Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Ligji i Përtërirë 30:9-14

Zoti, Perëndia yt, do të sjellë shumë mbarësi në gjithë veprën e duarve të tua, në frytin e barkut tënd, në frytin e bagëtisë sate dhe në frytin e tokës sate; sepse Zoti do të kënaqet përsëri duke të të bërë të mirën, ashtu si u kënaq kur ua bëri etërve të tu,

10 sepse do t’i bindesh zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar urdhërimet dhe statutet e tij që janë shkruar në këtë libër të ligjit, sepse do të jesh rikthyer tek Zoti, Perëndia yt, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.

11 Ky urdhërim që të jap sot nuk është shumë i vështirë për ty, as shumë larg teje.

12 Nuk është në qiell, që ti të thuash: "Kush do të ngjitet në qiell që të na e sjellë dhe ta dëgjojmë, me qëllim që ta zbatojmë në praktikë?".

13 Dhe nuk është matanë detit që ti të thuash: "Kush do të kalojë për ne matanë detit që të na e sjellë dhe ta dëgjojmë, në mënyrë që ta zbatojmë në praktikë?".

14 Por fjala është shumë afër teje; është në gojën tënde dhe në zemrën tënde, që ti ta zbatosh në praktikë.

Psalmet 25:1-10

25 Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim.

O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua.

Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak.

O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.

Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.

Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme.

Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.

Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t’u mësojë rrugën mëkatarëve.

Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij.

10 Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.

Kolosianëve 1:1-14

Pali, apostulli i Jezu Krishtit me anë të vullnetit të Perëndisë, dhe vëllai Timote,

shenjtorëve dhe vëllezërve besimtarë në Krishtin, që janë në Kolos: hir dhe paqe mbi ju nga Perëndia, Ati ynë, dhe nga Zoti Jezu Krisht.

E falenderojmë Perëndinë dhe Atin e Zotit tonë Jezu Krisht, duke u lutur vazhdimisht për ju,

sepse morëm vesh për besimin tuaj në Jezu Krishtin dhe për dashurinë tuaj ndaj gjithë shenjtorëve,

për shkak të shpresës që ruhet për ju në qiejt, për të cilën keni dëgjuar në fjalët e së vërtetës së ungjillit,

që arriti te ju, sikurse edhe në gjithë botën, dhe po jep fryt e rritet, sikurse edhe ndër ju, nga dita që dëgjuat dhe njohët hirin e Perëndisë në të vërtetë,

sikurse edhe e mësuat nga Epafrai, shoku ynë i dashur në shërbesë, i cili është një shërbëtor besnik i Krishtit për ju,

dhe që na ka treguar dashurinë tuaj të madhe në Frymën.

Prandaj edhe ne, nga dita që e dëgjuam këtë, nuk pushojmë të lutemi për ju dhe të kërkojmë që të mbusheni me njohjen e vullnetit të tij me çdo urtësi dhe mënçuri frymërore,

10 që të ecni në mënyrë të denjë për Zotin, që t’i pëlqeni atij në çdo gjë, duke sjellë fryt në çdo vepër të mirë dhe duke u rritur në njohjen e Perëndisë,

11 duke u forcuar me çdo fuqi, pas pushtetit të lavdisë së tij, për çdo ngulm e durim, me gëzim,

12 duke e falënderuar Perëndinë At, që na bëri të denjë të kemi pjesë trashëgimin e shenjtorëve në dritë.

13 Ai na nxori nga pushteti i errësirës dhe na çoi në mbretërinë e Birit të tij të dashur,

14 në të cilën ne kemi shpengimin me anë të gjakut të tij dhe faljen e mëkateve.

Luka 10:25-37

25 Atëherë ja, një doktor i ligjit u ngrit që ta vinte në provë dhe i tha: “Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?.”

26 Dhe ai tha: “Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?.”

27 Ai duke u përgjigjur tha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten.”

28 Jezusi i tha: “U përgjigje drejti; vepro kështu dhe do të rrosh.”

29 Por ai, duke dashur të justifikonte veten, i tha Jezusit: “Po kush është i afërmi im?.”

30 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe tha: “Një burr zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur.

31 Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër.

32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër.

33 Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri.

34 Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të.

35 Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: "Kujdesu për të dhe ç’të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem".

36 Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?.”

37 Dhe ai tha: “Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij.” Atëherë Jezusi i tha: “Shko dhe bëj kështu edhe ti.”