Revised Common Lectionary (Complementary)
130 Nga vënde të thella unë të këllthas ty, o Zot.
2 O Zot, dëgjo klithmën time; veshët e tu dëgjofshin me vëmendje zërin e lutjeve të mia.
3 Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?
4 Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.
5 Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.
6 Shpirti im pret Zotin, më tepër se rojet mëngjesin; po, më tepër se rojet mëngjesin.
7 O Izrael, mbaj shpresa tek Zoti, sepse pranë tij ka dhemshuri dhe shpëtim të plotë.
8 Ai do ta çlirojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij.
13 Një turmë e madhe u mblodh në Jeuzalem për të kremtuar festën e të Ndormëve gjatë muajit të dytë; ishte një kuvend shumë i madh.
14 U ngritën dhe zhdukën altarët që ishin në Jeruzalem; zhdukën gjithashtu tërë altarët e temjanit dhe i hodhën në përroin e Kidronit.
15 Pastaj flijuan Pashkën, ditën e katërmbëdhjetë të muajit të dytë. Priftërinjtë dhe Levitët, plot turp, u shenjtëruan dhe ofruan olokauste në shtëpinë e Zotit.
16 Ata zunë vendet që u përkisnin sipas normave të përshkruara nga ligji i Moisiut, njeriut të Perëndisë. Priftërinjtë spërkatnin gjakun, që merrnin nga duart e Levitëve.
17 Duke qenë se shumë njerëz të asamblesë nuk ishin shenjtëruar, Levitët kishin për detyrë t’i flijonin qengjat e Pashkës për tërë ata që nuk ishin të pastër, për t’ia shenjtëruar Zotit.
18 Në të vërtetë një pjesë e madhe e popullit, shumë nga Efraimi, nga Manasi, nga Isakari dhe nga Zabuloni nuk ishin pastruar, dhe e hëngrën njëlloj Pashkën, duke vepruar ndryshe nga sa ishte shkruar. Por Ezekia u lut për ata, duke thënë: "Zoti, që është i mirë, të falë cilindo
19 që ia ka kushtuar zemrën e tij të kërkojë Perëndinë, Zotin, Perëndinë e etërve të tij, edhe pa pastrimin që kërkon shenjtërorja".
20 Dhe Zoti dëgjoi Ezekian dhe shëroi popullin.
21 Kështu bijtë e Izraelit, që ishin në Jeruzalem, kremtuan festën e të Ndormëve shtatë ditë me radhë në një atmosferë gëzimi të madh, kurse Levitët dhe priftërinjtë lëvdonin çdo ditë Zotin, duke i kënduar me vegla tingëllonjëse Zotit.
22 Ezekia i foli zemrës të të gjithë Levitëve që tregonin njohje të mirë të gjërave të Zotit. Kështu ata hëngrën për shtatë ditët e caktuara të festës, duke ofruar flijime falenderimi dhe duke lëvduar Zotin, Perëndinë e etërve të tyre.
23 Pastaj tërë kuvendi vendosi ta kremtojë festën shtatë ditë të tjera; kështu e kremtuan shtatë ditë të tjera me gëzim.
24 Në fakt Ezekia, mbret i Judës, i kishte falur kuvendit një mijë dema të vegjël dhe shtatë mijë dele; edhe paria i kishte dhuruar kuvendit një mijë dema të vegjël dhe dhjetë mijë dele; dhe një numër i madh priftërinjsh ishte shenjtëruar.
25 Tërë asambleja e Judës kremtoi festën bashkë me priftërinjtë, me Levitët, me tërë asamblenë e atyre që erdhën nga Izraeli dhe me të huajt që kishin mbërritur nga vendin e Izraelit ose që banonin në Judë.
26 Kështu pati një gëzim të madh në Jeruzalem. Nga koha e Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit, nuk kishte ndodhur asgjë e tillë në Jeruzalem.
27 Pastaj priftërinjtë Levitë u ngritën dhe bekuan popullin; zëri i tyre u dëgjua dhe lutja e tyre arriti deri në banesën e shenjtë të Zotit në qiell.
2 Pas disa ditësh, ai erdhi përsëri në Kapernaum dhe u muar vesh se ai gjendej në shtëpi;
2 dhe menjëherë u mblodhën aq shumë njerëz, sa nuk gjeje më vend as përpara derës; dhe ai u predikonte Fjalën.
3 Atëhërë i erdhën disa që i paraqitën një të paralizuar, që po e bartnin katër vetë.
4 Por, duke qenë se nuk mund t’i afroheshin për shkak të turmës, zbuluan çatinë në vendin ku ndodhej Jezusi dhe, mbasi hapën një vrimë, e lëshuan vigun mbi të cilin rrinte shtrirë i paralizuari.
5 Jezusi, kur pa besimin e tyre, i tha të paralizuarit: “O bir, mëkatet e tua të janë falur!.”
6 Por aty po rrinin ulur disa shkribë, të cilët, në zemër të vet, po mendonin:
7 “Pse vallë ky po flet blasfemi. Kush mund të falë mëkatet, veç Perëndisë vetë?.”
8 Por Jezusi, i cili menjëherë kuptoi në frymën e vet se ata po i mendonin këto gjëra në veten e tyre, u tha atyre: “Pse i mendoni këto gjëra në zemrat tuaja?
9 Çfarë është më lehtë: t’i thuash të paralizuarit: "Mëkatet e tua të janë falur," apo t’i thuash: "Çohu, merre vigun tënd dhe ec"?
10 Dhe tani, që ta dini se Biri i njeriut ka pushtet të falë mëkatët mbi dhe,
11 unë po të them (i tha të paralizuarit): Çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!".”
12 Dhe ai u ngrit menjëherë, mori vigun e vet dhe doli përjashta në praninë e të gjithëve dhe kështu të gjithë u habitën dhe lëvduan Perëndinë duke thënë: “Një gjë të tillë s’e kemi parë kurrë!.”