Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 109:21-31

21 Por ti, o Zot, o Zot, vepro në favorin tim për hir të emrit tënd, çliromë me dhemshurinë dhe mirësinë tënde,

22 sepse unë jam i varfër dhe nevojtar, dhe zemra ime është plagosur brenda meje.

23 Unë iki si një hije që zgjatet, jam i tronditur si një karkalec.

24 Gjunjët e mi dridhen nga të pangrënët dhe trupi im është dobësuar për mungesë të dhjamit.

25 Jam bërë një faqezi për ta; kur më shohin, tundin kokën.

26 Ndihmomë, o Zot, Perëndia im, shpëtomë për dhemshurinë tënde,

27 dhe ta dinë që kjo është vepër e duarve të tua, dhe që ti, o Zot, e ke bërë.

28 Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh; kur të ngrihen, do të mbeten të hutuar, por shërbëtori yt do të gëzohet.

29 U mbulofshin me turp kundërshtarët e mi dhe u mbështjellshin me turp si me mantel,

30 Unë do të kremtoj me të madhe Zotin me gojën time dhe do ta lëvdoj në mes të një turme të madhe,

31 sepse ai rri në të djathtë të të varfërit për ta shpëtuar nga ata që e dënojnë me vdekje.

Ezekieli 20:1-17

20 Ja, ndodhi në vitin e shtatë, më dhjetë të muajit të pestë, që disa nga pleqtë e Izraelit erdhën të konsultohen me Zotin dhe u ulën para meje.

Pastaj fjala e Zotit m’u drejtua, duke më thënë:

"Bir njeriu, folu pleqve të Izraelit dhe u thuaj: Kështu thotë Zoti, Zoti: A keni ardhur të më konsultoni? Ashtu siç është e vërtetë që unë rroj, nuk do të lejoj të konsultohem prej jush," thotë Zoti, Zoti.

"A do t’i gjykosh, a do t’i gjykosh, bir njeriu? Bëji të njohin veprimet e neveritshme të etërve të tyre,

dhe u thuaj atyre: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ditën kur zgjodha Izraelin dhe ngrita dorën për betim pasardhësve të shtëpisë së Jakobit dhe e bëra veten të njohur në vendin e Egjiptit, ngrita dorën për betim me ta, duke thënë: "Unë jam Zoti, Perëndia juaj".

Atë ditë ngrita dorën duke ju betuar atyre se do t’i nxirrja nga vendi i Egjiptit dhe do t’i çoja në një vend që kisha vëzhguar për ta ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, lavdia e të gjitha vendeve.

Pastaj u thashë atyre: Secili të flakë gjërat e neveritshme që janë para syve të tij dhe mos u ndotni me idhujt e Egjiptit. Unë jam Zoti, Perëndia juaj.

Por ata u rebeluan kundër meje dhe nuk deshën të më dëgjojnë; asnjë prej tyre nuk flaku gjërat e neveritshme që ishin para syve të tyre dhe nuk braktisi idhujt e Egjiptit. Atëherë vendosa të derdh mbi ta tërbimin tim dhe të shfryj mbi ta zemërimin tim në mes të vendit të Egjiptit.

Megjithatë veprova për hir të emrit tim, me qëllim që ai të mos përdhosej para kombeve në mes të të cilëve ata ndodheshin, në sytë e të cilëve më kishin njohur, për t’i nxjerrë nga vendi i Egjiptit.

10 Kështu i nxora nga vendi i Egjiptit dhe i çova në shkretëtirë.

11 U dhashë atyre statutet e mia dhe u bëra të njohura dekretet e mia, duke respektuar të cilat, njeriu do të jetojë për ato.

12 Gjithashtu u dhashë atyre të shtunat e mia, me qëllim që të ishin një shënjë midis meje dhe atyre, dhe që të njihnin që unë jam Zoti që i shenjtëroj.

13 Por shtëpia e Izraelit u rebelua kundër meje në shkretëtirë; nuk eci sipas statuteve të mia dhe hodhi poshtë dekretet e mia, duke respektuar të cilat njeriu do të jetojë për ato, dhe përdhosën me të madhe të shtunat e mia. Kështu unë vendosa të hedh mbi ta zemërimin tim për ti zhdukur në shkretëtirë.

