Revised Common Lectionary (Complementary)
65 Më kanë kërkuar ata që nuk pyesnin për mua, më gjetën ata që nuk më kërkonin. Dhe thashë: "Ja ku jam, ja ku jam" një kombi që nuk thërriste emrin tim.
2 I shtriva tërë ditën duart e mia në drejtim të një populli rebel, që ecën nëpër një rrugë jo të mirë, duke ndjekur mendimet e tij;
3 një popull që vazhdimisht provokon zemërimin tim me pafytyrësi, që ofron flijime në kopshte dhe djeg temjan mbi altarë prej tullash,
4 që rri midis varreve dhe kalon netët në vende sekrete, që ha mish derri dhe ka në enët e tij supa gjërash të neveritshme,
5 që thotë: "Rri për llogari tënde, mos u afro, sepse jam më i shenjtë se ti". Këto gjëra janë për mua një tym në hundë, një zjarr që digjet tërë ditën.
6 "Ja, e tërë kjo është shkruar para meje; unë nuk do të hesht, por do të shpaguaj, po, do të shpaguaj në gji të tyre
7 paudhësitë tuaja dhe paudhësitë e etërve tuaj të gjitha së bashku," thotë Zoti. "Ata kanë djegur temjan mbi male dhe më kanë fyer mbi kodra; prandaj shpërblimin e sjelljes së tyre të kaluar do ta llogaris në gji të tyre".
8 Kështu thotë Zoti: "Ashtu si thuhet kur gjendet lëng në vilën e rrushit: Mos e prishni, sepse në të ka një bekim,," kështu do të bëj unë për hir të shërbëtorëve të mi dhe nuk do të shkatërroj çdo gjë.
9 Unë do të nxjerr nga Jakobi pasardhës dhe nga Juda një trashëgimtar të maleve të mia; të zgjedhurit e mi do të zotërojnë vendin dhe shërbëtorët e mi do të banojnë aty.
19 Por ti, o Zot, mos u largo; ti që je forca ime, nxito të më ndihmosh.
20 Çliroje jetën time nga shpata, jetën time të vetme nga këmba e qenit.
21 Shpëtomë nga gryka e luanit dhe nga brirët e buajve. Ti m’u përgjigje.
22 Unë do t’u njoftoj emrin tënd vëllezërve të mi, do të të lëvdoj në mes të kuvendit.
23 Ju që keni frikë nga Zoti, lëvdojeni; dhe ju të gjithë, pasardhës të Jakobit, përlëvdojeni; dhe ju të gjithë, o fis i Izraelit, kini frikë nga ai.
24 Sepse ai nuk ka përçmuar as nuk ka hedhur poshtë vuajtjen e të pikëlluarit, dhe nuk i ka fshehur fytyrën e tij; por kur i ka klithur atij, ai e ka kënaqur.
25 Shkaku i lëvdimit tim në kuvendin e madh je ti; unë do t’i plotësoj zotimet e mia në prani të të gjithë atyre që kanë frikë nga ti.
26 Nevojtarët do të hanë dhe do të ngopen; ata që kërkojnë Zotin do ta lëvdojnë; zemra juaj do të jetojë përjetë.
27 Të gjitha skajet e tokës do ta mbajnë mend Zotin dhe do të kthehen tek ai; dhe të gjitha familjet e kombeve do të adhurojnë përpara teje.
28 Sepse Zotit i përket mbretëria dhe ai sundon mbi kombet.
23 Dhe, para se të vinte besimi, ne ruheshim nën ligjin, si të mbyllur, duke pritur besimin që duhej të zbulohej.
24 Kështu ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të shfajësohemi me anë të besimit.
25 Por, mbasi besimi erdhi, ne nuk jemi më nën ndonjë mësues,
26 sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit te Jezu Krishti.
27 Sepse të gjithë ju që jeni pagëzuar në Krishtin, Krishtin keni veshur.
28 Nuk ka as Jude, as Grek, nuk ka as skllav as të lirë, nuk ka as mashkull as femër, sepse të gjithë jeni një në Jezu Krishtin.
29 Dhe, në qoftë se jeni të Krishtit, jeni pra pasardhja e Abrahamit dhe trashëgimtarë sipas premtimit.
26 Pastaj lundruan drejt krahinës së Gadareasve, që ndodhet përballë Galilesë;
27 dhe, porsa Jezusi zbriti në tokë, i doli përpara një njeri nga ai qytet, i cili prej shumë kohe ishte pushtuar nga demonët, nuk vishte rroba, nuk banonte në shtëpi, por ndër varreza.
28 Kur e pa Jezusin, lëshoi një britmë, iu hodh ndër këmbë dhe tha me zë të lartë: “Ç’ka mes meje dhe ty, Jezus, Biri i Perëndisë Shumë të Lartë? Të lutem, mos më mundo!.”
29 Sepse Jezusi po i jepte urdhër frymës së ndyrë të dilte nga ai njeri, sepse shumë herë e kishte pushtuar dhe ndonëse e kishin lidhur me zinxhirë e me pranga dhe e ruanin, ai i këpuste prangat dhe shtyhej prej demonit nëpër shkretëtirat.
30 Dhe Jezusi e pyeti duke thënë: “Si e ke emrin?.” Dhe ai u përgjigj: “Legjion.” Sepse shumë demonë i kishin hyrë në të.
31 Dhe ata e lutnin të mos i urdhëronte të shkonin në humnerë.
32 Dhe aty ishte një tufë e madhe derrash që kullotnin në mal, dhe këta demonë iu lutën t’i lejonte të hynin në ta. Ai ua lejoi atyre.
33 Atëherë demonët, si dolën nga ai njeri, hynë te derrat, dhe ajo tufë u turr nga gremina në liqen dhe u mbyt.
34 Kur panë ç’ndodhi, ata që i ruanin derrat ikën dhe e çuan lajmin në qytet e nëpër fshatra.
35 Atëherë njerëzit dolën për të parë ç’kishte ndodhur dhe erdhën te Jezusi, dhe gjetën atë njeri, nga i cili kishin dalë demonët, të ulur te këmbët e Jezusit, të veshur dhe me mendje në rregull, dhe patën frikë.
36 Ata që e kishin parë ngjarjen, u treguan atyre si ishte shëruar i idemonizuari.
37 Atëherë gjithë popullsia e krahinës së Gadareasve, i kërkoi Jezusit të largohej prej tyre, sepse i kishte zënë një frikë e madhe. Dhe Jezusi hyri në barkë dhe u kthye mbrapa.
38 Ndërkaq njeriu prej të cilit dolën demonët, i lutej të rrinte me të; por Jezusi e përcolli duke i thënë:
39 “Kthehu në shtëpinë tënde dhe trego çfarë gjërash të mëdha ka bërë Perëndia për ty.” Dhe ai shkoi anembanë qytetit duke treguar gjërat e mëdha që Jezusi bëri për të.