Revised Common Lectionary (Complementary)
63 O Perëndi, ti je Perëndia im, unë të kërkoj në mëngjes; shpirti im është i etur për ty; ty të dëshiron mishi im në tokë të thatë dhe të djegur, pa ujë.
2 Kështu të admirova në shenjtërore, duke soditur forcën tënde dhe lavdinë tënde.
3 Me qenë se mirësia jote vlen më tepër se jeta, buzët e mia do të të lëvdojnë.
4 Kështu do të të bekoj deri sa të jetoj dhe në emrin tënd do të ngre duart e mia.
5 Shpirti im do të ngopet si të kishte ngrënë palcë dhe dhjamë, dhe goja ime do të të lëvdojë me buzë të gëzuara.
6 Të kujtoj në shtratin tim, të mendoj kur rri zgjuar natën.
7 Duke qenë se ti ke qenë ndihma ime, unë këndoj tërë gëzim në hijen e krahëve të tu.
8 Shpirti im mbahet ngushtë te ti; dora jote e djathtë më mban.
9 Por ata që kërkojnë jetën time për ta shkatërruar, do të zbresin në pjesët më të ulta të tokës.
10 Ata do t’i dorëzohen pushtetit të shpatës dhe do të bëhen pre e çakejve.
11 Por mbreti do të gëzohet te Perëndia; kushdo që betohet për të do të përlëvdohet, sepse goja e gënjeshtrave do të detyrohet të mbyllet.
9 Shpallni këtë midis kombeve: "Pregatitni luftën, zgjoni njerëzit trima, le të afrohen, le të dalin gjithë luftëtarët!
10 Farkëtoni shpata me ploret tuaj dhe ushta me drapërinjtë tuaj. I dobëti le të thotë: "Jam i Fortë!"".
11 Nxitoni dhe ejani, kombe rreth e rrotull, dhe mblidhuni! O Zot, bëj që të zbresin atje njerëzit e tu trima!
12 "Le të ngrihen dhe të dalin kombet në luginën e Jozafatit, sepse atje unë do të ulem për të gjykuar të gjitha kombet që janë përreth.
13 Merrni në dorë draprinjtë, sepse të korrat janë gati. Ejani, zbrisni, sepse trokulli është plot, butet grafullojnë, sepse e madhe është ligësia e tyre".
14 Turma pas turmash në Luginën e vendimit. Sepse dita e Zotit është e afërt, në Luginën e vendimit".
15 Dielli dhe hëna po erren dhe yjet po humbin shkëlqimin e tyre.
16 Zoti do të vrumbullojë nga Sioni dhe do të bëjë që t’i dëgjohet zëri nga Jeruzalemi, aq sa qiejt dhe toka do të dridhen. Por Zoti do të jetë një strehë për popullin e tij dhe një fortesë për bijtë e Izraelit.
17 "Atëherë ju do të pranoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj, që banon në Sion, mali im i shenjtë. Kështu Jeruzalemi do të jetë i shenjtë dhe të huajt nuk do të kalojnë më andej".
18 Atë ditë do të ndodhë që malet të pikojnë musht, qumështi do të rrjedhë nga kodrat dhe uji do të rrjedhë në të gjitha rrëketë e Judës. Nga shtëpia e Zotit do të dalë një burim, që do të ujitë luginën e Sitimit.
19 "Egjipti do të bëhet shkreti dhe Edomi një shkretëtirë e mjeruar për shkak të dhunës kundër bijve të Judës, sepse kanë derdhur gjak të pafajshëm në vendin e tyre.
20 Por Juda do të mbetet përjetë, edhe Jeruzalemi brez pas brezi.
21 Do t’i pastroj nga gjaku i tyre i derdhur, nga i cili nuk i kisha pastruar, dhe Zoti do të banojë në Sion".
29 “Tani, fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë dritën e vet, yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen.
30 Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe të gjitha kombet e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.
31 Ai do t’i dërgojë engjëjt e vet me tinguj të fuqishëm borie; dhe ata do t’i mbledhin të zgjedhurit e tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri.
32 Tani mësoni nga fiku këtë shëmbëlltyrë: kur tashmë degët e tij njomësohen dhe nxjerrin gjethet, ta dini se vera është afër.
33 Kështu edhe ju, kur t’i shihni të gjitha këto gjëra, ta dini se ai është afër, madje te dera.
34 Në të vërtetë po ju them se ky brez nuk do të kalojë, pa u realizuar të gjitha këto.
35 Qielli dhe toka do të kalojnë, por fjalët e mia nuk do të kalojnë.