Revised Common Lectionary (Complementary)
32 Lum ai të cilit i kanë falur shkeljen, ai të cilit i kanë mbuluar mëkatin!
2 Lum ai njeri të cilin Zoti nuk e padit për paudhësi dhe në frymën e të cilit nuk ka vend mashtrimi.
3 Ndërsa po heshtja, kockat e mia treteshin midis rënkimeve që kisha tërë ditën.
4 Sepse ditë e natë dora jote rëndonte mbi mua, fuqia ime i përngjante thatësisë së verës. (Sela)
5 Para teje pranova mëkatin tim, nuk e fsheha paudhësinë time. Thashë: "Do t’ia rrëfej shkeljet e mia Zotit," dhe ti e ke falur paudhësinë e mëkatit tim. (Sela)
6 Prandaj çdo njeri i përshpirtshëm do të të thërrase në kohën që mund të gjendesh; edhe sikur ujërat e mëdha të vërshojnë, ato nuk do të arrijnë deri tek ai.
7 Ti je vendi im i strehimit, ti do të më ruash nga fatkeqësia, ti do të më rrethosh me këngë çlirimi. (Sela)
8 Unë do të të edukoj dhe do të të mësoj rrugën, nëpër të cilën duhet të ecësh; unë do të të këshilloj dhe do ta mbaj syrin tim mbi ty.
9 Mos u bëni si kali dhe si mushka që nuk kanë mend, goja e të cilëve duhet të mbahet me fre dhe me kapistër, përndryshe nuk të afrohen.
10 Të shumta janë dhembjet e të pabesit, por ai që ka besim tek Zoti do të rrethohet nga mirësia e tij.
11 Gëzohuni tek Zoti dhe ngazëlloni, o njerëz të drejtë; lëshoni britma gëzimi, ju të gjithë, o njerëz me zemër të drejtë.
15 Mbas kësaj Absalomi gjeti një karrocë, disa kuaj dhe pesëdhjetë njerëz që të vraponin para tij.
2 Absalomi ngrihej herët në mëngjes dhe rrinte anës rrugës që të çonte te porta e qytetit. Kështu, në qoftë se dikush kishte ndonjë gjyq dhe shkonte te mbreti për të siguruar drejtësi, Absalomi e thërriste dhe i thoshte: "Nga cili qytet je?". Tjetri i përgjigjej: "Shërbëtori yt është nga filan fis i Izraelit".
3 Atëherë Absalomi i thoshte: "Shif, argumentat e tua janë të mira dhe të drejta, por nuk ka njeri nga ana mbretit që të të dëgjojë".
4 Pastaj Absalomi shtonte: "Sikur të më bënin mua gjyqtar të vendit, kushdo që të kishte një proçes apo një çështje do të vinte tek unë dhe unë do t’i siguroja drejtësi".
5 Kur dikush afrohej për të rënë përmbys përpara tij, ai shtrinte dorën, e merrte dhe e puthte.
6 Absalomi sillej kështu me të gjithë ata të Izraelit që vinin te mbreti për të kërkuar drejtësi; në këtë mënyrë Absalomi fitoi zemrën e njerëzve të Izraelit.
7 Ndodhi që, pas katër vjetve, Absalomi i tha mbretit: "Të lutem, lermë të shkoj në Hebron për të përmbushur një kusht që kam lidhur me Zotin.
8 Sepse gjatë qëndrimit të tij në Geshur të Sirisë, shërbëtori yt ka lidhur një kusht duke thënë: "Në rast se Zoti më kthen në Jeruzalem, unë do t’i shërbejë Zotit!".
9 Mbreti i tha: "Shko në paqe!". Atëherë ai u ngrit dhe vajti në Hebron.
10 Pastaj Absalomi dërgoi emisarë ndër të gjitha fiset e Izraelit për të thënë: "Kur të dëgjoni tingullin e borisë, do të thoni: "Absalomi u shpall mbret në Hebron".
11 Me Absalomin u nisën nga Jeruzalemi dyqind njerëz si të ftuar; ata shkuan pa të keq, pa ditur gjë.
12 Absalomi, ndërsa ofronte flijimet, dërgoi të thërrasë nga qyteti i tij Gjiloh Ahithofelin, Gilonitin, këshilltarin e Davidit. Kështu komloti bëhej më i fortë, sepse populli shtohej rreth Absalomit.
11 Unë, pra, them: A thua Perëndia e hodhi poshtë popullin e vet? Aspak, sepse edhe unë jam Izraelit, nga pasardhje e Abrahamit, nga fisi i Beniaminit.
2 Perëndia nuk e hodhi poshtë popullin e vet, të cilin e njohu që përpara. A nuk e dini ju ç’thotë Shkrimi për Elian? Si i drejtohet ai Perëndisë kundër Izraelit, duke thënë:
3 “O Zot, profetët e tu i vranë dhe altarët e tu i prishën, dhe unë mbeta i vetëm, dhe ata kërkojnë jetën time.”
4 Por, çfarë i tha zëri hyjnor? “Kam lënë për veten time shtatë mijë burra, që nuk kanë rënë në gjunjë përpara Baalit.”
5 Kështu, pra, edhe në kohën e tanishme ka mbetur një mbetje pas zgjedhjes së hirit.
6 Dhe, po të jetë prej hirit, nuk është më prej veprash, përndryshe hiri nuk do të ishte më hir, përndryshe vepra nuk do të ishte më vepër.
7 E çfarë, atëherë? Izraeli nuk e mori atë që kërkonte, kurse të zgjedhurit e morën, dhe të tjerët u verbuan,
8 siç është shkruar: “Perëndia u dha atyre frymë hutimi, sy që të mos shohin dhe veshë që të mos dëgjojnë deri në ditën e sotme.”
9 Dhe Davidi thotë: “Tryeza e tyre iu bëftë lak, një kurth, një pengesë dhe një shpagim.
10 Sytë e tyre u errësofshin që të mos shohin, dhe kurrizin e tyre kërruse përgjithnjë.”