Revised Common Lectionary (Complementary)
23 A jam unë vetëm një Perëndi nga afër," thotë Zoti, "apo dhe një Perëndi nga larg?
24 A mundet dikush të fshihet në vende të fshehta në mënyrë që unë të mos e shoh?," thotë Zoti. "A nuk e mbush unë qiellin dhe tokën?," thotë Zoti.
25 "Kam dëgjuar atë që thonë profetët që profetizojnë gënjeshtra në emrin tim, duke thënë: "Pashë një ëndërr, pashë një ëndërr!".
26 Deri kur do të vazhdojë kjo në zemrën e këtyre profetëve që profetizojnë gënjeshtra dhe profetizojnë mashtrimin e zemrës së tyre?
27 Ata mendojnë që populli im do të harrojë emrin tim me ëndrrat e tyre që i tregojnë njëri-tjetrit, ashtu si etërit e tyre harruan emrin tim për Baalin.
28 Profeti që pa një ëndërr le ta tregojë ëndrrën, por ai që ka fjalën time le ta kallëzojë atë me besnikëri. Ç’punë ka kashta me grurin?," thotë Zoti.
29 "A nuk është fjala ime si zjarri?," thotë Zoti, "dhe si një çekiç që thyen gurin?
82 Perëndia rri në kuvendin e Perëndisë, ai gjykon në mes të perëndive.
2 Deri kur do të gjykoni padrejtësisht dhe do të mbani anët e të pabesëve? (Sela)
3 Mbroni të dobëtin dhe jetimin, sigurojini drejtësi të vuajturit dhe të varfërit.
4 Çlironi të mjerin dhe nevojtarin; shpëtojeni nga dora e të pabesit.
5 Ata nuk dinë asgjë dhe nuk kuptojnë asgjë, dhe ecin në terr; të gjitha themelet e tokës po luajnë.
6 Unë kam thënë: "Ju jeni perëndi, jeni të gjithë bijtë e Shumë të Lartit.
7 Megjithatë ju do të vdisni si njerëzit e tjerë dhe do të bini si çdo i fuqishëm tjetër".
8 Çohu, o Perëndi, gjyko tokën, sepse ti do të trashëgosh tërë kombet.
29 Me anë të besimit kaluan nëpër Detin e Kuq si të ishte tokë e thatë, ndërsa kur Egjiptasit u përpoqën ta bëjnë, u mbytën.
30 Me anë të besimit ranë muret e Jerihos, pasi u suallën rreth tyre shtatë ditë.
31 Me anë të besimit Rahabi, një prostitutë, nuk humbi bashkë me ata që nuk besuan, sepse kishte pritur paqësisht zbuluesit.
32 Dhe ç’të them më? Sepse nuk do të më mjaftonte koha, po të doja të tregoja për Jedeonin, Barakun, Sansonin, Jeftin, Davidin, Samuelin dhe për profetët,
33 të cilët, me anë të fesë nënshtruan mbretërira, realizuan drejtësinë, arritën ato që u premtuan, ua zunë grykën luanëve,
34 fikën fuqinë e zjarrit, shpëtuan nga tehu i shpatës, nga të dobët u bënë të fuqishëm, u bënë të fortë në betejë, thyen ushtritë e huaja.
35 Gratë morën të vdekurit e tyre me anë të ringjalljes; e të tjerët u torturuan, sepse nuk pranuan çlirimin, për të fituar një ringjallje më të mirë.
36 Dhe të tjerë hoqën përqeshje dhe goditje, madje edhe pranga dhe burgime.
37 U vranë me gurë, me sharrë, u prenë, u vranë nga shpata, u endën të mbuluar me lëkurë dhënsh e dhish, nevojtarë, të pikë-lluar, të keqtrajtuar
38 (bota nuk ishte e denjë për ta), u sollën nëpër shkretëtira e nëpër male, nëpër shpella dhe nëpër guva të dheut.
39 E pra, të gjithë këta, ndonëse morën dëshmim të mirë me anë të besimit, nuk morën atë që u ishte premtuar,
40 sepse Perëndia kishte paraparë diçka më të mirë për ne, që ata të mos arrinin në përsosje pa ne.
12 Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh,
2 duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë.
49 “Unë erdha të hedh zjarr mbi tokë dhe sa dëshiroj që ai të ishte tashmë i ndezur.
50 Tani unë kam një pagëzim me të cilën duhet të pagëzohem dhe jam në ankth deri sa të kryhet.
51 A kujtoni se erdha të sjell paqen mbi tokë? Jo, po ju them, por më shumë përçarjen;
52 sepse, tash e tutje, pesë veta në një shtëpi do të jenë të ndarë: tre kundër dyve dhe dy kundër treve.
53 Babai do të ndahet kundër të birit, dhe i biri kundër babait; nëna kundër së bijës dhe e bija kundër nënës; vjehrra kundër nuses së saj dhe nusja kundër vjehrrës së vet.”
54 Atëherë ai u tha akoma turmave: “Kur ju shihni një re që ngrihet nga perëndimi menjëherë thoni: "Do të vijë shiu," dhe ashtu ndodh;
55 përkundrazi, kur fryn juga, ju thoni: "Do të bëjë vapë," dhe ashtu ndodh.
56 Hipokritë! Ju dini të dalloni dukurinë e qiellit dhe të tokës, por vallë si nuk dini ta dalloni këtë kohë?