Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
1 i Mbretërve 19:15-16

15 Zoti i tha: "Shko, merr përsëri rrugën e kthimit deri në shkretëtirën e Damaskut; kur të arrish aty, do ta vajosësh Hazaelin mbret të Sirisë.

16 Do të vajosësh gjithashtu Jehun, birin e Nimshit, mbret të Izraelit; do të vajosësh pastaj Eliseun, birin e Shafatit nga Abel-Melohahu, si profet në vendin tënd.

1 i Mbretërve 19:19-21

19 Elia u nis që andej dhe gjeti Eliseun, birin e Shafatit, ndërsa lëronte me dymbëdhjetë pendë qe para tij, dhe ai vetë gjendej me pendën e dymbëdhjetë. Elia i kaloi afër dhe i hodhi sipër mantelin e tij.

20 Atëherë Eliseu la qetë dhe vrapoi pas Elias, duke thënë: "Të lutem, më lër të shkoj të puth atin tim dhe nënen time, pastaj do të të ndjek". Elia iu përgjigj: "Shko dhe kthehu, sepse ç’të kam bërë?".

21 Me t’u larguar nga ai, Eliseu mori një pendë qe dhe i ofroi si flijim; me veglat e qeve poqi mishin dhe ua dhe njerëzve, që e hëngrën. Pastaj u ngrit, shkoi pas Elias dhe u vu në shërbim të tij.

Psalmet 16

16 Më mbro, o Perëndi, sepse unë po kërkoj strehë te ti.

I thashë Zotit: "Ti je Zoti im; nuk kam asnjë të mirë veç teje".

Gjithë dashuria ime është vendosur te njerëzit e shenjtë dhe të nderuar që janë mbi tokë.

Dhembjet e atyre që turren pas perëndive të tjera do të shumëzohen; unë nuk do t’i derdh libacionet e tyre të gjakut dhe nuk do të shqiptoj me buzët e mia emrat e tyre.

Zoti është pjesa ime nga trashëgimia dhe kupa ime; ti, o Zot, ruaje fort atë që më ka rënë në short.

Mua fati më ka rënë në vende të këndshme; po, një trashëgimi e bukur më ka rënë.

Unë do të bekoj Zotin që më këshillon; zemra ime më mëson edhe natën.

Unë e kam vënë vazhdimisht Zotin përpara syve të mi; duke qenë se ai rri në të djathtën time, unë nuk do të hiqem kurrë nga vendi.

Prandaj zemra ime gëzohet dhe shpirti im ngazëllon për lavdinë e trashëgimisë sime; edhe mishi im do të qëndrojë tërë besim dhe në siguri,

10 sepse ti nuk do ta lësh shpirtin tim në Sheol dhe nuk do të lejosh që i Shenjti yt të shohë korruptimin.

11 Ti do të më tregosh shtegun e jetës; ka shumë gëzim në praninë tënde; në të djathtën tënde ka kënaqësi në përjetësi.

Galatasve 5:1

Qëndroni, pra, të patundur në lirinë, me të cilën Krishti na liroi, dhe mos hyni përsëri nën zgjedhën e skllavërisë.

Galatasve 5:13-25

13 Sepse ju, o vëllezër, u thirrët në liri; por mos e përdorni këtë liri si një rast për mishin, por, me dashuri t’i shërbeni njëri-tjetrit.

14 Sepse gjithë ligji përmblidhet në këtë fjalë, të vetme: “Duaje të afërmin tënd porsi vetveten!.”

15 Sepse nëse ju kafshoni dhe hani njëri-tjetrin, ruhuni mos prisheni njëri nga tjetri.

16 Dhe unë them: Ecni sipas Frymës dhe nuk do ta përmbushni dëshirat e mishit,

17 sepse mishi ka dëshira kundër Frymës, dhe Fryma ka dëshira kundër mishit; dhe këto janë të kundërta me njëra-tjetrën, që ju të mos bëni ato që dëshironi.

18 Por në qoftë se udhëhiqeni nga Fryma, ju nuk jeni nën ligj.

19 Dhe veprat e mishit janë të zbuluar dhe janë: kurorëshkelja, kurvëria, ndyrësia, shthurja,

20 idhujtaria, magjia, armiqësimi, grindjet, xhelozitë, mëritë, zënkat, përçarjet, tarafet,

21 smira, vrasjet, të dehurit, grykësia dhe gjëra të ngjashme me këto, për të cilat po ju paralajmëroj, si kurse ju thashë edhe më parë, se ata që i bëjnë këto gjëra nuk do të trashëgojnë mbretërinë e Perëndisë.

22 Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli.

23 Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj.

24 Edhe ata që janë të Krishtit e kanë kryqëzuar mishin bashkë me pasionet dhe lakmitë të tij.

25 Në qoftë se rrojmë në Frymë, në Frymë edhe duhet të ecim.

Luka 9:51-62

51 Ndodhi që kur po plotësohej koha që Jezusi duhet të ngrihej në qiell, ai vendosi prerazi të shkojë në Jeruzalem,

52 dhe dërgoi përpara lajmëtarët. Këta, si u nisën, hynë në një fshat të Samaritanëve, për t’i përgatitur ardhjen.

53 Por ata të fshatit nuk deshën ta pranonin, sepse ai ecte me fytyrë të drejtuar nga Jeruzalemi.

54 Kur e panë këtë gjë, dishepujt e vet Jakobi dhe Gjoni thanë: “Zot, a do ti që të themi të zbresë zjarr nga qielli dhe t’i përvëlojë, ashtu si bëri edhe Elia?.”

55 Por ai u kthye nga ata dhe i qortoi duke thënë: “Ju nuk e dini nga cili frymë jeni;

56 sepse Biri i njeriut nuk erdhi për të shkatërruar shpirtërat e njerëzve, po për t’i shpëtuar.” Pastaj shkuan në një fshat tjetër.

57 Ndodhi që, ndërsa po ecnin rrugës, dikush i tha: “Zot, unë do të të ndjek kudo të shkosh.”

58 Por Jezusi i tha: “Dhelprat kanë strofka dhe zogjtë e qiellit fole; kurse Biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën.”

59 Pastaj i tha një tjetri: “Ndiqmë!.” Por ai përgjigjej: “Zot, më lejo më parë të shkoj e të varros atin tim.”

60 Jezusi i tha: “Lëri të vdekurit t’i varrosin të vdekurit e vet; por ti shko dhe prediko mbretërinë e Perëndisë.”

61 Akoma një tjetër i tha: “Zot, unë do të të ndjek ty, por më lejo më parë të ndahem me ata të familjes sime.”

62 Jezusi i tha: “Asnjëri që ka vënë dorë në parmendë dhe kthehet e shikon prapa, nuk është i përshtatshëm për mbretërinë e Perëndisë.”