New Testament in a Year
27 Pastaj iu afruan disa saducej, të cilët mohojnë se ka ringjallje, dhe e pyetën,
28 duke thënë: “Mësues, Moisiu na la të shkruar që, nëse vëllai i dikujt vdes kishte grua dhe vdiq pa lënë fëmijë, i vëllai ta marrë gruan e tij dhe t’i ngjallë pasardhës vëllait të vet.
29 Tashti, ishin shtatë vëllezër; i pari u martua dhe vdiq pa lënë fëmijë.
30 I dyti e mori për grua dhe vdiq edhe ai pa lënë fëmijë.
31 E mori pastaj i treti; dhe kështu që të shtatë vdiqën pa lënë fëmijë.
32 Dhe pas tyre vdiq edhe gruaja.
33 Atëherë, në ringjallje, e kujt do të jetë grua? Sepse që të shtatë e patën grua.”
34 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha atyre: “Bijtë e kësaj bote martohen dhe martojnë;
35 por ata që do të gjenden të denjë të kenë pjesë në botën tjetër dhe në ringjalljen e të vdekurve, nuk martohen dhe nuk martojnë;
36 ata as nuk mund të vdesin më, sepse janë si engjëjt dhe janë bij të Perëndisë, duke qenë bij të ringjalljes.
37 Dhe se të vdekurit do të ringjallen, e ka deklaruar vetë Moisiu në pjesën e ferrishtes, kur e quan Zot, Perëndinë e Abrahamit, Perëndinë e Isakut dhe Perëndinë e Jakobit.
38 Ai nuk është perëndi i të vdekurve, por i të gjallëve, sepse të gjithë jetojnë për të.”
39 Atëherë disa skribë morën fjalën dhe thanë: “Mësues, mirë fole.”
40 Dhe nuk guxuan më t’i bëjnë asnjë pyetje.
41 Dhe ai i tha atyre: “Vallë, si thonë se Krishti është Bir i Davidit?
42 Vetë Davidi, në librin e Psalmeve, thotë: "Zoti i tha Zotit tim: Ulu në të djathtën time,
43 derisa unë t’i vë armiqtë e tu si stol të këmbëve të tua".
44 Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë bir i tij?.”
45 Dhe, ndërsa gjithë populli po e dëgjonte, ai u tha dishepujve të vet:
46 “Ruhuni nga skribët, të cilët shëtisin me kënaqësi me rroba të gjata, duan t’i përshëndesin nëpër sheshe, të jenë në vendet e para në sinagoga dhe në kryet e vendit nëpër gosti;
47 ata gllabërojnë shtëpitë e te vejave dhe, për t’u dukur, bëjnë lutje të gjata. Ata do të marrin një dënim më të rëndë.”