Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 89:1-18

89 Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t’u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.

Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë".

"Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë:

"Do t’i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela)

Dhe qiejtë do të kremtojnë mrekullitë e tua, o Zot, dhe besnikërinë tënde në kuvendin e shenjtorëve.

Sepse kush mund të krahasohet në qiell me Zotin? Dhe kush është i njëllojtë me Zotin midis bijve të të Fuqishmit?

Perëndisë ia kanë frikën shumë në kuvendin e shenjtorëve, dhe respektohet thellë nga tërë ata që e rrethojnë.

O Zot, Perëndi i ushtrive, kush është i fuqishëm si ti, o Zot? Besnikëria jote të rrethon kudo.

Ti e sundon tërbimin e detit; kur valët e tij ngrihen, ti i qetëson.

10 Ti e ke bërë copë-copë Egjiptin, duke e plagosur për vdekje; me krah të fuqishëm ke shpërndarë armiqtë e tu.

11 Qiejtë janë të tutë, edhe toka është jotja; ti e ke krijuar botën dhe të gjitha atë që janë në të.

12 Ti ke krijuar veriun dhe jugun; Tabori dhe Hermoni lëshojnë britma gëzimi kur dëgjojnë emrin tënd.

13 Ti ke krah të fuqishëm; dora jote është e fortë, e djathta jote ngrihet në qiell.

14 Drejtësia dhe e drejta përbëjnë bazën e fronit tënd; mirësia dhe e vërteta shkojnë përpara fytyrës sate.

15 Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate;

16 do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde.

17 Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë.

18 Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.

2 i Kronikave 33:1-17

33 Manasi ishte dymbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi pesëdhjet e pesë vjet në Jeruzalem.

Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke ndjekur gjërat e neveritshme të kombeve që Zoti kishte dëbuar përpara bijve të Izraelit.

Ai rindërtoi vendet e larta që Ezekia, i ati, kishte shkatërruar, ngriti altarë për Baalët, bëri Asherimët dhe ra përmbys përpara tërë ushtrisë së qiellit dhe u vu në shërbim të saj.

Ngriti gjithashtu altarë në shtëpinë e Zotit, për të cilën Zoti kishte thënë: "Emri im do të mbetet përjetë në Jeruzalem".

Ndërtoi altarë për gjithë ushtrinë e qiellit në të dy oborret e shtëpisë të Zotit.

I kaloi bijtë e tij nëpër zjarr në luginën e birit të Hinomit; përdori magjinë, shortarinë, dhe shtrigërinë, dhe konsultoi mediumet dhe magjistarët. Bëri plotësisht atë që është e keqe në sytë e Zotit, duke provokuar zemërimin e tij.

Vuri madje një shëmbëlltyrë të gdhendur, idhullin që kishte bërë, në shtëpinë e Perëndisë dhe për të cilën Perëndia i kishte thënë Davidit dhe Salomonit, birit të tij: "Në këtë shtëpi dhe në Jeruzalem, që kam zgjedhur midis tërë fiseve të Izraelit, do të vë emrin tim përjetë;

dhe nuk do të bëj që të endet më këmba e Izraelit larg vendit që u kam dhënë etërve të tyre, me kusht që të kujdesen të zbatojnë në praktikë gjithçka që kam urdhëruar, sipas tërë ligjit, statuteve dhe dekreteve të dhëna me anë të Moisiut".

Por Manasi iu shmang Judës dhe banorët e Jeruzalemit duke i shtyrë të vepronin më keq se kombet që Zoti kishte shkatërruar para bijve të Izraelit.

10 Zoti i foli Manasit dhe popullit të tij, por ata nuk ia vurën veshin.

11 Atëherë Zoti solli kundër tyre komandantët e ushtrisë së mbretit të Asirisë, që e zunë Manasin me çengela në hundë, e lidhën me zinxhira prej bronzi dhe e çuan në Babiloni.

12 Kur u gjend në hall, iu lut shumë Zotit, Perëndisë të tij, dhe u përul thellë përpara Perëndisë të etërve të tij.

13 Pastaj iu fal dhe iu lut shumë dhe Perëndia e dëgjoi lutjen e tij dhe e çoi përsëri në Jeruzalem, në mbretërinë e tij. Atëherë Manasi njohu që Zoti është Perëndia.

14 Pas kësaj, Manasi ndërtoi një mur jashtë qytetit të Davidit, në perëndim të Gihonit, në luginë, deri te porta e peshqve; muri i vinte përreth Ofelit, dhe e bëri shumë të lartë. Pastaj vendosi komandantë ushtarakë në të gjitha qytetet e fortifikuara të Judës.

15 Përveç kësaj hoqi nga shtëpia e Zotit perënditë e huaja dhe idhullin, së bashku me të gjithë altarët që kishte ndërtuar mbi malin e shtëpisë të Zotit dhe në Jeruzalem, dhe i hodhi jashtë qytetit.

16 Pastaj restauroi altarin e Zotit dhe mbi të ofroi flijime falenderimi dhe lëvdimi, si dhe urdhëroi Judën t’i shërbente Zotit, Perëndisë të Izraelit.

17 Megjithatë populli vazhdonte të ofronte flijime në vendet e larta, por vetëm Zotit, Perëndisë të tij.

Hebrenjve 11:1-7

11 Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen;

sepse me anë të saj të moçmit morën dëshmimin.

Me anë të besimit ne kuptojmë se bota është ndërtuar me fjalën e Perëndisë, sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen.

Me anë të besimit Abeli i ofroi Perëndisë flijim më të mirë nga ai i Kainit; me anë të tij ai mori dëshmimin se ishte i drejtë, sepse Perëndia dha dëshmin se i pranoi ofertat e tij; dhe me anë të tij, ndonëse vdiq, ai po flet ende.

Me anë të besimit Enoku u zhvendos që të mos shikonte vdekje dhe nuk u gjet më, sepse Perëndia e kishte zhvendosur; sepse para se të merrej, ai pati dëshmimin se i kishte pëlqyer Perëndisë.

Edhe pa besim është e pamundur t’i pëlqesh Atij, sepse ai që i afrohet Perëndisë duhet të besojë se Perëndia është, dhe se është shpërblenjësi i atyre që e kërkojnë atë.

Me anë të besimit Noeu, i lajmëruar hyjnisht për ato që ende nuk shiheshin, u frikësua dhe ndërtoi një arkë për shpëtimin e shtëpisë së tij, me anë të së cilës e dënoi botën dhe u bë trashëgimtar i drejtësisë që është me anë të besimit.