Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 103:1-8

103 Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.

Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.

Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,

shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;

ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja.

Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve.

Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij.

Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

Nehemia 13:15-22

15 Në ato ditë vura re në Judë disa që shtrydhnin rrushin ditën e shtunë dhe mbartnin thasë gruri, duke i ngakuar mbi gomarët, bashkë me verën, rrushin, fiqtë dhe gjithfarë ngarkesash të tjera që sillnin në Jeruzalem ditën e shtunë; dhe unë i qortova për shkak të ditës në të cilën shisnin sendet ushqimore.

16 Përveç kësaj disa jerëz të Tiros, që banonin në Jeruzalem, importonin peshk dhe lloj-lloj mallrash dhe ua shisnin bijve të Judës ditën e shtunë dhe në Jeruzalem.

17 Atëherë qortova parinë e Judës dhe i thashë: "Ç’është kjo e keqe që kryeni duke përdhosur ditën e shtunë?

18 A nuk vepruan njëlloj etërit tonë? A nuk bëri Perëndia ynë të pllakosë mbi ne dhe mbi qytetin tonë tërë kjo fatkeqësi? Por ju po sillni një zemërim më të madh mbi Izraelin, duke përdhosur të shtunën!".

19 Kështu, sapo portat e Jeruzalemit filluan të jenë në terr, para se të fillonte e shtuna, unë urdhërova që portat të ishin mbyllur dhe të mos hapeshin deri pas së shtunës; vendosa madje disa shërbëtorë të mi te portat, me qëllim që asnjë ngarkesë të mos hynte në qytet gjatë ditës së shtunë.

20 Por tregëtarët dhe shitësit e çdo lloj malli e kaluan natën jashtë Jeruzalemit një ose dy herë.

21 Atëherë unë i qortova dhe u thashë: "Pse e kaloni natën para mureve? Po ta bëni një herë tjetër, do të veproj kundër jush". Qysh prej atij çasti ata nuk erdhën më ditën e shtunë.

22 Urdhërova gjithashtu Levitët që të pastroheshin dhe të vinin të ruanin portat për të shenjtëruar ditën e shtunë. Edhe për këtë më kujto mua, o Perëndia im, dhe ki mëshirë për mua sipas madhësisë së dhembshurisë sate!

Luka 6:1-5

Ndodhi që një të shtunë, pas së shtunës së madhe, ai po ecte nëpër arat me grurë, dhe dishepujt e vet këputnin kallinj, i shkoqnin me dorë dhe i hanin.

Dhe disa nga farisenjtë u thanë atyre: “Përse bëni atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?.”

Por Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi dhe ata që ishin bashkë me të kur i mori uria?

Si hyri në shtëpinë e Perëndisë, ai mori bukët e paraqitjes, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin bashkë me të, ndonëse nuk ishte e lejueshme për asnjërin t’i hante, përveç priftërinjve?.”

Pastaj u tha atyre: “Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës".