Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 138

138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.

Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.

Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.

Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,

dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.

Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.

Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.

Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.

Ester 3:7-15

Në muajin e parë, që është muaji i Nisanit, në vitin e dymbëdhjetë të mbretit Asuero, në prani të Hamanit, u hodh Puri (domethënë u hodh shorti), për të vendosur ditën dhe muajin; dhe shorti ra mbi ditën e trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji i Adarit.

Atëherë Hamani i tha mbretit Asuero: "Ka një popull të shpërndarë dhe të veçuar nga popujt e të gjitha krahinave të mbretërisë sate, ligjet e të cilit ndryshojnë nga ato të cilitdo populli tjetër dhe që nuk respekton ligjet e mbretit; prandaj mbreti nuk ka asnjë përfitim t’i lërë të gjallë.

Në rast se kjo i pëlqen mbretit, të përpilohet një dekret për shkatërimin e tyre; dhe unë do të paguaj dhjetë mijë talenta argjendi në duart e atyre që kryejnë punën, me qëllim që të derdhen në thesaret e mbretit".

10 Atëherë mbreti hoqi nga dora unazën me vulën dhe ia dha Hamanit, Agagitit, birit të Hamedathas dhe armikut të Judejve.

11 Pastaj mbreti i tha Hamanit: "Paratë t’u dhanë, po kështu të jepet populli; bëj me të çfarë të duash".

12 Ditën e trembëdhjetë të muajit të parë u thirrën sekretarët e mbretit dhe u redaktua një dekret, në bazë të të gjitha gjërave që kishte urdhëruar Hamani, për t’ua dërguar satrapëve të mbretit, qeveritarëve të çdo krahine dhe krerëve të çdo populli, çdo krahine sipas shkrimit të saj dhe çdo populli sipas gjuhës së tij. Dekreti u redaktua në emër të mbretit Asuero dhe u vulos me vulën e mbretit.

13 Këto dokumente u dërguan me anë korierësh në të gjitha krahinat e mbretit, me qëllim që të shkatërroheshin, të vriteshin dhe të shfaroseshin tërë Judejtë, të rinj dhe pleq, fëmijë dhe gra, në një ditë të vetme, më trembëdhjetë të muajit të dymbëdhjetë, që është muaji i Adarit, dhe të plaçkiteshin pasuritë e tyre.

14 Një kopje e dekretit duhet të nxirrej si ligj në çdo krahinë dhe të shpallej për të gjithë popujt, me qëllim që të ishin gati për atë ditë.

15 Korierët u nisën me të shpejtë sipas urdhrit të mbretit, dhe dekreti u shpall në qytetin e Suzës. Mbreti dhe Hamani ishin ulur dhe pinin, por qyteti i Suzës ishte tmerruar.

Veprat e Apostujve 2:22-36

22 Burra të Izraelit, dëgjoni këto fjalë: Jezusi Nazareas, njeriu i dëftuar nga Perëndia ndër ju me vepra të fuqishme, me mrekulli dhe shenja që Perëndia bëri ndër ju me anë të ti tij, siç edhe vet e dini,

23 ai, pra, sipas këshillit të caktuar dhe të paranjohur të Perëndisë, ju dorëzua juve dhe ju e zutë dhe, me duart e të padrejtëve, e gozhduat në kryq dhe e vratë.

24 Por Perëndia e ka ringjallur, pasi e zgjidhi nga ankthet e vdekjes, sepse nuk ishte e mundur që vdekja ta mbante atë.

25 Në fakt Davidi thotë për të: "E pata vazhdimisht Zotin para meje, sepse ai është në të djathtën time, që unë të mos hiqem.

26 Për këtë u gëzua zemra ime dhe ngazëlloi gjuha ime, dhe edhe mishi im do të qëndrojë në shpresë.

27 Sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Hades dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë kalbjen.

28 Ti më ke bërë të njoh udhët e jetës, ti do të më mbushësh me gëzim në praninë tënde".

29 Vëllezër, mund të thuhet haptas për Davidin patriark që ai vdiq dhe u varros; dhe varri i tij është ndër ne deri ditën e sotme.

30 Ai, pra, duke qenë profet, e dinte se Perëndia i kishte premtuar me betim se nga fryti i belit të tij, sipas mishit, do të ngjallet Krishti për t’u ulur mbi fronin e tij;

31 dhe, duke parashikuar këtë, foli për ringjalljen e Krishtit, duke thënë se shpirti i tij nuk do të lihej në Hades dhe se mishi i tij nuk do të shihte kalbjen.

32 Këtë Jezus, Perëndia e ka ringjallur; dhe për këtë të gjithë ne jemi dëshmitarë!

33 Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, ka përhapur atë që ju tani shihni dhe dëgjoni.

34 Sepse Davidi nuk është ngritur në qiell, madje ai vetë thotë: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time,

35 derisa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua!".

36 Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jezus që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht.”