Revised Common Lectionary (Complementary)
70 O Perëndi, nxito të më çlirosh. O Zot, nxito të më ndihmosh.
2 U turpërofshin dhe u hutofshin ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe u mbulofshin me turp ata që kërkojnë të keqen time.
3 Kthefshin kurrizin për shkak të turpit të tyre ata që thonë: "Ah, ah!".
4 U gëzofshin dhe ngazëllofshin te ti të gjithë ata që të kërkojnë, dhe ata që duan shpëtimin tënd thënçin vazhdimisht: "U përlëvdoftë Perëndia!".
5 Por unë jam i varfër dhe nevojtar; o Perëndi, nxito të më vish në ndihmë; ti je ndihma ime dhe çlirimtari im; o Zot, mos vono.
1 Fjalë të Amosit, një nga barinjtë e Tekoas, që pati vegime për Izraelin, në kohën e Uziahut, mbretit të Judës, dhe në kohën e Jeroboamit, birit të Joasit, mbret i Izraelit, dy vjet para tërmetit.
2 Ai tha: "Zoti bërtet nga Sioni dhe bën që të dëgjohet zëri i tij në Jeruzalem; kullotat e barinjve janë të shkreta dhe maja e Karmelit u tha".
3 Kështu flet Zoti: "Për tre krime të Damaskut, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse e kanë shirë Galaadin me shirëse prej hekuri.
4 Prandaj do të dërgoj zjarr në shtëpinë e Hazaelit, që do të gllabërojë pallatet e Ben-hadadit.
5 Do të copëtoj edhe shufrat e Damaskut, do të shfaros banorin e Bikath-avenit dhe atë që mban skeptrin e Beth-edenit, dhe populli i Sirisë do të shkojë në robëri në Kir," thotë Zoti.
6 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Gazës, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e saj, sepse kanë shpërngulur një popullatë të tërë për t’ia dorëzuar Edomit.
7 Prandaj do të dërgoj zjarr brenda mureve të Gazës, që do të gllabërojë pallatet e saj.
8 Do të shfaros banorin prej Ashdodit dhe atë që mban skeptrin prej Ashkelonit; do ta kthej dorën time kundër Ekronit, dhe kusuri i Filistejve do të vdesë," thotë Zoti, Zoti.
9 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Tiros, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse i kanë dorëzuar si robër Edomit një popullatë të tërë, pa kujtuar besëlidhjen vëllazërore.
10 Prandaj do të dërgoj zjarr brenda mureve të Tiros, që do të gllabërojë pallatet e tij".
11 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Edomit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse ka ndjekur me shpatë vëllanë e tij, duke mbytur çdo mëshirë; zemërimi i tij vepron vazhdimisht dhe indinjata e tij përjetë.
12 Prandaj do të dërgoj zjarr kundër Temanit, që do të gllabërojë pallatet e Botsrahut".
13 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të bijve te Amonit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse u kanë çarë barkun grave me barrë të Galaadit për të zgjeruar kufijtë e tyre.
14 Prandaj do të ndez një zjarr brenda mureve të Rabahut, që do të gllabërojë pallatet e tij midis zhurmës së një dite beteje, midis shakullinës së një dite stuhie.
15 Mbreti i tyre do të shkojë në robëri, ai bashkë me krerët e tij," thotë Zoti.
2 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Moabit, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse ka djegur kockat e mbretit të Edomit, duke i katandisur në gëlqere.
2 Prandaj do të dërgoj zjarr në Moab, që do të gllabërojë pallatet e Keriothit, dhe Moabi do të vdesë në mes të rrëmujës, të britmës së luftës dhe të tingullit të borive.
3 Do të shfaros nga mesi i tij gjykatësin dhe do të vras tërë krerët e tij bashkë me të," thotë Zoti.
4 Kështu thotë Zoti: "Për tre krime të Judës, madje për katër, unë nuk do ta revokoj ndëshkimin e tij, sepse kanë përçmuar ligjin e Zotit dhe nuk kanë respektuar statutet e tij. Kështu idhujt, pas të cilëve shkuan etërit e tyre, i kanë bërë të devijojnë.