14 Megjithatë unë veprova për hir të emrit tim, me qëllim që të mos përdhosej përpara kombeve, në sytë e të cilëve unë i kisha bërë të dalin nga Egjipti.

15 Ngrita madje dorën në shkretëtirë, duke u betuar se nuk do t’i bëja të hynin në vendin që u kisha dhënë atyre, ku rrjedh qumësht dhe mjaltë, lavdia e të gjitha vendeve,

16 sepse kishin hedhur poshtë dekretet e mia, nuk kishin ecur sipas statuteve të mia dhe kishin përdhosur të shtunat e mia, sepse zemra e tyre shkonte pas idhujve të tyre.

17 Megjithatë syri im i fali nga shkatërrimi dhe nuk i shfarosa krejt në shkretëtirë.

Hebrenjve 3:7-4:11

Prandaj, sikurse thotë Fryma e Shenjtë: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij,

mos i ngurtësoni zemrat tuaja si në provokim, në ditën e tundimit në shkretëtirë,

ku etërit tuaj më tunduan duke më vënë në sprovë, ndonëse i kishin parë veprat e mia dyzet vjet.

10 Prandaj u indinjova me atë brez dhe thashë: Gabojnë gjithnjë me zemër dhe nuk i njohën udhët e mia;

11 kështu u betova në mërinë time: Nuk do të hyjnë në prehjen time.”

12 Kini kujdes, vëllezër, se mos ndonjë nga ju ka zemër të ligë, mosbesimi, që të largohet nga Perëndia i gjallë,

13 por nxitni njeri tjetrin çdo ditë, derisa thuhet: "Sot," që të mos ngurtësohet ndonjë nga ju prej mashtrimit të mëkatit.

14 Sepse ne jemi bërë pjestarë të Krishtit, në qoftë se do ta ruajmë të palëkundur deri në fund fillimin e besimit,

15 kur thuhet: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos jini zemërgur si në ditën e kryengritjes.”

16 Kush janë ata që, mbasi e dëgjuan, e provokuan? A thua jo të gjithë ata që dolën nga Egjipti me anë të Moisiut?

17 Dhe kush qenë ata me të cilët u zemërua për dyzet vjet? A s’qenë vallë ata që mëkatuan, kufomat e të cilëve ranë nëpër shkretëtirë?

18 Dhe për cilët bëri be se nuk do të hynin në prehjen e tij, veç se për ata që qenë të pabindur?

19 Ne shohim se ata nuk mundën të hyjnë për shkak të mosbesimit.

Prandaj, përderisa mbetet akoma një premtim për të hyrë në prehjen e tij, le të kemi frikë se mos ndonjë nga ju të mbetet jashtë.

Në fakt neve si edhe atyre u ishte shpallur lajmi i mirë, por fjala e predikimit nuk u dha dobi fare, sepse nuk qe e bashkuar me besimin tek ata që e dëgjuan.

Sepse ne që besuam hyjmë në prehje, siç tha ai: “Kështu u përbetova në mërinë time: nuk do të hyjnë në prehjen time,” ndonëse veprat e tij u mbaruan që kur se u krijua bota.

Sepse diku ai ka thënë kështu për të shtatën ditë: “Dhe Perëndia u preh të shtatën ditë nga të gjitha veprat e tij”;

dhe po aty: “Nuk do të hyjnë në prehjen time.”

Mbasi, pra, mbetet që disa të hyjnë në të, ndërsa ata që u ungjillzuan më përpara nuk hyjnë për shkak të mosbesimit të tyre,

ai cakton përsëri një ditë: "Sot," duke thënë, mbas kaq kohe, me gojën e Davidit: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos u bëni zemërgur.”

Sepse, në qoftë se Jozueu do t’u kishte dhënë prehje, Perëndia nuk do të kishte folur për një ditë tjetër.

Mbetet, pra, një pushim i së shtunës për popullin e Perëndisë.

10 Sepse kush ka hyrë në prehjen e tij, ka bërë pushim edhe ai nga veprat e veta, ashtu si Perëndia nga të tijat.

11 Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në atë prehje, që askush të mos bjerë në atë shëmbull të mosbindjes.