë talenta.
29 Sepse atij që ka do t’i jepet edhe më e do të ketë me bollëk të madh, por atij që nuk ka, do t’i merret edhe ajo që ka.
30 Dhe flakeni në errësirën e jashtme këtë shërbëtor të pavlefshëm. Atje do të jetë e qara dhe kërcëllim dhëmbësh".”