New Testament in a Year
25 Atëherë ja, një doktor i ligjit u ngrit që ta vinte në provë dhe i tha: “Mësues, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përjetshme?.”
26 Dhe ai tha: “Çfarë është shkruar në ligj? Si e lexon?.”
27 Ai duke u përgjigjur tha: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë forcën tënde dhe me gjithë mendjen tënde, edhe të afërmin tënd porsi vetveten.”
28 Jezusi i tha: “U përgjigje drejti; vepro kështu dhe do të rrosh.”
29 Por ai, duke dashur të justifikonte veten, i tha Jezusit: “Po kush është i afërmi im?.”
30 Atëherë Jezusi u përgjigj dhe tha: “Një burr zbriste nga Jeruzalemi për në Jeriko dhe ra në duart e kusarëve, të cilët, mbasi e zhveshën dhe e bënë gjithë plagë, u larguan dhe e lanë gati të vdekur.
31 Rastësisht një prift po zbriste nëpër të njëjtën rrugë dhe, mbasi e pa atë burrë, vazhdoi tutje, në anën tjetër.
32 Po ashtu edhe një levit, kur arriti aty, erdhi dhe e pa dhe vazhdoi tutje, në anën tjetër.
33 Por një Samaritan, që po udhëtonte, i kaloi afër, e pa dhe kishte dhembshuri.
34 Dhe mbasi iu afrua, ia lidhi plagët duke ia larë me vaj dhe me verë; pastaj e vuri mbi kafshën e vet, e çoi në një han dhe u kujdesua për të.
35 Dhe të nesërmen, para se të niset, nxori dy denarë dhe ia dha hanxhiut duke i thënë: "Kujdesu për të dhe ç’të shpenzosh më shumë, do të të jap kur të kthehem".
36 Cili nga këta të tre, pra, të duket se qe i afërmi i atij që ra në duart e kusarëve?.”
37 Dhe ai tha: “Ai që u tregua i mëshirshëm ndaj tij.” Atëherë Jezusi i tha: “Shko dhe bëj kështu edhe ti.”
38 Ndodhi që, ndërsa ata po udhëtonin, Jezusi hyri në një fshat; dhe një grua, që e kishte emrin Marta, e priti në shtëpinë e vet.
39 Ajo kishte një motër që quhej Mari, e cila u ul te këmbët e Jezusit dhe dëgjonte fjalën e tij.
40 Por Marta, që ishte krejt e zënë nga punët e shumta, iu afrua dhe i tha: “Zot, a nuk të intereson që ime motër më la vetëm të shërbej? I thuaj, pra, të më ndihmojë.”
41 Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Martë, Martë, ti po shqetësohesh dhe kujdesesh për shumë gjëra;
42 por vetëm një gjë është e nevojshme, dhe Maria zgjodhi pjesën më të mirë, që asaj nuk do t’i hiqet.”