Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 140

140 Më çliro, o Zot, nga njerëzit e këqij; më mbro nga njerëzit e furishëm,

që thurrin ligësi në zemër të tyre; ata mblidhen vazhdimisht për të bërë luftë.

Mprehin gjuhën e tyre si gjarpëri dhe kanë helm gjarpëri nën buzët e tyre. (Sela)

Më mbro, o Zot, nga duart e të pabesit dhe më mbro nga njeriu i dhunës, që komplotojnë për të më rrëzuar.

Kryelartët kanë fshehur për mua një lak dhe litarë, më kanë ngritur një rrjetë buzë shtegut, kanë vënë kurthe për mua. (Sela)

Unë i thashë Zotit: "Ti je Perëndia im; dëgjo, o Zot, britmën e lutjeve të mia.

O Zot Perëndi, ti je forca e shpëtimit tim, ti e ke mbuluar kokën time ditën e betejës.

O Zot, mos u jep të pabesëve atë që dëshirojnë; mos favorizo planet e tyre, që të mos lavdërohen. (Sela)

Bëj që koka e atyre që më rrethojnë të mbulohet nga çoroditja e vetë buzëve të tyre.

10 Rënçin mbi ta qymyre të ndezur; i hedhshin në zjarr, në gropa të thella, nga ku të mos mund të ngrihen.

11 Njeriu gojëkeq mos qoftë i qëndrueshëm mbi tokë; fatkeqësia përndjektë njeriun e dhunës deri në shkatërrim".

12 Unë e di që Zoti do të mbrojë çështjen e të pikëlluarit dhe do t’i sigurojë drejtësi të varfërit.

13 Sigurisht të drejtët do të kremtojnë emrin tënd, dhe njerëzit e ndershëm do të banojnë të praninë tënde.

Zanafilla 24:34-41

34 Atëherë ai tha: "Unë jam një shërbëtor i Abrahamit.

35 Zoti e ka bekuar shumë zotërinë tim, që është bërë i madh; i ka dhënë dele dhe qe, argjend dhe flori, shërbyes dhe shërbyese, deve dhe gomarë.

36 Por Sara, gruaja e zotërisë tim, i ka lindur në pleqërinë e saj një djalë zotërisë tim, i cili i ka dhënë atij gjithçka zotëron.

37 Dhe zotëria im më vuri të betohem duke thënë: "Nuk do të marrësh grua për djalin tim nga bijtë e Kanaanejve, në vendin ku banoj;

38 por do të shkosh në shtëpinë e babait tim dhe tek afëria ime dhe aty do të marrësh një grua për birin tim".

39 Atëherë unë i thashë zotërisë tim: "Ndofta gruaja nuk do të dojë të më ndjekë".

40 Por ai u përgjegj: "Zoti, para të cilit kam ecur, do të dërgojë engjëllin e tij bashkë me ty dhe do ta bëj të mbarë udhëtimin tënd, dhe ti do të marrësh për birin tim një grua nga farefisi im dhe nga shtëpia e babait tim.

41 Do të lirohesh nga betimi që më ke bërë kur të shkosh tek afëria ime; dhe po të jetë se nuk duan të ta japin, do të lirohesh nga betimi që më ke bërë".

Zanafilla 24:50-67

50 Atëherë Labano dhe Bethueli u përgjigjën dhe thanë: "Kjo varet nga Zoti; ne nuk mund të flasim as për mirë as për keq.

51 Ja, Rebeka është këtu para teje, merre me vete, shko dhe ajo të bëhet gruaja e birit të zotërisë tënd, ashtu siç ka thënë Zoti".

52 Kur shërbëtori i Abrahamit dëgjoi fjalët e tyre u përul për tokë përpara Zotit.

53 Shërbëtori nxori sende të argjëndta dhe të arta si dhe rroba dhe ia dha Rebekës; dhe u dhuroi gjithashtu sende të vlefshme vëllait dhe nënës së Rebekës.

54 Pastaj hëngrën e pinë ai dhe njerëzit që ishin bashkë me të; u ndalën vetëm atë natë. Kur u ngritën në mëngjes, shërbëtori tha: "Më lini të kthehem te zotëria im".

55 Vëllai dhe nëna e Rebekës thanë: "Lëre që vajza të rrijë disa ditë me ne, të paktën dhjetë ditë; pastaj mund të ikë".

56 Por ai iu përgjegj atyre: "Mos më mbani, sepse Zoti e ka bërë të mbarë udhëtimin tim; më lini të iki, që unë të kthehem te zotëria im".

57 Atëherë ata i thanë: "Të thërresim vajzën dhe ta pyesim atë".

58 Atëherë thirrën Rebekën dhe i thanë: "A do të shkosh me këtë njeri?". Ajo u përgjegj: "Po, do të shkoj".

59 Kështu e lanë Rebekën, motrën e tyre, të shkojë dhe tajën e saj të shkojë me shërbëtorin dhe njerëzit e Abrahamit.

60 Dhe e bekuan Rebekën dhe i thanë: "Motra jonë, ti u bëfsh nëna e mijëra mizëri njerëzish dhe pasardhësit e tu paçin në dorë portat e armiqve të tyre".

61 Atëherë Rebeka dhe shërbyeset e saj u ngritën më këmbë, hipën mbi devetë dhe shkuan pas këtij njeriu. Kështu shërbëtori mori Rebekën dhe iku.

62 Ndërkaq Isaku ishte kthyer nga pusi i Lahai-Roit, sepse banonte në krahinën e Negevit.

63 Isaku kishte dalë aty nga mbrëmja në fushë për t’u menduar; dhe ai ngriti sytë dhe pa disa deve që po vinin.

64 Edhe Rebeka ngriti sytë dhe pa Isakun; atëherë zbriti me të shpejtë nga deveja,

65 dhe i tha shërbëtorit: "Kush është ai njeri që vjen nga fusha drejt nesh?". Shërbëtori u përgjegj: "Éshtë zotëria im". Atëherë ajo mori vellon dhe u mbulua.

66 Pastaj shërbëtori i tregoi Isakut tërë gjërat që kishte bërë.

67 Dhe Isaku e futi Rebekën në çadrën e Sarës, nënës së tij, dhe e mori me vete; ajo u bë gruaja e tij dhe ai e dashuroi. Kështu Isaku u ngushëllua mbas vdekjes së nënës së tij.

1 Gjonit 2:7-11

Vëllezër, nuk ju shkruaj një urdhërim të ri, por një urdhërim të vjetër, që e kishit nga fillimi: urdhërimi i vjetër është fjala që dëgjuat nga fillimi.

E megjithatë po ju shkruaj një urdhërim të ri, që është i vërtetë në të dhe në ju, sepse errësira po shkon dhe tashmë po ndrit drita e vërtetë.

Ai që thotë se është në dritë dhe urren vëllanë e vet, është ende në errësirë.

10 Ai që e do vëllanë e vet qëndron në dritë dhe nuk ka asgjë në të që e bënë të bjerë.

11 Por ai që urren vëllanë e vet është në errësirë, ecën në errësirë dhe nuk di ku shkon, sepse errësira ia ka verbuar sytë.