Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:97-104

97 Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.

98 Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua.

99 Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.

100 Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.

101 Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.

102 Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar.

103 Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.

104 Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.

Fjalët e urta 9

Dituria ka ndërtuar shtëpinë e saj, ka gdhendur shtatë shtyllat e saj.

Ka vrarë kafshët e saj, ka përzier verën e saj dhe shtruar tryezën e saj.

Ka dërguar jashtë shërbëtoret e saj; nga vendet më të larta të qytetit ajo thërret:

"Ai që është budalla të vijë këtu!". Atij që i mungon gjykimi i thotë:

"Ejani, hani nga buka ime dhe pini verën që kam përzier.

Lëreni budallallëkun dhe do të jetoni, ecni në rrugën e arsyes".

Ai që korrigjon tallësin tërheq mbi vete të shara, dhe ai që qorton të pabesin merr të shara.

Mos qorto tallësin sepse ai do të të urrejë; qorto të urtin dhe ai do të të dojë.

Mësoje të urtin dhe ai do të bëhet edhe më i urtë. Mësoje të drejtin dhe ai do të rritë diturinë e tij.

10 Frika e Zotit është parimi i diturisë, dhe njohja e të Shenjtit është zgjuarsia.

11 Sepse nëpërmjet meje do të shumohen ditët e tua dhe do të të shtohen vite jete.

12 Në rast se je i urtë, je i urtë për veten tënde; në rast se je tallës, pasojat do t’i kesh vetëm ti.

13 Gruaja budallaqe është zhurmëmadhe, aspak e zgjuar dhe nuk di asgjë.

14 Rri ulur te porta e shtëpisë së saj, mbi një fron në vendet e larta të qytetit,

15 për të ftuar ata që kalojnë nëpër rrugë, që shkojnë drejt në rrugën e tyre:

16 "Ai që është budalla të vijë këtu!". Dhe atij që i mungon arsyeja i thotë:

17 "Ujërat e vjedhura janë të ëmbla; buka që hahet fshehurazi është e shijshme".

18 Por ai nuk e di që atje janë të vdekurit, që të ftuarit e saj janë në thellësinë e Sheolit.

1 Gjonit 2:1-6

Djema të mi, ju shkruaj këto gjëra që të mos mëkatoni; dhe në qoftë se ndokush mëkatoi, kemi një avokat te Ati, Jezu Krishtin të drejtin.

Ai është shlyesi për mëkatet tona; dhe jo vetëm për tonat, por edhe për ata të të gjithë botës.

Dhe nga kjo e dimë se e kemi njohur atë, në qoftë se i zbatojmë urdhërimet e tij.

Ai që thotë: “Unë e kam njohur atë,” dhe nuk zbaton urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në të.

Por kush e zbaton fjalën e tij, në të me të vërtetë dashuria e Perëndisë është përsosur. Nga kjo e njohim se jemi në të.

Ai që thotë se qëndron në të, duhet të ecë edhe vetë sikurse ka ecur ai.