Revised Common Lectionary (Complementary)
15 Mbas këtyre gjërave, fjala e Zotit iu drejtua Abramit në vegim duke i thënë: "Mos ki frikë, Abram, unë jam mburoja jote, dhe shpërblimi yt do të jetë shumë i madh".
2 Po Abrami i tha: "Zot, Perëndi, çfarë do të më japësh, sepse unë jam pa fëmijë dhe trashëgimtari i shtëpisë sime është Eliezeri i Damaskut?".
3 Pastaj Abrami shtoi këto fjalë: "Ti nuk më ke dhënë asnjë pasardhës; dhe ja, një i lindur në shtëpinë time do të jetë trashëgimtari im".
4 Atëherë fjala e Zotit iu drejtua duke i thënë: "Ai nuk do të jetë trashëgimtari yt, por ai që ka për të dalë nga të përbrendshmet e tua do të jetë trashëgimtari yt".
5 Pastaj e çoi jashtë dhe i tha: "Vështro me kujdes qiellin dhe numëro yjet, në rast se mund t’i numërosh," pastaj shtoi: "Kështu kanë për të qenë pasardhësit e tu".
6 Dhe ai i besoi Zotit, që ia vuri në llogari të drejtësisë.
12 Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.
13 Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve.
14 Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës.
15 Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre.
16 Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe.
17 Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku.
18 Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,
19 për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t’i mbajtur të gjallë në kohë urie.
20 Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.
21 Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë.
22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.
11 Dhe besimi është siguria e gjërave që shpresohen, tregim i gjërave që nuk shihen;
2 sepse me anë të saj të moçmit morën dëshmimin.
3 Me anë të besimit ne kuptojmë se bota është ndërtuar me fjalën e Perëndisë, sa që ato që shihen nuk u bënë prej gjërave që shihen.
8 Me anë të besimit Abrahami, kur u thirr, u bind të shkojë në atë vend që do të merrte për trashëgim; dhe u nis pa ditur se ku po shkonte.
9 Me anë të besimit Abrahami banoi në tokën e premtuar, si në një dhe të huaj, dhe ndenji në çadra bashkë me Isakun dhe Jakobin, bashkëtrashëgimtarë të të nëjtit premtim,
10 sepse priste qytetin që ka themelet, mjeshtër dhe ndërtues i të cilit është Perëndia.
11 Me anë të besimit edhe vetë Sara, ndonëse e kishte kaluar moshën, mori fuqi të bëhet me barrë dhe të lindë, sepse e konsideroi besnik atë që i kishte bërë premtimin.
12 Prandaj edhe prej një të vetmi, edhe ky gati për të vdekur, lindën pasardhës të shumtë sa yjet e qiellit dhe si rëra që është në breg të detit dhe që nuk numërohet dot.
13 Të gjithë këta vdiqën në besim, pa marrë premtimet e bëra, por i panë ato për se largu dhe u bindën dhe i përshëndetën ato me gëzim duke rrëfyer se janë të huaj dhe shtegtarë mbi dhe.
14 Sepse ata që flasin të tilla, tregojnë se kërkojnë atdhe.
15 Dhe, po ta kishin pasur në mend atë nga e cila kishin dalë, do të kishin gjetur kohë të ktheheshin atje.
16 Por ata tani dëshirojnë një atdhe më të mirë, domethënë qiellor; prandaj Perëndisë nuk i vjen turp të quhet Perëndi i tyre, sepse u bëri gati atyre një qytet.
32 Mos ki frikë, o tufë e vogël, sepse Atit tuaj i pëlqeu t’ju japë mbretërinë.
33 Shitni pasurinë tuaj dhe jepni lëmoshë! Bëni për vete trasta që nuk vjetrohen, një thesar të pashtershëm në qiejt, ku vjedhësi nuk arrin dhe tenja nuk bren.
34 Sepse atje ku është thesari juaj, atje do të jetë edhe zemra juaj.”
35 Le të jenë ngjeshur ijët tuaja, dhe llambat ndezur.
36 Ngjajini atyre që presin zotërinë e tyre, kur kthehet nga dasma, për t’ia hapur derën sapo të vijë dhe të trokasë.
37 Lum ata shërbëtorë, që zotëria, kur të kthehet, do t’i gjejë zgjuar! Në të vërtetë po ju them se ai vetë do të ngjeshet dhe do t’i vendosë ata në tryezë, dhe ai vetë do t’u shërbejë.
38 Dhe, në se do të vijë në të dytën a në të tretën rojë të natës dhe t’i gjejë kështu, lum ata shërbëtorë.
39 Por ta dini këtë: se po ta dinte i zoti i shtëpisë në cilën orë i vjen vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të linte t’i shpërthenin shtëpinë.
40 Edhe ju pra, jini gati, sepse Biri i njriut do të vijë në atë orë që nuk e mendoni.”