New Testament in a Year
18 Pastaj u tha atyre edhe një shëmbëlltyrë, për të treguar se duhet të lutemi vazhdimisht pa u lodhur,
2 duke thënë: “Në një qytet ishte një gjykatës që nuk kishte frikë nga Perëndia dhe nuk kishte respekt për njeri.
3 Tani po në atë qytet ishte një grua e ve që shkonte tek ai duke thënë: Ma jep të drejtën para kundërshtarit timm".
4 Për një farë kohe ai nuk deshi ta bënte, por pastaj tha me vete: Megjithse nuk kam frikë nga Perëndia dhe s’kam respekt për asnjeri,,
5 duke qenë se kjo grua e ve po vazhdon të më mërzitë, do t’ia jap të drejtën, sepse, duke më ardhur vazhdimisht, do të më rraskapitë".”
6 Dhe Zoti tha: “Dëgjoni ç’thotë gjykatësi i padrejtë.
7 Vallë Perëndia nuk do të marrë hak për të zgjedhurit e tij që i këlthasin atij ditë e natë? A do të vonojë, vallë, të ndërhyjë në favor të tyre?
8 Po, unë ju them se ai do t’ua marrë hakun së shpejti. Po kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?.”
9 Ai tha edhe këtë shëmbëlltyre për disa që pretendonin se ishin të drejtë dhe i përbuznin të tjerët.
10 “Dy njerëz u ngjitën në tempull për t’u lutur; njëri ishte farise dhe tjetri tagrambledhës.
11 Fariseu rrinte në këmbë dhe lutej në vetvete kështu: "O Perëndi, të falënderoj që nuk jam si njerëzit e tjerë, grabitqarë, të padrejtë, kurorëshkelës, dhe as si ai tagrambledhës.
12 Unë agjëroj dy herë në javë dhe paguaj të dhjetën e gjithçkaje që kam".
13 Kurse tagrambledhësi rrinte larg dhe as që guxonte t’i çonte sytë drejt qiellit; por rrihte kraharorin e vet duke thënë: "O Perëndi, ji i mëshirshëm ndaj mua mëkatarit".
14 Dhe unë po ju them se ky, dhe jo tjetri, u kthye në shtëpinë e vet i shfajësuar; sepse kushdo që lartohet do të ulet, dhe kush ulet, do të lartohet.”
15 I prunë edhe disa fëmijë të vegjël që t’i prekte; por dishepujt, kur panë këtë, i qortuan.
16 Atëherë Jezusi i thirri fëmijët pranë vetes dhe tha: “I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.
17 Në të vërtetë po ju them se ai që nuk e pranon mbretërinë e Perëndisë si një fëmijë i vogël, nuk do të hyjë atje.”
18 Një nga krerët e pyeti duke thënë: “Mësues i mirë, ç’duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?.”
19 Dhe Jezusi i tha: “Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.
20 Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rrem, ndero atin tënd dhe nënën tënde".”
21 Dhe ai tha: “Të gjitha këto i kam zbatuar që nga rinia.”
22 Si e dëgjoi, Jezusi i tha: “Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq.”
23 Por ai, kur i dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë, sepse ishte shumë i pasur.