Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Isaia 58:9-14

Atëherë do të thërrasësh dhe Zoti do të të përgjigjet, do të bërtasësh dhe ai do të thotë: "Ja ku jam!". Në rast se ti heq dorë nga zgjedha, tregimi me gisht dhe të folurit mbrapsht,

10 në rast se plotëson nevojat e të uriturit dhe ngop shpirtin e pikëlluar, atëherë drita jote do të lindë nga terri dhe terri yt do të jetë si mesdita.

11 Zoti do të të udhëheqë vazhdimisht, do të ngopë shpirtin tënd në vendet e thata dhe do t’u japë forcë kockave të tua; ti do të jesh si një kopsht i vaditur dhe si një burim uji, ujërat e të cilit nuk shterojnë.

12 Njerëzit e tu do të rindërtojnë rrënojat e lashta, dhe ti do të ngresh përsëri themelet e shumë brezave të shkuara; kështu do të quhesh riparuesi i të çarave, restauruesi i shtigjeve për të banuar në vend.

13 Në rast se e përmban këmbën që të mos dhunosh të shtunën, në rast se nuk kryen punët e tua gjatë ditës sime të shenjtë, në rast se e quan të shtunën kënaqësi, ditën e shenjtë të Zotit, që meriton nder, në qoftë se e nderon duke hequr dorë nga udhëtimet e tua, nga kryerja e punëve të tua dhe nga të folurit për problemet e tua,

14 do të gjesh kënaqësinë tënde tek Zoti, dhe unë do të të bëjë që të kalërosh mbi lartësitë e tokës dhe do të të jap të hash trashëgiminë e Jakobit, atit tënd, sepse goja e Zotit ka folur".

Psalmet 103:1-8

103 Beko, shpirti im, Zotin, dhe të gjitha ato që janë tek unë të bekojnë emrin e tij të shenjtë.

Beko, shpirti im, Zotin dhe mos harro asnjë nga të mirat që ka bërë.

Ai fal të gjitha paudhësitë e tua dhe shëron të gjitha sëmundjet e tua,

shpengon jetën tënde nga shkatërrimi dhe të kurorëzon me mirësi dhe dhembshuri;

ai ngop me të mira gojën tënde dhe të bën të ri si shqiponja.

Zoti vepron me drejtësi dhe mbron çështjen e të shtypurve.

Ai i tregon Moisiut rrugët e tij dhe bijve të Izraelit veprat e tij.

Zoti është i mëshirshëm dhe zemërbutë, i ngadalshëm në zemërim dhe i madh në mirësi.

Hebrenjve 12:18-29

18 Sepse ju nuk iu afruat malit që mund të kapet me dorë dhe që digjet me zjarr, as errësirës, as territ, as stuhisë,

19 as zërit të borisë, as zërit të fjalëve, të cilin ata që e dëgjuan u lutën që atyre të mos u drejtohej më asnjë fjalë,

20 sepse nuk mund të duronin urdhërin: “Në se edhe një shtazë e prek malin, të vritet me gurë ose me shigjeta”;

21 dhe aq e llahtarshme ishte pamja, sa Moisiu tha: “Unë jam i frikësuar dhe po dridhem i tëri.”

22 Por ju iu afruat malit Sion dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, që është Jeruzalemi qiellor, edhe morisë së engjëjve,

23 kuvendit universal dhe kishës të të parëlindurve që janë shkruar në qiej, Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, shpirtërave të të drejtëve që u bënë të përsosur,

24 dhe Jezusit, Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re, dhe gjakut të spërkatjes, që flet më mirë se ai i Abelit.

25 Shikoni se mos refuzoni atë që flet, sepse në qoftë se nuk shpëtuan ata që refuzuan të dëgjojnë atë që fliste si orakull mbi dhe, aq më pak do të shpëtojmë ne, po të mos refuzojmë të dëgjojmë atë që flet prej qiellit,

26 zëri i të cilit e drodhi atëherë dheun, por tashti bëri këtë premtim, duke thënë: “Unë edhe një herë do të tund jo vetëm dheun, por edhe qiellin.”

27 Dhe kjo fjalë "edhe një herë" tregon ndryshueshmërinë e gjërave, që tunden, si të bëra me dorë, që të mbeten ato që nuk tunden.

28 Prandaj, duke marrë mbretërinë të patundur, le ta ruajmë këtë hir me anë të të cilit i shërbejmë Perëndisë në një mënyrë të pëlqyeshme, me nderim e me frikë,

29 sepse Perëndia ynë është një zjarr që konsumon.

Luka 13:10-17

10 Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë.

11 Dhe ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte krejt e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot.

12 Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: “O grua, ti je e liruar nga lëngata jote.”

13 Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë.

14 Por kryetari i sinagogës, i indinjuar sepse Jezusi kishte shëruar ditën e shtunë, iu drejtua turmës dhe i tha: “Gjashtë janë ditët kur duhet të punohet; ejani, pra, të shëroheni në ato ditë dhe jo ditën e shtunë.”

15 Atëherë Zoti u përgjigj dhe tha: “Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju të shtunave nga grazhdi kaun e vet, ose gomarin e ta çojë për të pirë?

16 A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shtunë, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur prej tetëmbëdhjetë vjetësh?.”

17 Dhe, kur ai thoshte këto gjëra, të gjithë kundërshtarët e tij mbetën të turpëruar, ndërsa mbarë turma gëzohej për të gjitha veprat madhështore që ai kishte kryer.