5 Prandaj do të dërgoj zjarr në Judë, që do të gllabërojë pallatet e Jeruzalemit".
6 Dhe të shtatë engjëjt që kishin të shtatë boritë u bënë gati t’i bien borisë.
7 Engjëlli i parë i ra borisë, dhe u bë breshër e zjarr, i përzier me gjak, dhe u hodhën mbi dhe; dhe e treta e pemëve u dogj tërësisht, dhe çdo bar i njomë u dogj tërësisht.
8 Dhe engjëlli i dytë i ra borisë dhe diçka si një mal i madh që digjet nga zjarri u hodh në det, dhe e treta e detit u bë gjak;
9 dhe e treta e krijesave që rrojnë në det ngordhi, dhe e treta e anijeve u shkatërruan.
10 Dhe i treti engjëll i ra borisë, dhe ra nga qielli një yll i madh që digjej si pishtar, dhe ra mbi pjesën e tretë të lumenjve dhe mbi burimet e ujërave.
11 Dhe emri i yllit është "pelin" dhe e treta e ujërave u bë pelin; dhe shumë njerëz vdiqën për shkak të këtyre ujërave, sepse u bënë të hidhura.
12 Dhe i katërti engjëll i ra borisë, dhe u godit pjesa e tret e diellit dhe pjesa e tret e hënës dhe pjesa e tret e yjeve, që të errësohej e treta e tyre dhe e treta e ditës e humbi shkëlqimin e saj, kështu edhe nata.
13 Dhe pashë, dhe dëgjova një engjëll që fluturonte në mes të qiellit dhe thoshte me zë të madh: “Mjerë, mjerë, mjerë atyre që banojnë mbi dhe, për shkak të të rënave të tjera të borive që të tre engjëjtë do t’i bien.”
9 Dhe i pesti engjëll i ra borisë, dhe unë pashë një yll që ra nga qielli përmbi tokë; dhe atij iu dha çelësi i pusit të humnerës.
2 Dhe ai hapi pusin e humnerës dhe nga pusi u ngrit një tym si nga një oxhak i madh; dhe dielli dhe ajri u errën nga tymi i pusit.
3 Edhe nga ky tym dolën mbi dhe karkaleca, dhe atyre iu dha një pushtet, i ngjashëm me atë të akrepave të tokës.
4 Dhe atyre iu tha të mos dëmtojnë barin e dheut, asnjë gjelbërim e asnjë dru, por vetëm ata njerëzit të cilët nuk kanë vulën e Perëndisë mbi ballë.
5 Dhe atyre iu dha fuqia të mos i vrasin ata, por t’i mundojnë pesë muaj; dhe mundimi i tyre si mundimi i akrepit, kur pickon.
6 Dhe në ato ditë njerëzit do të kërkojnë vdekjen, por nuk do ta gjejnë atë, edhe do të dëshirojnë të vdesin, por vdekja do të largohet prej tyre.
7 Dhe pamja e karkalecave u përngjante kuajve të gatitur për luftë; dhe mbi kokat e tyre kishin si kurora prej ari dhe fytyrat e tyre ishin si fytyra njerëzish.
8 Dhe kishin flokë si flokë grash; dhe dhëmbët e tyre ishin si dhëmbë luanësh.
9 Dhe kishin parzmore si parzmore hekuri, dhe ushtima e krahëve të tyre ishte si ushtima i shumë qerrëve dhe kuajve që rendin në luftim.
10 Dhe kishin bishtra që u ngjanin akrepave dhe me thumb në bishtrat e tyre: në të cilat qëndronte fuqia të dëmtonin njerëzit për pesë muaj.
11 Dhe për mbret përmbi ta kishin engjëllin e humnerës, emri e tij në hebraisht është Abadon dhe në greqisht emrin e ka Apolion.
12 Mjerimi i parë kaloi; ja, po vijnë edhe dy mjerime paskëtaj.