New Testament in a Year
21 Pastaj Jezusi i çoi sytë dhe pa pasanikët që qitnin dhuratat e tyre në arkën e thesarit,
2 dhe pa edhe një të ve të varfër që qiti dy pare të vogla
3 dhe tha: “Në të vërtetë po ju them se kjo e ve e varfër ka qitur më shumë se gjithë të tjerët.
4 Sepse të gjithë këta dhanë nga tepricat e pasurisë së tyre për shtëpinë e Perëndisë, kurse ajo, në varfërinë e vet, dha gjithçka që kishte për të jetuar.”
5 Pastaj, kur disa po flisnin për tempullin dhe vinin në pah se ishte i stolisur me gurë të bukur dhe me oferta, ai tha:
6 “Nga të gjitha këto gjëra që ju admironi, do të vijnë ditët kur nuk do të mbetet gur mbi gur pa u rrënuar.”
7 Atëherë ata e pyetën duke thënë: “Mësues, kur do të ndodhin këto dhe cila do të jetë shenja se këto janë duke u kryer?.”
8 Dhe ai tha: “Ruhuni se mos ju mashtrojnë, sepse shumë veta do të vijnë në emrin tim duke thënë: "Unë jam," dhe: "Erdhi koha". Mos shkoni, pra, pas tyre.
9 Dhe kur të dëgjoni të flitet për luftëra e për trazira, mos u trembni, sepse të gjitha këto duhet të ndodhin më parë, por mbarimi nuk do të vijë menjëherë.”
10 Atëherë u tha atyre: “Do të ngrihet kombi kundër kombit; dhe mbretëria kundër mbretërisë;
11 do të ngjajnë tërmete të mëdha, zi buke dhe murtaja në vende të ndryshme; do të ndodhin edhe dukuri të llahtarshme dhe shenja të mëdha nga qielli.
12 Por, para të gjitha këtyre gjërave, do të vënë dorë mbi ju dhe do t’ju përndjekin dhe do t’ju dorëzojnë në sinagoga e do t’ju futin në burg; dhe do t’ju nxjerrin përpara mbretërve dhe guvernatorëve për shkak të emrit tim,
13 por kjo do t’ju japë rastin që të dëshmoni.
14 Ta vini, pra, në zemrën tuaj që të mos mendoni më parë se si do përgjigjeni për t’u mbrojtur,
15 sepse unë do t’ju jap një gojë e një dituri të tillë të cilën të gjithë kundërshtarët tuaj nuk do të jenë në gjendje ta kundërshtojnë ose t’i rezistojnë.
16 Dhe ju madje do t’ju tradhtojnë edhe prindërit, dhe vëllezërit, dhe farefisi dhe miqtë; dhe disa prej jush do t’i vrasin.
17 Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim.
18 Por as edhe një fije floku e kokës suaj nuk do t’ju humbasë.
19 Me durimin tuaj ju do t’i fitoni shpirtrat tuaj.”